Kryeministri Edi Rama ka dhënë së fundi një intervistë në televizionin publik gjerman, ZDF, ku sërish është pyetur është përgjigjur për tema si kriza në BE, Ballkani Perëndimor apo refugjatët. Por fillimi nis me një aspekt tërësisht privat: pikturën!
Kryeministër, ju vizatoni edhe gjatë një konference ndërkombëtare. Përse?
Kryeministri Rama: Më ndihmon të përqendrohem. Më ndihmon të ul tensionin gjatë procesit të ndërveprimit dhe gjithashtu më ndihmon të komunikoj më zë më të ulët dhe kjo është një gjë e mirë. Ndodh ndonjëherë, për shkak se tensioni është i lartë, ndodh që njeriu kërkon mënyrë të tjera komunikimi. Pra, po, sigurisht më ndihmon të përqendrohem dhe të ul tensionin.
Dhe çfarë thonë bashkëbiseduesit tuaj?
Bashkëpunëtorët e mi e dinë dhe shqetësohen më shumë kur unë nuk jam duke vizatuar. Por, kur njerëzit vijnë të më takojnë ndonjëherë mund të jetë e vështirë. Po ju tregoj një rast. Erdhi dikush të më takojë. Ai u ul tamam aty ku po qëndroni edhe ju. Ai filloi të më tregojë diçka ndërsa unë po vizatoja. Ai më tha: Më falni, ose më dëgjo mua ose unë po iki dhe ju vazhdoni të vizatoni. Unë ju përgjigja: Në rregull. Dhe unë e lashë vizatimin. Pas një çasti ai më pyeti: A po më dëgjon? Dhe unë ju përgjigja: Jo, sepse në qoftë se nuk vizatoj nuk përqendrohem dot në bisedë të drejtpërdrejtë. Pra, me mua funksionin pak a shumë kështu.
Një nga aktet e para si kryetar i Bashkisë së Tiranës ishte të ndryshojë fasadat e ndërtesave të hirta. Cila ishte arsyeja këtij projekti të madh urban?
Filloi si një nevojë. Kur u zgjodha me një shumicë të madhe, pritshmëritë ishin shumë të mëdha. Buxheti i qytetit ishte i papërfillshëm. Mua më duhej të filloja nga diku dhe me diçka. Dhe kështu më erdhi ideja ta filloja duke lyer ndërtesat për të hequr atë ngjyrë të hirtë shqetësuese që të shkurajonte. Dhe më pas vazhdoi efekti domino në shumë gjëra të tjera. Qyteti u bë shumë më miqësor dhe gjithashtu njerëzit filluan të ndjejnë qytetin që humbën gjatë tranzicionit të trazuar të viteve 90-të. Kështu, bukuria është një instrument kundër shumë sëmundjesh të shoqërisë dhe hapësirat e bukura publike krijojnë energji që më pas sjell kurajo dhe frymëzim për të investuar në dyqanin e vogël, për ta shndërruar në diçka më tërheqëse, për të investuar në diçka tjetër. Prandaj, unë besoj fort se bukuria mund të bëjë atë që nuk mund ta bëjnë mijëra policë edhe ndaj kriminalitetit apo sjelljes së keqe në vend publik. Aty ku ka shëmti, nuk ka shpresë. Aty ku ka bukuri, ka shpresë. Natyrisht, ka ende sfida.
Si e keni përjetuar ju në Ballkan krizën aktuale në Europë? Dhe sa mbështeteni në shpresat për të hyrë se shpejti në BE?
Ne jetojmë në një situatë që përsëri përkufizohet nga “mallkimi i Ballkanit”. Kur ne ishim në formën më të keqe, Europa ishte në formën e saj më të mirë. Tani që ne jemi në forme të mirë, nuk është Europa mirë. Pra, në mes të kësaj sinergjie, ne vazhdojmë të përpiqemi dhe të punojmë. Ne kemi bërë shumë progres. Tani ne kemi edhe një afat për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm. Dhe ne na duket të përpiqemi dhe ta arrijmë. Dhe më pas të vazhdojmë e të vazhdojmë. Kjo është diçka që bëhet gjithnjë e më e madhe.
Si po ecin punët me Europën?
Dua të jem i sinqertë me ju. Nuk jam diplomat i mirë. Së pari, mendoj se mund të bëhet më keq përpara se të bëhet më mirë. Është diçka e lidhur me faktin se Europa sot dominohet nga brezi i parë që nuk njohu luftën. Dhe duke mos njohur luftën, ata nuk e kuptojnë plotësisht thelbin e asaj çfarë është Bashkimi Europian. Më kujtohet gjithmonë Helmut Kohl kur foli për bashkimin monetar. Përpara se të jetë diçka që ka të bëjë me financën, është diçka që ka të bëjë me vëllain tim i cili humbi jetën në luftë. Ne e kemi më të lehtë. Ne mund të dukemi naivë në Ballkan sepse ne jemi shumë pro-europianë, por ne kemi parë luftën. Dhe lufta për ne nuk ishte diçka në televizion, por diçka e vërtetë. Te ne erdhën më shumë se gjysmë milioni refugjatë nga Kosova të cilët po iknin nga lufta. Dhe nga ana tjetër, sinqerisht mendoj se në këtë periudhë Europa kishte fatin të kishte Angela Merkelin. Po të mos ishte ajo, nuk di kush mund ta shpëtonte nderin e Europës. Pra, ky është mendimi im.
Si do të veprojë qeveria juaj në krizën aktuale të refugjatëve?
Ne nuk do të jemi asnjëherë pjesë e ndonjë plani ku refugjatët do të trajtohen si njerëz të infektuar. Nga ana tjetër, ne jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë. Nuk mendoj se Europa është vetëm për të ndarë përfitimet nga buxheti. Por, Europa është edhe për të ndarë përgjegjësitë. Ne nuk jemi në Bashkimin Europian, por duhet të jemi të gatshëm të marrim pjesën tonë. As më shumë dhe as më pak. Ky është nocioni ynë. Shqipëria është vendi ku njerëzit në rrezik gjithmonë gjejnë strehë. Ne jemi i vetmi vend në Europë ku hebrenjtë ishin më të shumtë në numër pas luftës se përpara luftës. Asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve në Shqipëri. Më vonë, kemi pasur më shumë se gjysmë milioni refugjatë nga Kosova. Ne jemi një vend i vogël për gjysmë milioni refugjatë, por ia dolëm më së miri. Në ditët e sotme ne kemi mirëpritur disa qindra refugjatë nga Irani, refugjatë politikë. Pra, ne jemi vend që ofrojmë strehë. Ne jemi gjithashtu një vend që përfiton nga mikpritja në Gjermani, në Itali dhe Greqi, në Europë dhe Amerikë. Pra, shqiptarët asnjëherë nuk i kanë konsideruar refugjatët si rrezik apo si diçka që duhet shmangur.