Nga Juli Prifti, Stamboll
Nuk ishte e vështirë të njihje vendin ku ushtarët e armatosur përballeshin me punonjësit në përpjekjen për të marrë në kontroll televizionin CNN Turk, ndërsa kaloje zonën e sigurisë pranë hollit të pritjes në këtë institucion. Videoja e kësaj përballjeje bëri xhiron e botës pas dështimit të përpjekjes për të marrë pushtetin nga ata që autoritetet thanë se rezultuan të ishin anëtarë të organizatës të klerikut në azil në SHBA, Fetullah Gulen. Ndërsa hyn në mjediset e CNN Turk ndjen sikur je brenda videos së asaj nate dramatike, kur shumë pak njerëz dinin me siguri se çfarë po ndodhte, por kur shumë prej tyre kryen detyrën sipas bindjes së secilit. Edhe gazetarët e CNN Turk janë të sigurtë se kanë bërë detyrën, edhe pse ashtu si shprehen edhe vetë “atë natë, ata u bënë vetë lajmi”.
Sulmi mbi televizion
Për redaktorin e lajmeve, Aliser Derek ngjarjet e asaj nate ishin të tmerrshme dhe të sikletshme. Askush nuk duhet të kalojë në eksperienca të tilla, në vendin e vet, thotë ai, duke zgjeruar pak për të pranishmit, përse ndihet edhe në siklet. “Në vitin 2016, të kemi situata të grushtit të shtetit, mendonim se i kishim lënë pas gjëra të tilla”, thekson Derek.
Ushtarët ishin të rinj, 19-20-vjeçarë dhe dukej se as vetë nuk po e kuptonin se përse ata kishin ardhur në televizion, por urdhëri që kishin marrë ishte mesa duket të mbyllnin sinjalin e CNN Turk. Gazetarët arritën të sigurojnë dhomën e kontrollit, që edhe nëse ushtarët arrinin ta gjenin, të mos kishin mundësi të fiknin sinjalin. Më pas, disa punonjës u përleshëm me ushtarët, pati dhe të shtëna armësh, nga të cilat televizioni ruan si “kujtim” një gëzhojë që i ra njërit prej punonjësve në prehër.
Befas videot e xhiruara të asaj nate u shpërndanë me shpejtësi për t’u transmetuar si pjesë e mbulimit të lajmit të grushtit të shtetit, nga mediat si në Turqi, por sidomos nga mediat ndërkombëtare. Vetë gazetarët u bënë lajm, që nga momenti i hyrjes së ushtarëve në godinë, përleshja me punonjësit, dhe më pas çasti më vendimtar, ai i apelit të presidentit Erdogan drejtuar popullit turk për të dalë në rrugë, e për të mbrojtur vendin nga grushti i shtetit, transmetuar përmes CNN Turk.
Nëse apeli i presidentit ishte momenti që shpëtoi vendin, a mund të konsiderohet se media natën e 15 korrikut shpëtoi Turqinë? Në fakt, gazetarët mundohen të jenë modestë e të shprehin ashtu si dhe shumë institucione të tjera turke se ishin njerëzit ata që e shpëtuan Turqinë, të cilët kishin dalë në rrugë edhe para se presidenti Erdogan të apelonte në televizion për një gjë të tillë.
“U kënaqëm shumë kur mësuam që presidenti na kishte kërkuar të dilnim në rrugë”, thotë mes të tjerash një nga njerëzit që u plagos natën e 15 korrikut, në urën e Bosforit në Stamboll, intervistuar nga gazetarët.
Si erdhi apeli i Erdogan
Gjithçka ishte një e panjohur e madhe në orët e para të grushtit të shtetit në Turqi, madje edhe vetë gazetarët ishin duke ndjekur “fjalët” në rrjetet sociale për të kuptuar situatën, kush kishte sulmuar, ku ishte qeveria, çfarë po bënte presidenti. Sipas disa postimeve, kishte pasur përpjekje për të arrestuar presidentin Erdogan, në disa të tjera ai ishte arrestuar, ishte sulmuar pallati presidencial e kështu më radhë. Vetë presidenti kishte kohë që nuk kishte dalë në publik e media për të dhënë ndonjë deklaratë.
