Nga Rrogozhina, kryeministri Rama tregoi se ç’i ka kërkuar së fundi homologu i tij kosovar Albin Kurti në lidhje me vaksinimin.
“Më çoi një mesazh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke më falënderuar, e duke më kërkuar që, meqë ata morën vaksina për mjekët, do dëshironte që ne të ndihmonim për mësuesit. Po, i thashë, patjetër, ne do t’i japim ato që duhen e mundet të vaksinohen edhe mësuesit e Kosovës. E si bëhen këto, me llafe e dëngla, duke fjetur gjumë”, tha Rama.
Nga ana tjetër, në të njëjtën linjë, ai u tregua i ashpër me ish-paraardhësin Berisha.
“Sali Berisha ka nisur një fushatë dhe thotë që vaksina është e dëmshme dhe të vdes. Sikur të dilte ndonjëri nga skuadra jonë dhe të thoshte diçka sado të dyshimtë për këtë betejë, për këtë armë që është e vetmja që ka njerëzimi sot në dorë për të mundur armikun e padukshëm dhe unë të mos thosha asgjë? Të bëja sikur s’ka ndodhur asgjë?”, tha Rama, duke e çuar fjalën te Basha.
“Nëse doni të ndërpritet vaksinimi votoni ata. Sali thotë që vaksina të vdes. Ai fut ankth dhe pasiguri në shpirtin e njerëzve.
Ne po bëjmë vaksinimin masiv dhe kjo është bërë me shumë ngulm dhe këmbëngulje. Ata nuk ia kanë idenë se çfarë do të thotë t’i shërbesh njerëzve“, tha Rama. /tesheshi.com/