Pas valës së tritolit, shoqëria shqiptare, kryesisht ajo e kryeqytetit, po ballafaqohet së fundi me një valë alarmesh fals për bombë. Vetëm sot u shënuan dy të tilla. Zakonisht bëhet fjalë për çanta të lëna në ambjente publike, që më pas shkaktojnë frikë dhe panik mes njerëzve, derisa vjen policia dhe konstaton se bëhet fjalë për alarme false.
Deri dje, alarmet false ishin karakteristikë e shkollave, ku ato bëheshin nga nxënës të tyre, o nga halli i ndonjë provimi o për gallatë moshe. Por që nga dita kur një shpërthim tritoli ndodhi në farmacinë e babait të minsitrit të Rendit, e një tjetër në atë shtëpinë e një shefi policie, këtu e dy muaj më parë, nisën të shfaqeshin dhe alarmet false, ku vetëm atë ditë pati dy raste.
Tashmë, policia është përballë një tjetre sfide profesionale, të gjejë se kush i frymëzon dhe i organizon praktika të tilla që kanë për qëllim mbajtjen nën terror të popullatës.
Nëse në rastin e tritolvënies, gjurmët e hetimeve duhet të ndiqnin dhe trafiqet e lëndës në fjalë, ose posedimin e saj nga persona të caktuar, përfshirë dhe montimet me celular, tashmë bëhet fjalë vetëm për persona që posedojnë vetëm idenë në kokë për të inskenuar alarme për bombë.
Po ashtu, edhe në qasjen politike ka një ndryshim: nëse për shpërthimet me tritol, opozita akuzonte mazhorancën se shkak i tyre janë bandat e qeverisë, për alarmet fals është e vështirë artikulimi i një akuze të ngjashme./tesheshi.com/