Marianne, gruaja imponuese që përfaqëson Republikën Franceze, ngrihet sipër turmave, duke mbajtur në njërën dorë një degë ulliri dhe në tjetrën një libër ku shkruhet “ Të drejtat e njeriut”.
Simbolika, ndoshta nuk është më e përshtatshmja në këtë moment të historisë së Francës.
Poshtë statujës, në Sheshin e Republikës, qirinjtë dhe lulet qëndrojnë në nderim të viktimave, pas sulmeve që e kanë tronditur vendin deri në palcë. Përgjigja e ashpër e presidentit Francois Hollande mund të sugjerojë se ai do të donte ta shihte atë, Marianne-ën, duke mbajtur në dorë në vend të ullirit e librit, një pushkë automatike dhe një grusht ligjesh të reja.
Politika franceze është tashmë në një gjendje fluide. Sesi ai edhe të tjerë do t’i përgjigjen sfidës së jashtëzakonshme që imponin masakra e Parisit ka gjasa të diktojë mënyrën sesi Franca dhe ndoshta Europa, do të ndryshojë përgjatë muajve dhe viteve në vijim.
Atmosfera në Paris pas masakrës në revistën Charlie Hebdo dhe në supermarketin hebraik ishte ajo e një solidariteti me viktimat e targetuara.
Ndërsa sulmet e së premtes së 13 nëntorit kishin një tjetër kuptim. “Ne jemi të gjithë të targetuar”, është atmosfera e përgjithshme në këtë rast. Jo një deklaratë besimi, por një ndërgjegjësim për vunerabilitetin e situatës.
Eshtë pikërisht një moment kur njerëzit kthejnë sytë nga politikanët për zgjidhje.
Të kthesh sytë tek ky president? Hollande ka popullaritetin më të ulët sesa të gjithë presidentët francezë në çdo kohë. Në fillim të tetorit, një sondazh e nxirrte me vetëm 17 për qind pëlqim nga publiku.
Ai u rrit në një nivel “marramendës” prej 22 për qind pas përgjigjes së ashpër pas sulmeve mbi Charlie Hebdo. Një tjetër sondazh, më pas sugjeronte se jopopullariteti i tij po rritej.
Kështu që nuk është surprizë që nocioni i solidaritetit zgjati vetëm pak orë, ndërkohë që rivalët e tij u shfaqën të pakompromis.
Liderja e Frontit Nacional, Marine Le Pen pezulloi fushatën e zgjedhjeve rajonale, ku partia e saj pritet të marrë shumë vota në veri dhe jugperëndim, dhe apeloi që Franca të riarmatoset, të rimarrë kontrollin e kufijve të saj, dhe të shkatërrojë Islamin radikal.
Ish-presidenti Nicolas Sarkozy, lideri i partisë Republikane, apeloi për politikë të re emigracioni, përshkallëzim të sigurisë dhe politika të reja të jashtme. Kaq ishte uniteti kombëtar.
Nuk është e habitshme që presidenti, shpesh i portretizuar si një figurë e mefshët dhe e dobët, njoftoi një sërë masash drakoniane, duke përforcuar më shumë sesa qetësuar ndjesinë e një krize kombëtare.
Ai dëshiron të ndryshojë kushtetutën për të lejuar një gjendje emergjence të vazhdueshme, që aktualisht përshkruhet si shtetrrethim në fjalimet e tij, duke mundësuar që francezëve t’u hiqet nënshtetësia nëse mbajnë një të dytë dhe të dëbohen jashtë vendit nëse janë të dënuar për terrorizëm, duke mundësuar që policia të përdorë forcë vdekjeprurëse apo planet për rekrutimin e 5 mijë oficerëve të tjerë në polici.
Ndoshta, vendosmëria për të shkatërruar ISIS-in ka tejkaluar atë të largimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad nga pushteti. Nëse riafrimi me rusët ishte i planifikuar që më parë, situata e ka afruar presidentin rus, Vladimir Putin si partner. Por, nuk është gjithçka mirë, apo si të thuash “Rri i qetë dhe vazhdo përpara”.
Një vëzhgues i huaj do të thoshte: “Disa nga idetë, madje pjesa më e madhe e tyre, duket se vijnë nga platformat e partive europiane të krahut të djathtë, madje nga ato të ekstremit të djathtë”.
Ndjesia e emergjencës kombëtare është sigurisht plotësisht e justifikuar, por të kalërosh tigrin e krizës së pambarim, është një situatë e rrezikshme.
Disa mund të debatojnë e të thonë se kjo është pikërisht ajo që duan terroristët, ndërsa të tjerë që tashmë është vonë për një gjë të tillë.
Në të vërtetë, është ekzaktësisht çfarë thotë Le Pen. Ajo është shumë më e butë dhe e sofistikuar si politikane sesa i ati, duke mbuluar të shkuarën e partisë duke u shfaqur tepër me arsye.
Tonaliteti i saj, nuk është zemërim sa është trishtim: Jua kishim thënë.
Pas fjalimit të presidentit Hollande, ajo tha se shumë nga masat që ai paraqiti janë të mirëpritura dhe do të mbështeteshin nga Fronti Nacional.
Por, ajo vijoi duke thënë se Hollande sërish ka dalë në mbrojtje të kufijve që “rrjedhin si sitë”, duke u mbrojtur me mikpritjen ndaj refugjatëve dhe duke refuzuar të luftojë kundër Islamit radikal dhe multikulturalizmit.
Është shumë e vështirë të parashikohet sesi ky argument do të pritet në zgjedhjet e ardhshme. Por, ndjesia se sulmet priteshin prej kohësh, mund të bëjë shumë koka të pohojnë Frontin Nacional.
Në një intervistë, profesori Andrew Hussey, vuri në dukje se për arsye historike, pjesë të jugut në Francë janë shndërruar në bastione të Frontit Nacional dhe sulme të tjera mund të rrisin ndjesinë se Parisi është një vend tjetër, madje që terrorizmi është problem i kryeqytetit dhe është më mirë që të qëndrojë atje.
Po të përdorim frazat tipike, vetëm koha do të tregojë sesi vrasjet e tmerrshme të Parisit do të ndikojnë në zgjedhje, mirëpo ato kanë që tani një ndikim të jashtëzakonshëm në peisazhin politik. Presidenti jopopullor i krahut të majtë është hedhur djathtas me masa që variojnë nga ato populiste deri tek ato thjeshtë të vijës së ashpër.
Ai ka përthithur sugjerimet më të rëndësishme të dy rivalëve të tij kryesorë, që mund t’i neutralizojnë ata dhe të ndryshojnë imazhin e tij publik.
Republika Franceze, në disa nga personifikimet e saj, nuk është e huaj ndaj reagimeve autoritariste në momente kritike, por është më e vështirë këtu sesa në pjesën më të madhe të vendeve të tjera të parashikosh sesi ky reagim do të kënaqë humorin e publikut, të krijojë një dëshirë për masa akoma edhe më të forta, ose në të kundërt, të shihet si një sulm ndaj nocioneve të lirisë dhe vëllazërisë.
Përgatiti: Juli Prifti- /tesheshi.com/