Nga Ylli Pata
Ndërkohë që të gjithë prisnin një ministër të jashtëm nga diaspora apo Kosova, Edi Rama ka emëruar tre intelektualë prej Kosove si zv.ministra, të cilët i konsideron edhe pjesën më të rëndësishme të mandatit të dytë, pasi do të jenë ata që do ta furnizojnë kryeministrin me ide.
Janë Hajrullah Çeku, Besa Shahini dhe Valbona Shujaku, tre zëvendësministrat e rinj të qeverisë shqiptare të ardhur nga tej Morinit.
Këto emërime janë janë komentuar nga ana me mediave të Prishtinës kryesisht, duke vënë në dukje pikërisht faktin e promovimit të njerëzve të Kosovës nga qeveria shqiptare.
Por nuk është marrë kush me arsyet që mund ta kenë shtyrë Ramën të bëjë këto emërime, si dhe për përfitimet apo problemet që mund t’i hapen nga këto emërime.
Nga të gjithë u fol para dy muajsh që Vlora Çitaku apo Baton Haxhiu mund të jenë ministra të Jashtëm në qeverinë e re dhe nuk u pritën mirë nga publiku.
Por Edi Rama ka lëvizur fort, duke emëruar tre emra jo shumë të bujqshëm, por majft të njohur në rrethin e tyre; dhe ç’është më e rëndësishme tre shqiptarë të Kosovës që janë të spikatur për mirë, njerëz me ide dhe të shquar në punën e tyre, dhe deri më tani të pakontestueshëm.
Due u nisur nga deklarata e Edi Ramës që zv.ministrant do të jenë “bordi kreativ” duke kopjuar njerëzit që furnizonin Stefe Jobes me idetë për Iphone-n, me tre kosovarët Rama ja ka qëlluar thuajse më mirë se me të gjithë.
Hajrullah Çeku që u emërua Zv.ministër i Turizmit dhe Mjedisit, është njeriu që i ka rikthyer Prizrenit shkëlqimin e tij historik. Me shoqatën “Ec ma Ndryshme”, Harjullah Çeku ka realizuar që të shpëtojë të gjitha shtëpitë e vjetra të Prizrenit përveç monumenteve të trashëgimisë dhe tani Prizreni është një argumentet kryesore të Kosovës për hyrjen në UNESCO.
Këtë model Rama synon ta implantojë në Gjirokastër, Berat, Shkodër, Korçë por edhe në qytete të tjera, për ta kthyer trashëgiminë në një turizëm shpërthyes.
Prizreni është qyteti më i fuqishëm turistik i Kosovës dhe baza e tij është natyrisht trashëgimia otomane e tij që i jep madhështinë e një qendre vilajeti.
Vetë Çeku e ka pranuar me entuziazëm detyrën e tij.
“Ju falemnderit për urimet e përkrahjen. Kryeministri Rama më ka emëruar në pozitën e zëvendësministrit të Turizmit në qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Jam i privilegjuar që do t’i shërbejë Shqipërisë dhe programit qeveritar që synon të thellojë bashkëpunimin me Kosovën”, shkruan Çeku në FB.
Zv.ministrja tjetër është Besa Shahini, një specialiste e organizatave ndërkombëtare që ka qenë e suksesshme në mbështetjen e arsimit në Kosovës , përvojë e frytshme që Rama synon ta implementojë në Shqipëri. Kosova nuk ka vuajtur nga problemet e teksteve të tmerrshme që kanë çorientuar shkollat për mbi 10 vjet.
“Kryeministri Rama sot më emëroi zëvendësministre të Arsimit në qeverinë shqiptare. Ndihem e nderuar që puna ime e deritanishme në fushën e arsimit vlerësohet si aset në qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Shpresoj që kontributi im të çojë tek përmirësimi i mëtutjeshëm i shkollave dhe arsimit në Shqipëri. Marrë parasysh që standardet e arsimit shqip vendosen në Tiranë, arritjet atje domosdoshmërisht do të ndikojnë në përmirësimin e arsimit në Kosovë dhe vendet e tjera shqipfolëse në rajon. Punën time në Shqipëri e shoh si thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe tejkalim të kufijve në interes të përfitimit të përbashkët të shqiptarëve”, shkruan Shahini.
Emërimi i tretë i Edi Ramës është një bashkëpunëtore e ngushtë e Shpend Ahmetit në komunën e Prishtinës. Dizajnere si profesion, Valbona Shujaku është zyrtare e kulturës në Komunën e Prishtinës. Rama e ka emëruar si zv.ministre të Kumbaros për të sjellë kryesisht idetë e reja për artin bashkëkohor.
Por përveç aspektit meritokratik që normalisht mund të ketë pjesë në këtë vendim të Edi Ramës, dy nga arsyet kryesore të kësaj lëvizjeje janë politike.
Njëra, siç edhe e bëjnë të ditur dy zv.ministrat e rinj është pikërisht vija e bashkëpunimit më të ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë, që Rama e ka shpallur prioritet për mandatin e tyre.
Me tre emra që vijnë nga Kosova, ky bashkëpunim mund të bëhet real dhe mund të jepen ide jo vetëm nga këndvështrimi “prej Tirane” i partneritetit Shqipëri-Kosovë , por edhe këndvështrimi i kundërt, pra ai “prej Prishtine”, gjë që ndihmon që idetë të jenë më gjithëpërfshirëse.
Ndërkaq, një arsye tjetër që duket mjaft e rëndësishme, edhe pse ndoshta nuk bëhet publike për vendimin e djeshëm të Edi Ramës, është pikërisht aspekti elektoral krejt konkret.
Ka shumë qytetarë të Kosovës që zotërojnë pasaportën shqiptare dhe votojnë në Shqipëri. Një pjesë e madhe e tyre kanë qenë përgjithësisht votues të Berishës, por Rama me këta emërime të rinjsh synon gjereratën tjetër jo vetëm të votuesve-kosovarë, por edhe votuesve nga trevat që zotërojnë pasaportën e Shqipërisë. Dhe nuk janë pak.
Rama pret që të sjellë votues diasporën shqiptare që banon jashtë si SHBA e Europë. Një pjesë e tyre ka shumë gjasa që origjinën që ta kenë nga Kosova e trevat.
Një burim në kryesinë e PS-së i tha tesheshi.com se tre zv.ministrat nuk janë të vetmit nga Kosova në qeverinë e Edi Ramës. Ai ka thirrur edhe në stafin e tij por edhe në administratë mjaft shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë.
Të njëjtën gjë bëri edhe në mandatin e shkuar me Shkëlzen Maliqin dhe Baton Haxhiun, zgjedhje që në fakt nuk u panë shumë mirë nga publiku. /tesheshi.com/