Dy ditë para zgjedhjeve të së dielës, OSBE, organizimi kryesor ndërkombëtar për vëzhgimin e tyre, ka dalë me një deklaratë të gjatë, e me gjuhë dhe paralajmëruese, duke përcjellë mesazhin se i qëndron 30 qershorit, e se çdo akt për pengimin e tyre do të ndëshkohet.
Deklarata përbën njëherësh një përgjigje të kryesuesit të këtij organizmi, ministrit të Jashtëm sllovak Miroslav Lajçak, ndaj letrës që ka marrë prej presidentit Meta, ku i kërkohet që zgjedhjet të shtyhen, thënë kjo duke e denoncuar politikisht kryeministrin Rama.
“OSBE-ja ka monitoruar nga afër ngjarjet dhe i ka nxitur në mënyrë të përsëritur të gjithë aktorët relevantë të angazhohen në politika konstruktive, të respektojnë proceset demokratike të vendit dhe të tregojnë vetëpërmbajtje. Tani, më shumë se kurrë, është e domosdoshme që aktorët shqiptarë të punojnë së bashku për të kaluar ngërçin aktual, të angazhohen në dialog pa parakushte dhe të sigurojnë që zgjedhjet e kësaj të diele të zhvillohen paqësisht. Ne i nxitim të gjithë aktorët të mbështetin shtetin e së drejtës, të respektojnë rolet kushtetuese të institucioneve demokratike përkatëse dhe të drejtat e njeriut, si dhe të shmangin dhunën; si autorët, ashtu edhe nxitësit e akteve të dhunshme do të jenë përgjegjës ligjërisht. Gjithashtu, në u bëjmë thirrje institucioneve të zbatimit të ligjit të përdorin masa përpjestimore”, thuhet në deklaratën e OSBE-së.
Ajo vjen një ditë pas aktit të djegies së KZAZ-së në Bushat të Vaut të Dejës, ku dhe njëherë paralajmërohet se çdo akt dhune nuk do tolërohet.
“Duke pranuar të drejtën e shqiptarëve për mjete paqësore të protestës, OSBE dënon ashpër sulmet e fundit të dhunshme që synojnë organet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve në komunat anembanë Shqipërisë, duke dëmtuar shkollat dhe materialet e votimit. Të gjitha kontradiktat politike dhe administrative duhet të zgjidhen në përputhje me sundimin e ligjit dhe proceset ligjore. Çdo përpjekje për të prishur procesin demokratik përmes veprimeve të dhunshme ndalon përparimin e Shqipërisë dhe njollos reputacionin ndërkombëtar të vendit. Çdo shkelje ligjore lidhur me zgjedhjet, duke përfshirë blerjen e votave, shpërdorimin e burimeve publike dhe ushtrimin e presionit lidhur me zgjedhjet për punonjësit e sektorit publik, duhet të rezultojë me pasoja të përshtatshme ligjore”, thuhet në deklaratë. /tesheshi.com/
.