Kryeministri Rama postoi pamje të asaj që e konsideron rikthimin i shërbimit për komunitetet, me kryebashkiakët e rinj të dalë nga 30 Qershori.
“Vau i Dejës, Përmet, Mat, Selenicë – Vijon papushim heqja e zhulit, plehrave e ferrave nga territoret, ku pas largimit të kryebashkiakëve revolucionarë, punonjësit e pastrimit nuk paguhen më si turistë politikë, për të mbushur radhët e protestave antishtet në Tiranë, po janë kthyer në punën e tyre në shërbim të komuniteteve”, shkruan i pari i qeverisë.
Sipas tij, askush nuk është hequr nga puna e nuk do hiqet në ato administrata ku drejtonte opozita, nëse puna do bëhet siç duhet.
“E meqë ra fjala, deri tani askush s’është larguar nga puna në ish-bashkitë e djathta (përveç ca kokave të mëdha e të pagdhendura politike, që kanë ikur me dorëheqje) dhe do të largohet vetëm kush nuk do të dojë t’i futet punës; në 30 qershor Shqipëria nuk votoi për të majtën po për TE DREJTEN dhe unë do të bëj çmos që askujt të mos i mohohet padrejtësisht, e drejta për të treguar se e do dhe e bën si duhet, punën që ka”, shkroi Rama. /tesheshi.com/