Princi i Uellsit, Charles, dyshohet se ka marrë miliona euro para në dorë gjatë takimeve të tij me ish-kryeministrin e Katarit, Sheikh Hamad bin Jassim bin Jaber al-Thani.
Paratë kapin shumën në total 3 milionë euro, të cilat trashëgimtari i fronit britanik i mori në një valixhe, qoftë edhe në një çantë pazari!
Raportohet se ai ia ka dorëzuar shumën ndihmësve të tij të cilët janë kujdesur që të gjitha paratë t’i transferojnë në një bamirësi, pasi i kanë numëruar me dorë.
Marrëveshjet u bënë në vitin 2015 gjatë takimeve kokë më kokë midis Charles dhe al-Thani në Clarence House, raportoi Sunday Times.
Gazeta britanike vë në dukje se nuk ka asnjë tregues se Charles ka vepruar në mënyrë të paligjshme duke ofruar diçka në këmbim të donacioneve. Megjithatë, episodi ngre disa pyetje mjaft të arsyeshme në lidhje me marrjen e donacioneve të mëdha nga një politikan dhe miliarder i huaj.
Al Thani konsiderohet si një nga njerëzit më të pasur në botë. Ai është cilësuar si “njeriu që bleu Londrën” pas investimeve të tij në kryeqytetin britanik dhe ndikimit të tij në fondin që menaxhon rezervën e Katarit. Ai gjithashtu zotëron Paris Saint-Germain.
Clarence House theksoi se “donacionet bamirëse të marra nga sheiku iu përcollën menjëherë një prej bamirësive të Princit, i cili kreu inspektimin e kërkuar dhe na siguroi se të gjitha procedurat e duhura ishin ndjekur”.