Politikës kosovare i ka ardhur një tjetër apel për ta votuar Demarkacionin. Kësaj radhe nga një vend simotër prej ish-Jugosllavisë, Sllovenisë.
Presidenti slloven që vizitoi Prishtinën, Borut Pahor, gjatë një konference për shtyp me Presidentin Thaçi, e vuri theksin pikërisht tek çështja më e mprehtë e momentit, aty ku raportet mes Prishtinës dhe Brukselit, por dhe Uashingtonit, janë në ngërç.
“Kosova duhet ta ratifikojë Demarkacionin, dhe të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel. Në këtë mënyrë zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor do të ishte më i lehtë dhe suksesshëm”, ka thënë Pahor.
Gjithashtu, Pahor ka shprehur keqardhje që jo vendi i tij por Serbia, dominon tregun e Kosovës
“Sllovenia është investitor i rëndësishëm në Kosovë, por ende përfshirja e këmbimit të bizneseve është e vogël”, tha Pahor i cili paralajmëroi një vizitë të ministrit të Jashtëm slloven muajin e ardhshëm në Kosovë, së bashku me një shpurë biznesmenësh.
Nga ana e tij, Thaçi ka falenderuar Pahor për mbëshetjen e vendit të tij ndaj Kosovës, më kryesorja duke e njohur si shtet të pavarur.
Sllovenia është shteti i parë i shkëputur nga Jugosllavia, shteti më i pasur nga ish-hapësira jugosllave, por ende pa prezencë të fuqishme në tregun kosovar. /tesheshi.com/