Nga Vepror Hasani
Më 31 tetor 1914, grekët vunë si prefekt në Korçë një njeri të quajtur Llia Panana. Ai e shpalli që në fillim: nuk kishte ardhur të vriste e të priste ashtu siç kishin bërë të tjerët para tij. Jo, misioni i tij ishte qytetërimi i Korçës, përlindja e saj, ose siç i thonë greqisht – “anagjenisi”. Ata që do ta mbështesnin do të merrnin si shpërblim mësime balloje, dëfrim ahengjesh, lojëra bixhozi, para të madhe, të ngrëna e të pira pa hesap dhe qejf çdo natë deri në të gdhirë. Do të bënin edhe shumë gjëra të tjera të qytetëruara. Jeta e tyre do të ishte si një ëndërr. Prefekti Panana kishte edhe mbështetjen e kolonelit grek Kondulis. (Me vrasjet merrej ai). Të dy ishin njerëz të besuar të mbretit Kostandin. Kabineti i Venizelos nuk e pati jetën të gjatë.
“Si ra kabinet’ i Venizellos, i muar punërat publike të Greqisë në dorë Skuludhillarët, Gunarllarët dhe Ralillarët, të gjithë politikanë prej mendjes së vjetër, të cilët formuan atëherë kabinetin e pleqve. Këta të tre qeveritarë grekë, si e qelbnë më tërë anët me politikën e tyre prej mendjekëndezash, me tradhtorinë që i punuan së bashku me Kostandinë, e si e shpunë shtetin e tyre më një rrezik të madh, treguan edhe dëshirën të venë të bëjnë konak në shtëpin’ e priftit, (sikundër thonë), kur ata si qasin në fshat. … këta prokllamuan me gazeta dhe zyrtarisht, bashkimin e Epirit të Veriut me Greqinë, dhe kësilloj, në Korçë na kurdisnë tërë shërbimet publike njëlloj me shërbimet e Greqisë, dhe na dërguan dhe një prefekt të dëgjuar, zotin Llia Panane!” (Petro Harrizi, “Historia kronografike e Korçës”, f. 136)
Tashmë, prefektit Panana i duhej vetëm një sallon vallëzimi; asgjë më shumë. Mësimi i ballos dhe i qejfeve për mbështetësit e vet do të ishte arma e tij më e sofistikuar. Nuk do të linte njeri pa futur në valle. Kjo ishte ëndrra e tij. Gjetja në Korçë e një salloni të madh e të bukur nuk ishte e vështirë: hotele, restorante, kazino etj., ishin të shumta. Ekzistonte edhe biblioteka e shoqërisë “Dituria Shqip” e Orhan Pojanit. Mijëra libra u dogjën kur grekët hynë për herë të parë në Korçë. Tani ishte e zbrazët, mund të shfytëzohej për ballo, ku mund të vallëzohej krejt lirshëm.
Por jo, prefekti Panana dëshironte ta çelte sallonin e ballos “në shtëpinë e vet”, në ndërtesën e Prefekturës. Aty do t’i mblidhte të gjithë. Ata duhej të vinin tek ai, dhe jo ai të shkonte te ata. Kjo ishte e rëndësishme. Shpjegimin e mëtejshëm e jep Petro Harizi përmes ironisë:
“Ky prefekt i zgjuar dhe i qytetëruar shumë, posa erdhi në Korçë, le që tregoi dëshirën të ujdisë gjithë punërat e Korçës, por u përkujdes edhe të qytetëronj popullin. Pra, hapi sallon’ e Prefekturës, dha ballo dhe shumë koncerta të tjera, sikundër dhe lloj-lloj lodra me kartra, ose të tjera që të zgjonjë popullin e Korçës, të mos e lërë të paditur…”. (Po aty, Petro Harizi, “Historia Kronografike e Korçës”, f 136)
Prefekti Panana u ndje i lumturuar. Njerëzve që u pëlqente balloja nuk nguruan të vinin. Vërtet ishin pak, por Panana ishte i sigurtë; ata do të shtoheshin çdo ditë. Korça do të ishte një ballo e madhe. Natën e parë e gdhinë në ahengje dhe qejfe. Nuk u pritej sa të vinte nata e dytë. Si mund të rrinin pa shkuar përsëri atje! Prefekti i priste. Ai trishtohej nëse nuk i vinin miqtë. Vajtja në ballo u bë e përnatshme. Porosia e prefektit Panana ishte: “Sillni edhe të tjerë, ortodoks apo myslimanë qofshin!”.
