Një status në Facebook i një eksponenti jo aq kryesor të NISMA-s së Fatmir Limajt, Haxhi Hoti, pështjelloi keq politikën dhe oponionin kosovar, ku shkroi se “Albin Kurti ika dy rrugë: Ose ta lëshojë Kosovën ose të vritet”.
“John F. Kennedy ishte interes i popullit amerikan që të jetë President, por nuk ishte interes i shtetit amerikan që të jetë President.
Albin Kurti është interes i popullit të Kosovës ndoshta, po nuk është interes i shtetit të Kosovës të jetë kryeministër.
“Albin Kurti ika dy rrugë: Ose ta lëshojë Kosovën ose të vritet”, ishin fjalët e Hotit, të cilat, në një moment delikat e të tendosur në të cilën ndodhet Kosova me në qendër Albin Kurtin, shkaktuan një furtunë të vërtetë. Kjo bëri që ai ta heq statusin, ta konsiderojë atë “gabim teknik”, e të fajësojë mediat që e morrën pa leje. Sigurisht kërkoi dhe falje në fund.
Gjithashtu, partia e tij u distancua menjëherë.
“Nisma ka anëtarë shumë dhe ne nuk mund të japim prononcim për secilin koment individual që e bëjnë anëtarët e saj. Normalisht që distancohemi nga ato komente. Personi në fjalë nuk është në strukturat drejtuese të partisë. Distancohemi nga çdo qëndrim individual i çdokujt që është në kundërshtim me parimet që i ka Nisma Socialdemokrate. Ju e dini si ka qenë dhe si është qasja e Nismës në raport me subjektet e tjera politike dhe liderët e tyre”, tha Endrit Shala, deputet i zgjedhur nga kjo parti.
Por Vetëvendosje vendosi t’i drejtohet drejtëisë.
“Pasi u sinjalizuam nga mediat për një kërcënim brutal drejtuar kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurtit, përfaqësuesi i zyrës ligjore të Lëvizjes, Berat Ganiqi, dorëzoi një kallëzim penal në stacionin policor “Qendër”, në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e VV-së.
“Ne nuk e dimë nëse ai kërcënim ka qenë i porositur, gjakftohtë, apo i nxitur nga kultura e urrejtjes ndaj Lëvizjes, e cila është kultivuar për vite me radhë nga subjektet e pushtetit, që janë pasuruar paligjshëm duke varfëruar Kosovën. Këto gjëra duhet t’i zbulojë policia e prokuroria”, tha Vetëvendosje në deklaratë. /tesheshi.com/