Një nga moderatoret kryesore të lajmeve në CNN Turk, Hande Firat ndërsa ishte në studio, e merrte vazhdimisht në telefon presidentin për të pasur një zë prej tij, por nuk po arrinte ta kapte. Pas shumë përpjekjesh, presidenti del në Facetime duke e kapur në befasi gazetaren e cila po bërtiste me të madhe që ta nxirrnin në transmetim pasi kishte live presidentin. Edhe pse teknikisht nuk u arrit, apeli i presidentit kaloi tek populli përmes telefonit të gazetares së CNN Turk, një imazh që ka hyrë tashmë në historinë e natës së 15 korrikut. Redaktori i lajmeve në CNN Turk, Aliser Derek tregon sesi ishin përpjekur ta fusnin presidentin në transmetim, përpjekje që kishte dështuar nga ana teknike, por që gazetarja e kishte mbuluar krejtësisht me transmetimin e saj direkt duke mbajtur në dorë telefonin prej nga presidenti iu drejtua popullit.
Vendimi editorial dhe pavarësia e medias
Media turke, jo vetëm ajo publike si televizioni TRT, por edhe ajo private siç është edhe CNN Turk, e përcolli lajmin e grushtit të shtetit të organizuar nga mbështetësit e Fetullah Gulen, të cilin e cilësuan kreun e një organizate terroriste, sipas përcaktimit të dhënë nga qeveria. Media perëndimore dhe një pjesë e mirë e medias në vendet e Ballkanit e cilësojnë Gulenin si kleriku në azil, apo lider shpirtëror. Një gjë e tillë duket e papranueshme për qeverinë turke, e cila këmbëngul duke dhënë si provë dëshminë e pjesëmarrësve në grushtin e shtetit se komploti u organizua nga FETO.
I pyetur se përse CNN Turk përshtati emrin “organizatë terroriste” që në nisje të grushtit të shtetit, duke marrë për bazë të dhënat e qeverisë, redaktori Aliser Derek thotë se ky ishte një vendim editorial. Një vendim, sipas tij, i marrë ndoshta në të gjitha redaksitë e medias amerikane pas sulmeve të 11 shtatorit.
“Askush në Amerikë nuk vuri në dyshim se al Kaeda ishte një organizatë terroriste e askush nuk vrapoi menjëherë pas sulmeve të merrte versionin e tyre të historisë përse vendosën të vrasin aq shumë njerëz”, thotë Aliser Derek duke arsyetuar linjën editoriale të CNN Turk për të mbrojtur parimin se shteti nuk mund të merret me dhunë. Në lidhje me arrestimin e gazetarëve, që ka sjellë kritika ndaj qeverisë turke, ai duket se ka një mendim të vetin. Gazetarët nuk duhet të jenë në burg, por ata si gjithkush tjetër mund të jenë subjekte të hetimit, pasi shumë mirë mund të fshihesh nën profesionin e gazetarit dhe të punosh për një organizatë terroriste. Po kush e përcakton nëse je gazetar apo je duke punuar si gazetar për qëllime të tjera? Deri më tani, nuk ekziston asgjë tjetër përvec gjykatës që mund ta ndajë këtë dilemë. Por zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme, e bën të pamundur që gazetarët të lirohen dhe të gjykohen në gjendje të lirë, sikundër e bën të pamundur dhe për CNN Turk të shkojë përtej linjës editoriale. Për momentin, informacioni kontrollohet nga gjendja e jashtëzakonshme, në favor të sigurisë kombëtare.
Megjithatë, puna e gazetarëve nuk ka mbaruar aty. Ashtu si ndodh pothuajse gjithmonë, me kalimin e kohës, emocionet zhduken për t’ia lënë vendin thjesht së vërtetës. /tesheshi.com/