Tirana e 1.5 milionë banorëve. Kaosi i ndërtimit të qytetit nën maskën e “planeve urbanistike”.Veliaj ha premtimin dhe pranon se do të hiqet trau i ndërtimeve, kthen dhe lagjen muze në shesh ndërtimi…
Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të miratojë brenda pak ditësh një plan të ri urbanistik për zhvillimin e kryeqytetit që pritet ta rikthejë qendrën në një kantier ndërtimi. Plani në vetvete akoma është një mister pavarsisht se kryebashkiaku Veliaj zhvillon takime konsultative me qytetarët, takime që në fakt bëhen me ftesa të veçanta dhe shiten në media si konsulta të hapura. Vetë opozita është e paqartë se çfarë po ndodh dhe ajo akoma nuk ka arritur të artikulojë një qëndrim konkret kundër pasi thotë se nuk është njohur me planin. Para miratimit të tij janë dhënë të paktën dy sinjale që paralajmërojnë kthimin e vendit në një shesh të madh ndërtimi për banesa, ndryshe nga ç’mund të ketë pritur çdo banor; për parqe dhe kënde pushimi që mungojnë në të gjitha lagjet. Shenja e parë ishte vendimi për t’i hequr lagjes muzeale të Tiranës statusin e mbrojtur, gjë që i hap rrugën ndërtimeve në gjithë pellgun e njësisë nr.8, në qendër të qytetit. Së dyti vetë Veliaj paralajmëroi bumin e ndërtimeve dhe pse erdhi në krye të bashkisë duke premtuar se s’do të japë asnjë leje ndërtimi. Ai tha sot se “do të ngremë traun” pasi sipas tij parashikohet që për pak vite Tirana të arrijë në 1.6 milionë banorë.
Dorëzimi i historisë
Lagjia muzeale e Tiranës në njësinë nr.8 apo siç njihet “lagjia e tironsve të vjetër” nuk do të ekzistojë me pas një vendimi të marrë së fundmi nga një vendim i Këshillit të Ministrave me propozim të Bashkisë Tiranë. Me pak fjalë kjo do të thotë shembjen e atyre pak shtëpive të vjetra karakteristike dhe kthimin e tyre të pallate shumëkatëshe. Kanë qenë vetë banorët që kanë bërë protesta duke kërkuar që të zhvillonin pronën e tyre. Ideja për ta kthyer në lagje me ndërtime nuk është vetëm e të majtëve pasi ish-kryebashkiaku Basha në vitin 2012 kishte në plan për t’a bërë këtë gjë. Së fundmi deputeti socialist i zonës, Ervin Bushati, tha se ndihej krenar për këtë vendim. Por shumë qytetarë komentonin se kjo do të shkatërronte atë pak identitet që i kishte mbetur Tiranës.
Pushtimi i Tiranës pa plan
Termi “plan urbanistik” është artikuluar shpesh nga pushtetarët e dy krahëve por për interesa të tyre dhe tëbiznesit të ndërtimit që shënoi një bum pas viteve ’90 ky term ka shërbyer vetëm si ushqim politik, jo si udhërrëfyes për ndërtimin e një qyteti mbi kritere të qarta që respektonin rregullat minimale të ndërtimeve; si gjelbërimin, largësinë mes pallateve, numrin e kateve, sheshet mes pallateve,etj..
Juristët që kanë studiuar kohën e Zogut flasin për ligje të ashpra në ndërtim deri tek neni i famshëm ‘penxherja e sehirit” që presupozonte që askush nuk kishte të drejtë të ndërtonte para dritares tënde. Të gjithë ata që jetojnë në Tiranë e dinë tashmë se po të dalësh në ballkon pamjen ta ka zënë pallati përballë dhe në vend të shikosh diellin, sheh komshiun.
Pas rënies së komunizmit brenda Tiranës u ndërtua pa kriter duke pushtuar me kioska dhe ndërtesa edhe dy anët e Lanës.
