Xhamia e Plumbit në Vlorë, një monument unik i trashëgimisë fetare në qytetin e Pavarësisë, ishte ndër ato qindra godina që u përmbytën keqaz në fundjavë. Për këtë arsye, siç njofton Myftinia e atyshme, atë e vizitoi njeriu që drejton jetën katolike të Vlorës.
“Sot me datë 07.10.2024, Mon Signor Ciovanni, përfaqësues i Kishës Katolike Vlorë, vizitoi xhaminë e Plumbit ku u prit nga Myftiu i Vlorës Ardit Hoxhllaku. Mon Signor Ciovanni pasi shprehu keqardhjen për përmbytjen që ndodhi në këtë xhami, theksoi se ishte i gatshëm të kontribuojë për normalizimin e xhamisë në mënyrë që besimtarët të kenë mundësinë të kryejnë adhurimet e tyre.
Myftiu(Ardit Hoxhllaku) e falenderoi për vizitën dhe i shprehu mirënjohjen për gatishmërinë.
Myftiu ndër të tjera tha se shembulli më i bukur i harmonisë fetare tregohet pikërisht në rastet e vështira dhe vizita e sotme është pikërisht një dëshmi e kësaj harmonie”, thuhet nga Myftinia e Vlorës. /tesheshi.com/