Mensur Krasniqi
Se islamofobia është në gjakun e tyre, kjo nuk është diçka e re. Jo më larg se dje, maqedonasit e qytezës së Kriva Palankës organizuan një protestë për të kundërshtuar ndërtimin e një xhamie, një iniciativë e bashkësisë rome me përkatësi fetare muslimane. Protesta e qytetarëve maqedonas vjen menjëherë pasi prefekti i kësaj komune, Arsence Aleksovski, deklaroi publikisht para tre ditëve se sa të jetë ai në postin e kryetarit të komunës së Kriva Palankës, në këtë qytet nuk mund të ndërtohet xhami ose ndonjë objekt tjetër fetar.
Njëri nga organizatorët e protestës, i cili deshi të mbetet anonim, tha se kjo protestë nuk është organizuar as nga partia e VMRO-DPMNE-së, as nga partia e LSDM-së, por as nga ndonjë parti tjetër politike.
“Kjo protestë është organizuar nga një grup qytetarësh të Kriva Palankës. Çështja e dytë është se ne nuk jemi kundër romëve, por kundër disa organizatave islamiste apo individëve të caktuar, të cilët i manipulojnë romët me pak para që të arrijnë qëllimet e tyre. Një numër i caktuar i këtyre romëve ishin ortodoksë para do kohësh, pastaj dëshmitarë të Jehovait, kurse tani janë muslimanë,” deklaroi një protestues, pas fjalëve të të cilit u dëgjuan brohoritje, për t’u shpërndarë më tutje edhe disa fotografi si dëshmi.
Protestuesit brohorisnin: “Kriva Palanka qytet ortodoks.”
Ndërsa një protestues tjetër tha se në dy ditët e kaluara janë mbledhur mbi 4 mijë nënshkrime të qytetarëve që janë kundër, siç pretendon ai, “islamizimit të Kriva Palankës”. Sipas tij, qytetarët e Palankës dëshirojnë të thonë me nënshkrimet e mbledhura dhe me këtë protestë se janë kundër ndërtimit të xhamisë në Kriva Palanka.
Para një shtëpie ku qe paraparë ndërtimi i xhamisë ishin vendosur pjesëtarë të policisë të veshur me jelek antiplumb dhe helmeta, ndërsa në momentet e raportimit të televizionit Alsat vërehej tension i shtuar tek masa e njerëzve, pasi organizatorët dhanë ultimatum në kumtesën e lexuar që shtëpia të lirohet sa më parë, ndërsa nga masa e tubuar dëgjoheshin zëra për largimin e menjëhershëm.
Pas protestës thuhet që persona të panjohur kanë shkatërruar objektin ku myslimanët e këtij qyteti kryenin ritet fetare.
Mbi këtë ngjarje ka reaguar Myftinia e Kumanovës, që mbulon dhe Kriva Palankën. Antifetar dhe jonjerëzor është vlerësuar ky akt nga myftinia. Ajo kërkon nga organet kompetente që ky akt vandal i maqedonasve të zbardhet sa më shpejt, meqë nuk i shërben aspak një bashkëjetese të mirëfilltë mes komuniteteve të këtij vendi.
“Me keqardhje dhe dhembje të thellë, sot, më 06.11.2015, në orët e mbrëmjes morëm lajmin se në qytetin Kriva Palanka, pas një proteste që është organizuar nga një grup banorësh ortodokso-maqedonas, me moton kundër Islamit dhe vendeve në të cilat kryhen ritet fetare, ku edhe janë dëgjuar akuza të rënda ndaj fesë islame dhe muslimanëve të këtij vendi, në fund e kanë demoluar të vetmin vend ku myslimanët falnin namazin e tyre,” thuhet në njoftimin e Myftinisë së BFI-së në Kumanovë.
Kriva Palanka është një qytet me rreth 15 mijë banorë, ku shumica absolute i përket besimit ortodoks. Në këtë qytet jetojnë rreth 600 pjesëtarë të komunitetit rom.
Parashtrohet pyetja se çka do thotë kryeministri në largim, Nikolla Gruevski, rreth tensioneve atje, kur kemi parasysh deklaratën e tij se kush do të tentojë ta destabilizojë Maqedoninë, do të marrë përgjigje si në Kumanovë. Eshtë dilemë ende në do të ndërhyjë shteti për t’i mbyllur rrugën shovinizmit fetar që po shfaqet hapur në këtë qytet të Maqedonisë. /tesheshi.com/