Nga Mensur Krasniqi
Që fushata e saponisur në Maqedoni pritet të ofrojë “perla politike”, kjo u pa dhe në rastin më të fundit kur Artan Grubi, një ndër eksponentët e lartë të BDI-së, partisë shqiptare në pushtet, shpërtheu në thirrjet “UÇK, UÇK” ku ajo që mungonte ishte vetëm ndonjë e shtënë arme. Ndodhi kjo në fillim të fjalimit të tij në konventën promovuese të partisë së tij, ku për një moment e gjithë salla shtangu pasi nuk e priste këtë kthim në identitetin militar të BDI-së me mendjen dhe gojën e Grubit.
Por si komentohet kjo rifutje politike nën armë partisë që erdhi nga armët? 15 vjet më pas, pakkush në Maqedoni, tek oponioni shqiptar, shohin ndonjë lidhje të natyrshme mes ish-UÇK-së dhe BDI-së. Mendimi dominues është ai që kjo parti me Ali Ahmetin në krye, i kanë hedhur në kosh idealet e luftës.
Kështu mendon Rexhep Memed nga Lëvizja Besa:
“UÇK-ja për Artan Grubin është si drita për errësirën. Secili shqiptar, edhe ata të BDI-së, e ka të qartë se ata që tradhtuan idealin e UÇK-s, ata që shkelën mbi gjakun e dëshmorëve dhe u pasuruan me paratë me të cilat e shitën popullin te shërbimet antishqiptare, s’kanë aspak të drejtë morale të thirren në amblemën tonë kombëtare. Andaj është i natyrshëm injorimi total që dje audienca shqiptare i bëri selfie-politikanit”, tha Memedi për tesheshi.com.
Ndërsa për Arben Taravarin nga Lëvizja për Reforma në PDSH, është turp për një njeri që kur s’ka pasur lidhje me UÇK-në që të thirret në emër të saj, e aq më shumë kur një numër i konsiderueshëm i ish-luftarëve të UÇK-së janë pjesë e partive të ndryshme politike në Maqedoni dhe jo pronë e BDI-së.
“Turp për një njeri që kur s’ka pasur lidhje me UÇK-në. Akt i pamoralshëm, të thirresh në një ish-ushtri që i takonte popullit, ushtarët e të cilës janë nëpër parti të ndryshme politike, kurse gjenerali i asaj ushtrie dhe nje numër i konsiderueshëm i komandantëve janë pjesë e ALEANCES PER SHQIPTARET. Kam thënë dhe do e përsëris BDI ka krizë morale brenda radhëve të veta. U uroj që turpi që do i përcjellë në muajt dhe vitet që vijojnë të jetë sa më i vogël”, deklaroi për portalin tesheshi.com, Arben Taravari.
Ndryshe nëpër rrjetet sociale facebook thuhet që video me deklaratën e Artan Grubit ka arritur një shikueshmëri jashtëzakonisht të lartë, sa që ia ka kaluar edhe këngës së re të Unikatilit.
Po ashtu, Grubi shquhet edhe për perla të tjera, për të cilat më pas është detyruar të kërkojë falje publike, si ajo fotografia “selfie me Nexhat Agollin” e publikuar në rrjetin e tij social facebook, e që nuk kishte të bënte fare me rilindasin e shquar kombëtar shqiptar, por me një figurë tjetër të sllavëve. /tesheshi.com/