Nga Bashkim Kastrati
Edhe pse që nga viti 2004 Ligji për Sigurime Shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës si dhe është miratuar në vitin 2007, asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi. Ky ligj është tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Fillimi i vitit 2015 konsiderohej si koha e fundit kur Ligji për Sigurime Shëndetësore do të hyjë në fuqi, por as kjo nuk ndodhi, ndërsa qytetarët mbetën pa këtë sigurim, i cili është shumë i domosdoshëm.
Ndërsa sipas njohësve të fushës së shëndetësisë, as në vitin e ardhshëm nuk pritet që të aplikohet ligji në fjalë, për shkak të kostos financiare që ka.
Kostoja e Ligjit për vitin 2015, siç ka deklaruar ish-ministri Ferid Agani, llogaritet të jetë rreth 17 milionë euro, si kosto direkte për sektorin publik, dhe si kosto indirekte rreth 14 milionë euro për sektorin privat.
Agani pati sqaruar se qytetarët e Kosovës janë të obliguar të paguajnë në fondin e sigurimeve shëndetësore kontributin e tyre, duke shtuar se ata që nuk kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë, këtë obligim e kanë paraparë ta marrë përsipër Qeveria e Kosovës.
Mbledhja e kontributeve do të fillojë në fund të këtij viti
Drejtori i departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë Faik Hoti, ka thënë për tesheshi.com se kjo ministri është duke u përgatitur që mbledhja e kontributeve nga ata që do të paguajnë në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të fillojë në fund të këtij viti, ndërsa fillimi i implementimit të sigurimeve, në pjese e dytë të vitit që vjen.
“Ministria është në proces të ngritjes se kapaciteteve të Agjensionit të Financimit të Shëndetësor që është paraardhës i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, duke e fuqizuar atë me njerëz dhe resurse të tjera. Rregullorja për funksionimin e kësaj Agjencie pritët të miratohet këtyre ditëve në Qeveri”, thotë Hoti.
Ai thotë se po përgatitet infrastruktura ndihmese ligjore siç është hartimi i idesë udhëzimeve administrative lidhur me çmimoren e shërbimeve spitalore dhe jashtë spitalore, ngritja graduale e moduleve të ndryshme të Sistemit të Sigurimeve Shëndetësore në veçanti atyre moduleve që ndihmojnë aplikimin e sigurimeve shëndetësore dhe në ketë fryme, është duke u bërë edhe trajnimi i një numri të konsideruar të zyrtareve shëndetësor, që do të kenë ndërlidhje me implementimin e sigurimeve.
Sipas tij, këto trajnime po bëhen nga ekspertë të angazhuar të MSh-së dhe Bankës Botërore. Kjo e fundit, këtyre ditëve ka lansuar edhe fillimin e zbatimit të projektit mbështetës për shëndetësinë në vlere prej 25 milionë dollarëve, që në forme të kredisë se butë i është dhënë Kosovës nga ky mision për të mbështetur reformën shëndetësore në pese vjetët e ardhshme.
“Ka edhe angazhime të tjera që janë duke u bërë me qëllim që në vitin tjetër, të fillojë implementimi i sigurimeve shëndetësore, për të cilat Ministri Rrahmani e ka bërë të qartë se do të nisin vetëm atëherë kur ato do të mund të jenë të qëndrueshme.
Ai thotë se sigurimet shëndetësore nuk kanë filluar të implementohen në fillim të këtij viti, për shkak se është dashur të krijohen disa parakushte, të cilat janë në proces e sipër dhe në të cilat përveç MSh-së, kanë ndikim edhe Ministri dhe Agjensione të tjera, sepse sigurimet shëndetësore implikojnë shumë faktorë për zbatimin e tyre përfshirë të dhëna të saktë për kategoritë sociale dhe ato që nuk do të paguajnë kontribute, data qendrën kombëtare për të dhënat, të dhëna e indikatorë për kapacitetet dhe semundshmerinë, e shumë elementë të tjera.
Syla: Ministrisë nuk po i bëhet vonë
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për tesheshi.com se shkaku kryesor i mosimplementimit të këtij ligji janë mekanizmat përcjellës, e këto janë sistemi informativ shëndetësor lista e shërbimeve dhe çmimoret dhe mekanizmat kontrollues.
“Ky ligj nuk pritët të fillojë as vitin tjetër sipas ritmit të punës së kësaj ministrie, por si duket nuk po u bëhet vonë. Nëse fillon ky ligj dhe mjetet kontrollohen mirë, fitues do të jenë pacientët, punëtoret shëndetësor dhe vet sistemi. Pra ka mundësi të zvogëlohet korrupsioni në nivel institucional dhe atë individual e pacientët të marrin shërbimin e duhur kurse punëtoret shëndetësor të paguhen me mire për këto”, theksoi Syla.
Ja kush do të lirohet nga pagesa e sigurimeve
Nga pagesa e sigurimit shëndetësor pritet të lirohen disa kategori të shoqërisë si familjet e varfra nën asistencë sociale, të burgosurit, të cilët janë të dënuar, individët që janë duke jetuar në institucione shtetërore, fëmijët nën kujdes të sforcuar dhe nën kujdestari, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara të strehuar në shtëpitë për persona të moshuar, si dhe në shtëpitë për integrim në komunitet. Gjithashtu në këtë kategori hyjnë edhe personat e riatdhesuar bazuar në marrëveshjet bilaterale të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera, si dhe invalidët e luftës me shkallë të lartë të paaftësisë. Qytetarët e shohin si shumë të domosdoshëm implementimin e sigurimeve shëndetësore dhe kërkojnë nga institucionet që ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë.
“Shumica e shteteve e kanë sigurimin shëndetësor. Ky sigurim është shumë i rëndësishëm, sepse do të na ndihmojë neve qytetarëve që ta kemi më të lehtë të përballemi me problemet shëndetësore. Prandaj ky ligj duhet të futet në funksion sa më parë pavarësisht se sa mund të kushtojë”, thotë Gazmend Morina.
Ndërsa Armend Rugova, thotë se sigurimet shëndetësore do të ndikonin që edhe shërbimet në institucionet shëndetësore të jenë më të mira.
“Nëse aplikohet ligji për sigurime, kjo do të ketë shumë efekte pozitive, sepse edhe shërbimet në institucione publike shëndetësore do të jenë më të mira, dhe qytetarët mund të marrin shërbime mjekësore edhe në ato private. Pra më së shumti përfitojë qytetarët nga ky ligj”, thotë ai. /tesheshi.com/