Qarqe nacionaliste maqedonase kanë hapur lajmin se grupe të armatosura nga Kosova kanë hyrë në Maqedoni për trazira si ajo e një viti më parë në Kumanovë.
Këtë gjë e kanë bërë grupime pranë VRMO-DPMNE-së që të trazojnë situatën ndëretnike.
Por ministri maqedonas i Punëve të Brendshme,Oliver Spasovski ka hedhur poshtë ato që i ka quajtur “spekulime”.
“Këto janë spekulime se ka hyrë ndonjë grup i armatosur nga Kosova. Përfocimet policore kanë për qëllim të parandalojnë lëvizjen e emigrantëve”. tha Spasovski, i cili shtoi se policia nuk ka kryer bastisje në fshatrat e Komunës së Likovës.
Sipas tij, policia ka shtuar prezencën policore në këtë rajon për shkak të krizës së refugjatëve ,për të parandaluar kalimet ilegale dhe trafikimin e migrantëve.
“Mbrëmë nuk kishte aksion policor, kishte prezencë më të shtuar të policisë, sepse rajoni i Kumanovës dhe i Shkupit ndodhen më afër kufirit verior, ku kemi shpesh kalime ilegale të migrantëve,që për destinacion kanë Evropën”, theksoi ministri.
Banorë e kësaj zone thonë se prezenca e forcave policore në numër më të madh se i zakonshmi shkakton panik tek qytetarët. /tesheshi.com/