Nga Mensur Krasniqi
Në analizën e fundit të Komitetit të Helsinkit në kuadër të projektit për luftën kundër gjuhës së urrejtjes, thuhet që institucionet jo vetëm që nuk e dënojnë por as nuk luftojnë kundër gjuhës së urrejtjes; përkundrazi ata e nxisin edhe më shumë. Sipas kësaj analize, gjuha e urrejtjes merr hov më të madh gjatë fushatës parazgjedhore, ndërsa e promovojnë edhe vetë politikanët.
“Ekziston vetëdije e ulët te qytetarët se çfarë në fakt paraqet gjuha e urrejtjes. Për këtë qëllim ne kemi ndërmarr disa aktivitete për ta ngre vetëdijen te qytetarët, prokuroria publike ka qasje të dobët drejt gjuhës së urrejtjes, definimi ligjor është shumë i dobët dhe nuk ka efekt. Projekti përmban aktivitete që përmbajnë lobim për prevenimin e gjuhës së urrejtjes, si dhe rritjen e vetëdijes te qytetarët”, deklaroi koordinatorja e projektit Elena Brmbeska.
Sipas analizës, numri më i madh i ankesave për gjuhën e urrejtjes është nga aspekti etnik, religjioz dhe nacional, ku asnjë etnikum nuk kursehet me ç’rast ka edhe përleshje fizike.
Për sociologët është e palejueshme shfaqja e gjuhës së urrejtjes, mirëpo ajo po përdoret për faktin se mekanizmat shtetëror janë jofunksional.
Sociologja Rejhan Ramadani, përdorimin e gjuhës së urrejtjes nga kushdo qoftë e quan shumë të dëmshme për gjithë shoqërinë në përgjithësi.
“Sot është e mjaftueshme që dikujt t’i kujtohet edhe menjëherë ta shpall njeriun prostitutë, ta shpall njeriun matrapaz, narko-mafi, dinak, dhelpër e tjera. Përfundimisht kjo i bën dëm Maqedonisë ,ky vokabular dhe kjo qasje”, tha Ramadani.
Ramadani konsideron se jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në portale dhe media të ndryshme vërehet qartë gjuha e urrejtjes.
“Në atë kuptim mendoj se është mirë që të krijohen mekanizma mbrojtës të fjalës së lirë. Fjala e lirë, duhet të jetë fjalë e lirë jo fjalë denigruese, fjalë poshtëruese, fjalë që kërkon gjakë, që kërkon depërtimin e tjetrit. Do të thotë, të gjitha këto janë gjëra të hershme të cilat fatkeqësisht Maqedonisë po i ndodhin”, thotë ajo.
Sociologu tjetër, Ali Pajaziti, për portalin tesheshi.com thotë se gjuha e urrejtjes së të ndryshmit nga vetja dhe grigja vetjake (bashkëkombasit, bashkëfetarët) paraqet një fenomen universal që në përmasa shumë të gjallë është i shprehur edhe në Maqedoni, ku ligjërata politike, fjalori i prijësve të grupeve të ndryshme ngjall ndjenjën e animozitetit, mosdurimit.
“Rasti i fundit i aferës së përgjimeve ishte një shembull eklatant se si rangu më i lartë i politikanëve etnikë maqedonas përçmonin etnikume dhe bashkësi me një gjuhë denigruese sa s’bën. Shprehjet “indianë” për shqiptarët dhe “kapja për veshësh e romëve” janë të mjaftueshme për të parë këtë fotografi të papëlqyeshme. Mediat gjithashtu përhapin këtë gjuhë. Disa nga TV-të dhe gazetat në gjuhën maqedonase janë altoparlantë të diskursit të urrejtjes. Kjo ndjenjë dhe ky fjalor janë rezultat i klimës së përgjithshme ballkanike, ku në periudhën e ca dekadave është shfaqur ajo gjendja mitike “të gjithë kundër të gjithëve”, deklaroi sociologu Ali Pajaziti.
Ky fenomen sipas tij mund të evitohet me politikë racionale, me kulturë politike konstruktive, me etikë të socializuar masovikisht, me figura publike inkluzive, me distancim nga marritë e të marrëve të agorës” etj.
Derisa për gazetarin dhe analistin e njohur shqiptar, Shpëtim Nuredini, gjuha e urrejtjes është substrati i politikbërjes në Maqedoni që nga mëvetësimi i saj.
“Në dekadën e parë, vitet 1990-2000 gjuha e urrejtjes kryesisht përdorej nga politika dhe institucionet në kontekst etnik kundër shqiptarëve duke i etiketuar ata si: nacionalistë, shovenist, iredentistë dhe separatistë. Një qasje dhe një gjuhë e tillë armiqsore në vija etnike solli deri te konflikti i vitit 2001. Pas një përpjekje nën trysninë ndërkombëtare sikur pati një angazhim për pajtim ndëretnik, por kjo nuk zgjati më shumë se pesë vjet”, shprehet për tesheshi.com gazetari Shpëtim Nuredini.
Partitë politike të vetëdijshëm për realitetin në terren dhe mosdurimin ndëretnik por edhe në mungesë të ofertave të mirëfillta politike, fillojnë garën në baza etnike duke shfrytëzuar si mekanizëm gjuhën e urrejtjes.
“Mund të përmendim si rast fushatën në zgjedhjet e fundit kur VMRO DPMNE kërkonte nga etnia maqedonase vota për 62 deputetë që të sigurojë shumicën e domosdoshme për formimin e qeverisë që të mos mund ta kushtëzojnë shqiptarët. Gjuhës së urejtjes ndëretnike iu shtua edhe urejtja brenda etnike, poashtu nga politika, duke i ndarë qytetarët në patriotë dhe tradhëtarë. Tejkalimi i kësaj situate mund të ndodh vetëm pas maturimit të subjekteve politike, pas ndarjes së partive nga shteti dhe pas pavarësimit dhe profesionalizimit të mediave. Këto të fundit madje i japin jehonë gjuhës së urrejtjes pasi, kryesisht, janë dorë e zgjatur e ndonjë partie politike”, shtoi Shpëtim Nuredini.
Po ashtu, sipas Nuredinit, është për t`u theksuar se gjuha e urrejtjes po konstatohet nga disa organizata dhe institucione vetëm kohëve të fundit kur ka ardhë në shprehje gjuha e urrejtjes brendaetnike. Raportime të ngjashme nuk ka patur kur po kjo gjuhë përdorej për të nxirë shqiptarët në Maqedoni. /tesheshi.com/