“Tërë nëpunësit, tërë funksionarët e mëdhenj, sikundër edhe ca prej të zgjuarëve tanë aristokratë, mblidheshin natë për natë te zoti prefekt (Engarçon dhe en famille), ku mësonin savoir vivere (rregulla të mirësjelljes) të Evropës, d.m.th., si duhet të sillet dhe të rronjë njeriu në këtë botë. Kësilloj Prefektura tërë natën kish drita shumë, se atje “ngorthnin” kohën përfaqësonjësit e qeverisë greke me ca prej parësisë tonë. …në mëngjes, si gdhihej, iknin dhe vinin flinin. Flinin ca pak dhe pastaj vinin në zyrat që të shërbejnë të mjerin popull…”.(Petro Harizi, “Historia kronografike e Korçës”, f 137)
Prefekti i përcillte gjithnjë në të gdhirë. Adhuruesit e ballos, të quajtur ndryshe “grekomanë”, duhej të flinin të qetë. Kujdesi i prefektit nuk do t’u mungonte kurrë. Shpërblimi për ta ishte i veçantë. U ishte dhënë e drejta të çonin drejt Greqisë mall kontrabandë, drithëra e ç’të dëshironin. Mund të sillnin mallra edhe që andej. Kujt nuk i pëlqente balloja s’do ta kishte gjumin të qetë, do të kërrusej nga taksat e do të vdiste i pangrënë. Gjendja për banorët e Korçës rëndohej gjithnjë e më shumë:
Greqia ka kohë që vuri gjymbrykun (doganën) e Greqisë së vjetër dhe kështu i shtrenjtoi të tëra:
një kuti shpirto, (shkrepse), 1 grosh,
1 okë sheqer, 9 grosh,
gazi, 7 grosh,
mjelli, 6 grosh oka. …
Të dhjetat e Korçës dhe të fshatrave të saj u shitën aq shumë (shtrenjtë) sa nuk rrëfehet. U shitën me këtë kondicje: Qeveria e Greqisë kërkoi nga hambarxhinjtë dhe nga njerëz të tjerë të poshtër që të blejnë të dhjetat e këtij moti kaq shtrenjtë sa t’u kostojë multezimëve 100 grosh e lartë killo e bereqetit. (Gazeta “Koha”, 14 oktobër 1915)
Ndërsa balerinët e prefektit Panana shkonin për të fjetur, xhandarët ngriheshin nga gjumi. Që nga ardhja e Pananës ata kishin vetëm një detyrë: t’u vendosnin gjoba tregtarëve që s’vinin në ballo, t’i çonin në gjykatore për shkelje të ligjit, e të gjenin çdo mundësi tjetër për t’i zhvatur. Në ballot e prefektit derdhej paraja lumë. Shuma të mëdha të hollash përpiheshin nga kumari.
Gjykatësi i fajeve, “ky gjykonte tregtarët e Korçës. Ditë për ditë i shpinin nga ndonjë kilent horofillakët dhe ai i dënonte të gjithë; njërin me 60 franga gjobë sepse kur vajti horofillaku në dyqan, (që t’i kërkonjë ndonjë paqetë duhan peshqesh ose ndonjë kallëp sapun për të larë sytë), nuk ia dha. Me të shtirë sytë pa një peronë që kishte dalë përgjysmë nga dërrasa e dyshemesë dhe i bëri raportin, duke kërkuar dënimin e tij, meqë dyke lënë atë peronë ashtu, mund të çante këmbën ndonjëri! Tjetrin me 80 franga se baltën e sheqerit e kishte vënë në teneqe. Të squarit korofillakë grekë. Sheqeri ose balt’ e tij i cili përndan ose dëmton mikrobet (kur digjet më tepër), pas mendjes së bukur të tyre, përkundrazi i afron mikrobet! Tjatrin për ndonjë shkak të tillë edhe gjithënjë kështu për shkake që nuk qenë shkake… I mernin dhe nuk i lëshonin, dyke u thënë të venë të sjellin të hollat e gjobës, po i mbanin më një odë të veçantë porsi në burg që të mos iknin”. (Petro Harrizi, “Historia Kronografike e Korçës”, f.138)
Edhe shtypi pohonte të njëjtën situatë:
