Kryeministri Rama përcolli të parin mesazh për koronavirusin, nën atmosferën e ankthit të krijuar dhe në Shqipëri, pas shfaqjes së beftë dhe me tregues shqetësues në Italinë fqinje.
Rama garantoi se Shqipëria është e pastër nga prania e “flamës kineze”, duke dhënë njëherësh garanci se masat janë marrë si kudo.
“Koronavirusi nuk e ka prekur Shqipërinë! Por si për gjithë botën është një kërcënim potencial, për të cilin janë marrë të gjitha masat në rast se do të na duhet ta përballim”, shkruan shefi i qeverisë, duke këshilluar opinionin që t’i referohet asaj çfarë thotë specialistja e njohur Silva Bino.
Më pas ai shpreh shqetësim për politizimin e çështjes e jo vetëm.
“Të njëjtat mendje të shthurrura, që ju shqetësuan keq me lajmet fallco dhe me gojëligësinë e tyre gjatë ditëve e netëve të gjata pas tërmetit, janë në veprim. Mos bini pre e tyre dhe jini të sigurt se shteti shqiptar po e bën prej kohësh detyrën për të qenë gati në rast shfaqjeje të koronavirusit, të cilin jemi gati ta përballim me organizim e profesionalizëm të lartë”, shkruan i pari i qeverisë. /tesheshi.com/