Për presidentin Thaçi, zgjedhja e alfabetit latin në Kongresin e Manastirit 108 vjet më parë ishte një orientim kah Perëndimi. Kështu e ka komentuar ai themelimin e alfabetit shqip në të ngrysur të Perandorisë Otomane teksa ka dekoruar me titullin “Mirënjohje” mbi 100 personalitete nga Maqedonia për merita në çështjet shqiptare dhe kontributin e dhënë në kuadër të fqinjësisë së mirë.
Kreu i shtetit koosvar tha se ndihet krenar që këto dekorata ndahen në prag të përvjetorit të 108-të të themelimit të alfabetit të sotëm shqip në Kongresin e Manastirit.
“Sot jam i lumtur dhe i privilegjuar që gjendem në mesin tuaj. 108 vite më herët, shqiptarët ende duke mos qenë të pavarur, vendosën që t’i japin kombit një orientim të qartë politik, historik, kulturor e civilizues. Ata, duke përzgjedhur një alfabet latin, edhe pse ende pjesë e Perandorisë Osmane, vendosën që të jenë me Perëndimin.”
“Ishte kështu edhe 90 vite pas këtij kongresi, kur Kosova zgjodhi një rrugë të qartë, të dhimbshme, por edhe krenare duke luftuar për ruajtjen e ekzistencës së saj”, ka thënë presidenti Thaçi. /tesheshi.com/