Në mbyllje të Samitit të dytë të Diasporës, kryeministri Rama rrëfeu një moment që sipas tij tregonte defektet karakteriale shqiptare, edhe aty ku ftohen të jenë bashkë.
“Ndërkohë që po vazhdonte ceremonia e shqiponjave ishin tre zonja shumë energjike pas meje që vetëm flisnin gjithë kohën, duke marrë nëpër gojë ata që merrnin shqiponjat edhe iu thashë, “nuk kemi menduar të japin shqiponjën për thashethemet, por është një çmim që, sidoqoftë, nuk mund ta japim se do na duhej të prodhonim kushedi se sa shqiponja dhe përsëri do ziheshin se kush e ka të artë prej vërteti”, tha Rama.
Ndër të tjera, referuar kritikave për samitin, ai nuk ngurroi të thoshte se “edhe diaspora ka kazanin e saj”.
“Sot pashë dhe disa reagime në kazanin e diasporës për këtë samit, se dhe diaspora ka kazanët e vet dhe më bëri shumë përshtypje negativiteti i reagimeve, njëri thoshte ‘është samiti i vakisë’, tjetri thoshte ‘është samiti i përçarjes’, e kështu me radhë, por, sidoqoftë, po t’i besosh mikut tim budist, Pandeli Majkos, të gjitha këto janë shenja të mira”, thaeksoi shefi i qeverisë Rama. /tesheshi.com/