Të paktën 89 vetë vdiqën sepse pinë alkool helmues shtëpiak në shtetin verilindor të Assamit në Indi dhe rreth 200 të tjerë u shtruan në spital, tha një zyrtar qeveritar të shtunën.
Dy javë më parë, më shumë se 100 vetë vdiqën në Indinë veriore sepse pinë alkool toksik.
“Çdo 10 minuta ne marrim raporte për viktimat nga vende të ndryshme. Deri më tani, rreth 200 njerëz janë në spitale dhe shumë prej tyre janë në gjendje kritike”, tha Ministri i Shëndetësisë Biswa Sarma për Reuters në një bisedë telefonike.
“Mjekët nga rrethet e afërta dhe kolegë të tjerë po merren me këtë situatë kritike”, tha Sarma pasi vizitoi pacientët në Jorhat, rreth 300 kilometra në lindje të qendrës financiare shtetërore Guwahati.
Vdekjet nga alkooli i prodhuar ilegalisht janë të zakonshme në Indi, ku shumë njerëz nuk kanë para për ta blerë ligjërisht.
Besohet se dy incidentet e fundit ishin më vdekjeprurëse pas një rasti të ngjashëm në vitin 2011 në Bengalin perëndimor kur vdiqën 172 vetë.
Ndër ata që vdiqën nga alkooli helmues janë më shumë gra dhe punëtorë të plantacioneve që sapo kishin marrë pagat e tyre javore. /tesheshi.com/