Është zbardhur drafti i qeverisë që u jep përgjigje paraprake të 8 kërkesave studentorem të cilat kanë çuar në një protest gati dy-javore.
Grupet e punës të bëra të ditura nga Rama këto ditë, i kanë marrë ato një e nga një dhe për secilën prej tyre kanë dhënë një përgjigje dhe një argumentim.
Kryeministri Rama kërkon nënshkrimin e një pakti me studentët për të gjithë paketën e 8 pikave duke kërkuar dialogim për secilën prej tyre, pork jo vijon të jetë e vështirë për shkak të këmbënguljes së një pjese studentësh për një “Po”, siç thonë ata, të panegociueshme.
PIKA 1
- Tarifat të paguhen nga qeveria nga 100% deri në 50% me shkallëzim.
- 100% për studentët me mesatare 9 deri në 10, për studentët nga familje në ndihmë ekonomike, si edhe për të verbërit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë. Këto dy kategori mund të kenë edhe një bursë prej 100 USD.
- 75% për studentët me mesatare 8 deri në 9
- 50% për studentët me mesatare 6 deri në 8
(50% po ashtu me mesatare më të ulët se sa 6, por deri në fundvitin akademik 2019-2020. Kjo bëhet për një mundësi të barabartë në një start të ri dhe për këtë arsye asnjë student, pavarësisht mesatares, nuk do të paguajë më shumë se sa 50% të tarifës deri në vitin e ardhshëm akademik).
Skema e shkallëzimit meritokratik është ende në diskutim dhe të gjithë janë të ftuar të kontribuojnë me mendimin e tyre
Afati i zbatimit: Janar 2019
PIKA 2
- Të krijohet një faqe online, ku të publikohen të gjitha buxhetet dhe shpenzimet e Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë dhe çdo IAL-i publik. Faqja të shërbejë edhe si një platformë, për ekspozimin e akteve të korrupsionit apo të shkeljeve të çdo lloji në universitet.
Afati i zbatimit: Janar 2019
PIKA 3
- Çdokush që ka njohuri për një praktikë ndërkombëtare, ku pesha e votës së studentëve në zgjedhjet në universitet është siç kërkohet në këtë pikë, është i lutur ta bëjë publike. Momentalisht po punohet për ta adresuar këtë pikë, duke parë me detaje çështjen e përfaqësimit të studentëve në vendimmarrje, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.
Afati i vendimit: Janar 2019
PIKA 4
- Transparenca e titujve shkencorë është aktualisht një detyrim ligjor i Universitetit. Sidoqoftë po punohet për një propozim konkret si më poshtë, që meriton të diskutohet.
- Biblioteka Kombëtare të ngrejë një portal të unifikuar, ku të hidhen të gjitha doktoraturat.
Të digjitalizohen doktoraturat që janë në letër (hardcopy). Kontrolli antiplagjiaturë i tyre të kryhet nëpërmjet një softëare-i të posaçëm dhe të gjitha rastet e dyshuara t’i kthehen Komisioneve të Posaçme Universitare për rivlerësim.
- Ministria e Arsimit, Sportit e Rinisë nga ana e saj, të nisë Verifikimin e Kritereve të Ligjshmërisë për titujt akademikë.
Afati i fillimit të zbatimit: Mars 2019
PIKA 5
- Qeveria të shkarkojë të gjithë anëtarët e bordeve të emëruar nga MASR. Anëtarët e rinj të emërohen nëpërmjet një procesi të hapur, ku figura publike dhe ekspertë me profil të lartë, të zgjidhen rojtarë të interesit publik në administrimin e Universiteteve. Po hulumtohen praktikat më të mira ndërkombëtare për të parë mundësinë që njëri prej anëtarëve të vijë nga trupa studentore.
Afati i zbatimit: Shkurt 2019
PIKA 6
- Marrëveshja e nënshkruar në nëntor me Qendrën e Shërbimeve Arsimore Franceze, për ta bërë kartën tonë pjesë të European Student Card (ESC) është një bazë shumë e mirë për finalizimin e këtij procesi
Të miratohet VKM me shërbimet që do të ofrohen me çmim të reduktuar për studentët. Të fillojë procesi i pajisjes me Kartën e Studentit dhe të pajisen të gjithë studentët.
Afati i zbatimit: Shtator 2019
PIKA 7
- Të përfundojë procesi i blerjes dhe vënies në dispozicion të studentëve të Bibliotekës Universitare Digjitale. Të gjitha Universitetet në vend do të kenë akses në bibliotekën elektronike universitare, si dhe në databazën kombëtare të doktoraturave.
Afati i zbatimit: Mars 2019
PIKA 8
- Të nisë vlerësimi i performacës për çdo IAL në vend, ku elementët kyç do të jenë:
– Sondazhi Kombëtar i Studentëve për çdo pedagog, program mësimor; departament e fakultet;
– Vlerësimi i Produktit Kërkimor për çdo department, fakultet dhe IAL;
– Vlerësimi i jashtëm i cilësisë, në përputhje me ”Kodin e Cilësisë së Arsimit të Lartë”.
Afati i fillimit të zbatimit: Mars 2019
Shënim: Gjithë sa më lart është në fazën e diskutimeve në grupet e punës, të cilat mirëpresin çdo sugjerim. Ndërkohë, më poshtë çdo individ i interesuar, është i ftuar të kontribuojë me opinione, ide, sugjerime a kërkesa për Universitetin në tërësi dhe universitetin apo fakultetin e tij në veçanti. /tesheshi.com/