Kryeministri Edi Rama do të përballet me 4 gazetarë grekë, në të njëjtën kohë, në një emision televiziv në Greqi. Përballja e tij, pritet të zhvillohet nesër mbrëma (e martë), ku ai do të jetë personazhi kryesor në emisionin “Histori”, në televizioni “Skai”.
Intervista me kryeministrin shqiptar ka disa ditë që lajmërohet, ku Rama mendohet se do të flasë për çështjet që shqetësojnë marrëdhëniet mes fqinjëve. Mendohet se Rama do të pyetet me shumë kureshtje, sa i takon tematikave, si marrëveshja e detit, çështja came, apo arrestimin e dy shoferëve të ministrisë së Jashtme shqiptare, të cilët u arrestuan nga Gjykata e Janinës, pasi transportonin libra në gjuhën shqipe, për fëmijët e emigrantëve.
Në panelin e gazetarëve janë emra të njohur, jo vetëm brenda terriorit grek. Drejtuesi i emisionit, Aleksis Papagelas ka qenë për shumë vite korrespondent i televizionit Mega në Washington; Pavlos Cimas, gazetar me origjinë arvanite dhe ka njohje të thellë mbi çështjet shqiptaro-greke; si dhe gazetari Tasos Teloglou, i cili ka ndjekur në veçanti çështjen çame.
Dy ditë më parë, gjatë Samitit të Diasporës, kryeministri Rama deklaroi se nuk do të heshtë më dhe se është ngritur një grup i posaçëm për të kaluar marrëdhëniet Shqipëri-Greqi në një nivel tjetër. Ai tha se grekët ishin mësuar keq për disa kohë, pasi deri tani kanë ndeshur zyrtarë të nënshtruar, pavarësisht situatave diskriminuese, me të cilat janë përballur shqiptarët./tesheshi.com