“Janë hapur tri lloj gjykataresh. Memurët dhe shkronjësit i dërguan nga Greqia, pasi zgjodhën gjithë katilët e litarit. Prej vendi (nga Korça) kanë marrë ndonjë të çalë dhe për të bërë terxhumanllëk tërë të tjerët, si në Gjykatore, edhe në Gjymbryk, edhe në Arkat, edhe në Polici, edhe në Postë, tërë janë rrjepacakët e Greqisë. Kanë ardhur këtu për të rrjepur botën (njerëzit). …Këtu në hyqymetet e grekut nuk vështrohet as e drejta, as e shtrembra, po vështrohet vetëm paraja dhe veprimi i këtyre do të mbetet historik në Korçë, ngaqë asnjë punë nuk vështrohet, vetëm para rrëmbehet”. (Gazeta “Koha”, 14 oktobër 1915)
Balloja vijonte me të njëjtën hare si më parë. Njerëz të përhershëm të saj, përveç prefektit, ishin: kolonel Konduli, qeveritarët grekë, oficerët e Greqisë dhe dhespot Gjermanos. Ai vinte bashkë me mbesën e tij, Anastasinë. Aty ajo gjente shoqërinë e grave të tjera. Në sallonin e ballos bëhej politika e madhe: caktohej kush do të bëhej deputet, kush prefekt e kush do të merrte poste të tjera. Pesë prej tyre u caktuan për të qenë deputetë në Parlamentin e Greqisë. Sa herë kishte oferta të tilla, balloja ndizej si zjarr. Hanin dhe pinin paratë e zhvatura të njerëzve. Dikush që nuk e dinte çfarë ndodhte në Korçë, kujtonte se bëhej dasmë. Korça vetëm psherëtinte. Për banorët e saj nuk kishte më ditë të gëzuara; as këngë, as valle; vetëm zi:
“Për ne vdiqën ato ditë të bukura që dinit (pa ardhur grekët). Në Korçë nuk vështron fytyrë të qeshur, nuk vështron dasma ose këngë si atëherë kur ishit ju në Korçë”. (Gazeta “Koha” botohej ne Jamestoun, N,Y, SHBA). (Gazeta “Koha”, 24 june 1915)
Megjithatë në ballo nuk erdhën njerëz të tjerë. Prefekti Panana nuk e shndërroi dot Korçën në ballo të madhe. Edhe kolonel Konduli mbeti i zhgënjyer. Ai u lut çdo të premte në xhami të Korçës bashkë me myslimanët, por edhe kjo gjë nuk i solli dobi.
“Koloneli vinte me mendjen që të mund t’i afronte myslimanët në qeverinë greke dhe në shtetin grek, t’i kandisë, d.m.th., që të duan Greqinë. Koloneli gënjehej shumë. Kurrë ndonjëherë, as myslimanët, as të krishterët nuk mund të harronin që janë shqiptarë, dhe të duan të bashkohen me Greqinë”. (Petro Harizi, Historia kronografike e Korçës”, f. 134)
Balloja e prefektit Panama do të kishte vijuar gjatë, por befas u mbërriti një lajm i keq: franczët po vinin drejt Korçës. Nuk pritën ta dëgjonin lajmin për herë të dytë. Mblodhën plaçkat:
“Gazeta e Korçës”, 1 dhjetor 1920 shkruan:
“Një javë më parë zunë të heqin ushtrinë nga kufijtë perëndimore në qytet. Shitnë tërë të ngrënat e ushtrisë, dërguan arshivat dhe çdo send me vleftë në Janinë dhe po prisnin me duar kryq francezët; kështu që kur erdhë këta dhe urdhëruan për të xbrazur Korçën, ata më 24 orë e sipër ngarkuan plaçkat që u kishin mbetur dhe me ushtrinë xhandarme përpara, muarë udhën e Kolonjës, (drejt) Janinës”.
Francezët mbërritën në mbrëmje, por ballo në sallonin e Prefekturës nuk do të kishte më.
Kronika e mësipërme vijon:
“Ishte dit’ e dielë, 22 tetor 1916, një dëborë kishte zbardhur tërë faqen e kazasë së Korçës, kur pasdarke hyri në Korçë ushtria franceze. Ishte i pari regjiment i kalorësve të gjatorëve të Afrikës, nën komandën e kolonel De Burnazel, i cili pasi zaptoi gjysmën e katundarisë, (Bashkisë së Korçës), dhe vuri karakoll atje, deklaroi që erdhi të shkelë Korçën në emër të kryekomandantit të ushtrisë aleate dhe urdhëroi komandarë dhe prefektin grek të Korçës të xbrazin qytetnë, dyke larguar ushtrinë, (të 42 regjiment grek), si dhe xhandarmërinë, mbretëroren” (të mbretit Kostandin). (Gazeta e Korçës, “Kujtime historike të Korçës”. 1 dhjetor 1920)
Grekët ikën për tërë natën, pa përshëndetuar as njerëzit e ballos. Ndoshta nuk u hynin më në punë. /tesheshi.com/