Nga Ylli Pata
I nderi Kurt Scrock, gazetari legjendar i Reuters-it i vrarë në Afrikë mbi 20 vjet më parë, i cili furnizoi botën me portretet e luftëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së, vizitoi një biçim spitali fushor në zonën e Shalës në vitin 1999 dhe pa kushtet e tmerrshme ku doktor Bajram Rexhepi i operonte pacientët e tij, shumica civilë që në trup kishin mbeturina predhash artilerie.
Një nga artikujt më të famshëm të tij ishte pikërisht për “Spitalin Partizan” që kirurgu Bajram Rexhepi menaxhonte si në tregimet socrealiste për Luftën e Dytë Botërore, ku mjekët sharronin me sharrë druri këmbët e gangrenizuara të “partizanëve trima”.
Natyrisht që nuk bëhej fjalë për marrëzira të tilla me sharrë druri, por kushtet e qendrës që kishte ngritur kirurgu nga Mitrovica, ishin vërtetë skandaloze.
Reportazhi i Kurt Schrock-ut e ktheu Bajram Rexhepin në njeriun më të njohur civil të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku pjesa më e madhe e drejtuesve të saj ishin përgjithësisht të rinj të futur në ushtri, pa një shkollim adapt për t’u përfshirë në politikën institucionale.
I lindur në Sohodoll të Mitrovicës e i shkolluar për mjekësi në Prishtinë, e më pas në Zagreb për kirurgji sëmundjesh të brendshme, doktor Rexhepi punoi në Spitalin e Mitrovicës deri në vitin 1990, kur e larguan si të padëshirueshëm.
Me çlirimin e Kosovës, Hashim Thaçi e emëron ish-mjekun e UÇK-së si Prefektin e parë të Mitrovicës, pikërisht në kulmin e ngjarjeve të mëdha ku qyteti u nda në dysh, e ku drejtuesi i tij jetonte pikërisht matanë Ibrit, fakt që mbeti një metaforë, jo vetëm politike për jetën e këtij politikani aspak të zakonshëm.
Bajram Rexhepi humbi zgjedhjet e para lokale në Mitrovicë(2001) duke ia lënë kolegut të tij të LDK-së drejtimin, për t’ja marrë pas 4 viteve; pasi Mitrovica është një nga qytetet e pakta të Kosovës që nuk prodhon bastione, por lëviz nga njëra anë në tjetrën.
Në vitin 2001, së bashku me kolegun Aleksandër Çipa shkojmë në Mitrovicë për një reportazh, ndërkohë që ndalojmë në selinë e PDK-së, ku ndodheshin edhe zyrrat e partive të tjera.
Një qoshe e ndotur që vinte era amoniak.
Dr.Rexhepi, me humorin e tij anglez ia pret se “i duhet politikës që ta ndjejë sa më afër popullin”.
Pezmi kryesor i tij ishte jo vetëm jeta e banorëve matanë Ibrit, por fati tashmë duket i vendosur i trojeve etnike që do të kishin fatin të mos e shijonin lirinë, që nga Boletini legjendar, Sohodolli apo lagja e Muhaxherëve.
“Askush nuk flet bre, a kemi strategji për njerëzit, tokat, brengat e atyre që jetojnë jo vetëm këtu matanë Ibrit, por edhe në Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan. E them jo vetëm për shqiptarët, por edhe për boshnjakët e serbët. Atje është një mafie e vërtetë që kërcënon jetën e tyre”, më thotë mjeku i ndjerë që pyetjes: “Doktor je i frikësuar ti kur shkon në shtëpinë tënde?”, ku iu përgjigj qartë: “Nuk guxon kush të më prekë mua, e as shumë të tjerë, por ka qindra e qindra që dhunohen për ditë. E përsëris nuk janë vetëm shqiptarë”.
Ishte vitit 2001. Një vit më pas, në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e para të lira pas çlirimit. Natyrisht i fitoi partia e Ibrahim Rugovës, ndërsa forca politike që doli nga UÇK, Partia Demokratike e Kosovës, zuri vendin e dytë.
Rugovës iu vu si kusht që të kishte një koalicion me PDK-në duke i dhënë kryeministrin. Dhe Presidenti i ndjerë, vuri veton për Hashim Thaçin: “Nuk e dua kryetar qeverie!”
I dhanë emrin e dytë: Po Bajram Rexhepin? “Me doktorin do të kisha kënaqësi të punoja”, shprehej kreu mitik i LDK-së, i cili vuri kështu themelin e parë të shtetit të Kosovës me një qeveri koalicioni që do të bashkonte armiqtë më të egër deri atëherë: pacifistët dhe militarët.
Dhe si në këngën e famshme të Gilit: “Le të puthen, demokratët-socialistët, militarët e pacifistët”, LDK qeverisi për bash 3 vjet me dy shtetarët e parë të Kosovës së lirë: Ibrahim Rugova – President, estet e studiues i letërsisë dhe Bajram Rexhepi – mjek kirurg dhe intelektual gjithashtu. Njëri nga bjeshkët e Rugovës dhe tjetri nga toka e Boletinëve.
Një metaforë politike që ngjiti për mrekulli. Ngjiti aq mirë, sa u duk se ishte gjetur edhe klasa politike ashtu dialektike pa nevojën e “komandantëve milionerë” që nga politika merrnin vesh vetëm pazaret.