Qyteti i kthye në një qytet pa kujtesë për të gjithë ata që kishin kaluar fëmijërinë e tyre në Tiranë. Lagjet ku kishin luajtur nuk njihen më, kaq shumë kanë ndryshuar.
Edhe rifresktimi që i bëri Edi Rama, kryetar bashkie për 11 vite rrjesht, me ngjyrosjen e fasadave dhe çlirimin e lanës e parkut Rinia u bë me kosto të tjera shtesë. Lagje të tëra u ndërtuan rishtas mbi toka djerrë pa asnjë plan. Shembull i kaosit të ndërtimit është Lagjia Komuna e Parisit, pa trotuare me pallate që vijojnë radhë ngjitur me njëri-tjetrin, pa asnjë shesh mes tyre dhe pa lulishte. Madje kjo lagje ka pasur shpesh probleme me furnizimin me ujë për shkak të mungesës së tubacioneve apo prishjes së tyre nga ndërtimet pa kriter.
Tirana shënoi në 25 vite një zhvillim të vrullshëm të pakontrolluar drejt shkatërrimit. Nëse do të përkufizonim një shprehje të Artan Lames“kjo është beteja më e madhe që shteti ka humbur në këto 25 vjet, atë me territorin”.
Nga plani austrohungarez tek plani i Veliajt
Ndërsa Veliaj po planifikon ndërtimin e një Tirane që do të strehojë 1/3 e popullsisë së vendit, rreth 1.6 milionë banorë, për herë të parë Tirana u konturua në një plan në letër fiks 100 vjet më parë.
Sipas studiuesit Artan Lame, Tirana ka njohur disa planifikime të territorit për të ardhur tek kaosi ku gjendet sot.
Plani i parë rregullues i Tiranës është ai i vitit 1923 realizuar nga austriakët. Plani i dytë është ai i vitit 1926 kur konturohet për herë të parë qendra e qytetit dhe aksi i Bulevardit. Plani rregullues i vitit 1926 është më tepër rishikimi i planit rregullues të vitit 1923.
Ndërkohë mbretit Zog gjatë qeverisjes së tij i dha rëndësi të veçantë planeve rregulluese urbanisitike për të ardhur tek ai i vitit 1928, në të cilin bëhet konturimi i Bulevardit, me qendrën administrative, nga pazari deri në skajin e kodrave në jug tek pallati mbretëror. Plani tjetër rregullues i kohës së Mbretit Zog ishte edhe ai i vitit 1929. Këtu konturohet gjithë aksi veri jug i bulervardit. Plani tjeter rregullues është ai vitit 1934 i cili detajon vetëm Tiranën e Re dhe mbështetet plotësisht mbi planin e vitit 1929.
Plani rregullues i vitit 1940 ka ndryshime të mëdha, por plani më i plotë është ai i vitit 1942. Ai u realizua nga arkitekti Xherardo Bosio. Tirana zinte një sipërfaqeprej 500 ha dhe me një popullsi prej 35 mijë banorësh. Ai parashikonte detajet për zhvillimin e ardhshëm të qytetit, të sitemit të rrugëve, mori karakterisitikat e një qyteti park të gjelbëruar me ndërtime të ulëta, zgjidhi skemën e trafikut, transformoi Sheshin Skënderbej, parashikohej teatri, posta, banka, zyra, bashkia etj.
Më tej vijmë në planin rregullues të vitit 1957. Ky plan i dha qytetit një shtrirje në kufijtë e Unazës së sotme, parashikonte ndërtimin e 73.5 km rruge, sistemin radial të rrugëve me dy unaza, një të jashtme dhe një të brendshme.Plani rregullues i vitit 1990 e gjen Tiranën me një shtrirje në 1540 ha. Ai kishte si qëllim të shfrytëzonte rrejtin rrugor ekzistues dhe t’ja përshtaste atë nevojave në rritje të qytetarëve. Më 1957 qyteti u parashikua të shtrihej në kufijtë e unazës së sotme ndërsa në 1990 u tejkalua tre herë. /tesheshi.com/