Nga Bashkim Kastrati
Pas mbarimit të luftës në Kosovë shumë ndërmarrje kanë mbetur të pafunksionalizuara dhe disa prej tyre funksiononin me një kapacitet të vogël. Për këtë shkak u pa e arsyeshme që ato të privatizohen në mënyrë që të rimëkëmbën, të punësojnë qytetarët e Kosovës dhe të realizojnë prodhimtari, në mënyrë që të ndikojnë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.
Por kjo llogaritje nuk doli ashtu në praktikë. Shumë ndërmarrje që u privatizuan nuk u aktivizuan kurrë, ndërsa disa prej tyre dështuan për një kohë të shkurtër dhe shumë punëtorë mbetën të papunë. Pra procesi i privatizimit në vend se ta rriste numrin e të punësuarve, vetëm sa e ka zvogëluar atë. Ndërsa në anën tjetër pati shumë dyshime e akuza për favorizime në blerjen e ndërmarrjeve.
Procesi i privatizimit nuk solli ndonjë të mirë. Kjo duket më qartë kur kemi parasysh që një numër i madh i ndërmarrjeve nuk janë aktivizuar, sipërfaqe të tëra të privatizuara kanë mbetur djerrinë, janë shuar shumë vende të punës, pra nuk ka pasur gjenerim të punësimit dhe ndërmarrje të shumta nuk ekzistojnë fare.
Shumica e ndërmarrjeve të shituara janë privatizuar me metodën e quajtur “spin off” i rregullt, kurse ndërmarrjet që janë konsideruar më të mëdha, janë privatizuar me metodën e “spin-off”-it special. Te këto të fundit, privatizimi nuk lejon ndërrimin e destiminit të ndërmarrjes. Por, jo të gjitha kanë mundur tu përmbahen kontratave të nënshkruara më autoritet kompetente. Katër ndërmarrjeve u janë marrë aksionet dhe janë kthyer në pronësi të AKP-së.
Pra, ndër format më të dështuara të privatizimit ka qenë e ashtuquajtura privatizimi me “spin-off”-it special. Kjo formë e privatizimit ishte e shpejtë dhe nënkuptonte që blerësit të kushtëzohen për të investuar në ndërmarrjet që i kanë blerë si dhe të punësojnë një numër të caktuar të punëtorëve që iu përcaktohet me rastin e blerjes. Por pothuajse të gjitha ndërmarrjet e privatizuara në këtë mënyrë kanë dështuar pasi që blerësit nuk i kanë realizuar obligimet e tyre.
Se kjo formë e privatizimit ka dështuar e pati pranuar edhe ish-kryeshefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) Dino Asanaj, (tashmë e ndjerë pasi që ka vdekur si pasojë e 11 plagëve të thikës në trup, e që versioni zyrtar është se ai e ka vrarë vetën). Ai në komisionin për ekonomi të Kuvendit të Kosovës pati deklaruar se metoda e privatizimit me “spin off special” ka qenë e dështuar.
Privatizimi ka ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës
Lulzim Beqiri, magjistër i ekonomisë ka thënë për tesheshi.com se procesi i privatizimit në Kosovë vetëm sa e ka rënduar edhe më shumë papunësinë në Kosovë. Ai thotë se ky proces gjithashtu ka pasur edhe ndikime shumë negative në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Shumë kompani pasi janë privatizuar e kanë shuar aktivitetin e tyre dhe një pjesë kanë kaluar në vendet e rajonit duke prodhuar të njëjtat produkte dhe importuar në Kosovë, njëkohësisht duke i mbajtur peng ndërmarrjet e privatizuara’, thotë Beqiri.
Ai thotë se privatizimi dhe metoda që Kosova ka aplikuar nuk ka qenë adekuate dhe se do të duhej që blerësit e ri të kushtëzohen që t’i aktivizojnë këto ndërmarrje dhe nëse kish qenë nevoja të jepen falas blerësve, por duke i kushtëzuar me numrin e të punësuarve dhe riaktivizimin e tyre.
“Thjeshtë privatizimi në Kosovë ka dështuar, shumë kompani të shitura kanë falimentuar, të tjera janë në proces të falimentimit, madje ka problem edhe me shpërndarje të 20%-it, siç e kemi rastin e punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj”, theksoi Beqiri.
Kujtojmë që punëtorëve të Fabrikës së Tubave dhe çelikut janë duke bërë grevë për më shumë se 600 ditë me radhë dhe ende nuk kanë marrë përqindjen e tyre edhe pse kanë vendim të gjykatës në favor të tyre dhe kanë vendimin edhe të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila iu ka dhënë të drejtë atyre.
Ja sa ndërmarrje janë privatizuar deri më tani
Procesi i privatizimit në Kosovë ka filluar në vitin 2003 dhe deri më tani janë shitur 1290 asete të ndryshme të ndërmarrjeve shoqërore me një vlerë prej mbi 660 milionë euro. Por, edhe pas 13 vitesh, të pa shitura kanë mbetur edhe 1865 asete. Prej tyre, 1685 prona janë brenda territorit të Kosovës, kurse 180 prej tyre janë jashtë vendit. Numri më i madh i kontratave të nënshkruara është në Prishtinë (325 asete ), me një vlerë prej 250 milionë euro.
Sipas një raporti të publikuar nga Agjencia Kosovare të Privatizimit, gjatë këtij procesi numri më i madh i pronave të shitura, apo mbi 300 janë lokale, pasuar nga tokat bujqësore, kurse 143 janë fabrika.
Vlera më madhe e shitjeve është realizuar në vitin 2006, me mbi 178 milionë euro, kurse në vitin 2012, AKP-ja ka shitur numrin më të madh të pronave. Gjatë këtij viti janë realizuar 163 privatizime, që kanë pasur vlerë të përgjithshme rreth 40 milionë euro.
Sipas raportit në fjalë, në këtë proces 85 për qind të pronave të shitura janë blerë nga personat fizik dhe juridik nga Kosova, kurse 15 për qind nga qytetarët e shteteve të ndryshme te botës.
Në këtë kuadër prinë shteti i Greqisë. Ndërkaq, nëse ndahet nga përqindja e tërësishme, diaspora në këtë proces ka blerë rreth 9 për qind të aseteve, me 57 milionë euro.
Me fillimin e privatizimit në vitin 2003, ka filluar edhe procesi i kompensimit të punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore. Kompensimi parashihet të realizohet përmes të ashtuquajturit proces i shpërndarjes së 20 përqindëshit i cili bazohet në legjislacionin e përgatitur dhe të aprovuar në atë kohë nga Administrata e UNMIK-ut në Kosovë.
Sipas të dhënave të AKP-së, shuma e tërësishme e fondeve të 20 përqindëshit të shpërndara deri më tani është mbi 105 milionë euro, për më tepër se 43 mijë punëtorë të kualifikuar nga procesi i privatizimit. /tesheshi.com/