Në atë kohë UNMIK-in e drejtonte Michale Steiner, diplomati gjerman që i njihte aq shumë shqiptarët, sa u dashurua edhe me një vajzë nga Kosova, me të cilën jeton edhe sot.
Por dikush e pa të rrezikshme këtë arkitekturë dhe solli rrëzimin e qeverisë “Rexhepi”, rrëzimin e koalicionit të madh PDK-LDK, i cili edhe pse sot e kësaj dite mallkohet, në çaste kyçe është vërtetuar se ka qenë më i miri për Kosovën.
Por në rastin e çiftit Rugova-Rexhepi natyrisht që ishte jo vetëm më i vyeri por edhe më i maturi.
Nga brenda LDK-së, Rugovën e shtynë ta prishë koalicionin e madh, ndoshta edhe nga zhvillimet e brendshme, ndoshta edhe nga padurimi i Ramush Haradinajt që i premtoi Rugovës, që do t’ja hiqte telashin e rritjes së vazhdueshme të PDK-së.
Por Ramushi jo vetëm që nuk ja hoqi, por që pas një viti e pësoi dhe vetë pasi nisi kalvarin e gjatë të Hagës.
Ibrahim Rugova prishi koalicionin e madh, duke emëruar Ramush Haradinajn – Kryeministër të Kosovës.
Pas kësaj dr.Bajrami u rikthye në Mitrovicë ku drejtoi komunën në dy mandate.
Por Hashim Thaçi nuk e la të piqej dhe të rritej politikisht dr. Rexhepi që ishte politikani që vinte veton në PDK. Ishte njeriu më i votuar pas Hashim Thaçit.
Ky e fundit e mori në krye të ministrisë së Brendshme, duke e ditur se nuk kishte figurë më të mirë institucionale se kirurgu nga Sohodolli, që të bashkonte pjesët brenda policisë së Kosovës dhe që mund të ndalte avancimin e serbëve në Veri.
Dhe Bajram Rexhepi ishte i pari Ministër i Brendshëm pas shpalljes së pavarësisë, që çoi forcat speciale dhe vuri kontrollin në pikat doganore të Zubin Patokut, Zveçanit e Leposaviçit. i tha Hashim Thaçit, por edhe ndërkombëtarëve që “nuk kthhehemi mbrapsht por sovraniteti i Kosovës është i vendosur njëherë e mirë. Tani radhën e ka Mitrovica”.
Por Thaçi iu lut që të tërhiqej, realisht iu lut siç kishte bërë Hashimi ndaj doktorit të cilin e kishte mik të afërt.
Dhe kirurgu-shtetar u tërhoq, por marrëdhënia e tyre nuk do të ishte më si më përpara.
Diçka u thye që po u provonte edhe në PDK ku mbi siluetën e madhe të Bajram Rexhepit po ngrihej hija e një nënkryetari që realisht kishte qëndruar në hije.
Ai është Kadri Veseli, ish-drejtuesi i SHIK, që reputacionin në luftë nuk e përballi kurrë në elektorat deri sa u zvetënua figura e Bajram Rexhepit, që nga të gjithë shikohej si njeriu që do të zëvendësonte Hashim Thaçin, madje mund të ishte ai si kandidaturë e mundshme për President i Republikës.
Dhe nëse do të ishte dr.Rexhepi, ka shumë gjasa që edhe Vetëvendosja e LDK nuk do ta kontestonin.
Edhe pse Bajram Rexhepi drejtoi shumë operacione kundër manifestuesve të Vetëvendosjes, sidomos atë të Dheut të Bardhë në vitin 2011, kurrë nuk u anatemua, pasi policia qëndroi profesionale dhe nuk kaloi kompetencat.
Sa ishte Bajram Rexhepi në krye të Ministrisë së Brendshme, asnjë eksponent i VV nuk u arrestua.
Dr.Rexhepi fliste pak, edhe kur e bëntë nuk kishte retorikë por vetëm fakte dhe argumente.
Ishte i ngjashëm në të kundërt me Ibrahim Rugovën. Ishte i ashpër, por kishte një stof institucional që ndoshta sot në Kosovë asnjëri nuk e ka.
Bajram Rexhepi u godit prej vitesh nga hemoragjia cerebrale, por në këtë kohë, ai vuajti në vetmi. Sikur u harrua jo thjesht nga shokët e luftës, të cilët ai i mjekoi me humanizëm e pasion në kulmin e tmerrit millosheviçian, por edhe nga shoqëria e Kosovës, apo edhe Mitrovica e tij, që duket se ka pranuar realitetin e ndarjes, jo thjesht fizike, pasi nuk ka burrë nënë që të ndajë shpirtrat njerëzorë, edhe pse ndërtohen mure e barrikada, por çështja është tek kujtesa institucionale, tek ndjenja e shtetformimit.
Por në të gjallë, askush nuk pati guxim ta përdorë doktorin i cili kurrë nuk hyri në logjikën e klaneve brenda PDK-së.
Ai ishte burri i shtetit që qeverisi i pari me Ibrahim Rugovën dhe realisht ishte alteregoja apo binjaku politik i tij. Siç duket ndaj nuk e deshën dhe i mënjanuan. Pasi politikisht ai i mudnte të gjithë.
Një fakt? Bajram Rexhepi ka qenë deputeti që ka marrë më shumë vota në të gjithë PDK-në pas Hashim Thaçit…/tesheshi.com/