Ekrem Buğra Ekinci
Përgjatë historisë së saj, jo vetëm muslimanë, por gjithashtu jomuslimanë dhe grupe të ekspozuara ndaj diskriminimit për shkak të fesë, etnicitetit, apo mënyrës së tyre të jetesës, u drejtuan për të gjetur strehë në Perandorinë Otomane. Në vijim, ata u pritën krahëhapur nga shoqëria otomane.
Sot njerëzit po garojnë me njëri-tjetrin për t’u bërë qytetarë amerikanë. Një herë e një kohë, të qenit nënshtetas otoman ishte gjithashtu e vlerësuar. Të qenit otoman ishte shpëtim për të shtypurit për shkak të besimit, racës dhe traditave të tyre.
Kriteri i qenies nënshtetas në një perandori nuk tregon ngjashmëri me ato në shtetet-kombe, ku raca apo etniciteti është shpesh mbizotërues, e të tjerët janë parë si pakica. Pavarësisht etnicitetit dhe fesë së tyre, banorët janë konsideruar bijtë e perandorit. Ngjashëm me një baba që nuk bën dallim midis fëmijëve të vet, nënshtetasit e një perandorie janë të barabartë përpara ligjit. Disa mund të jenë më të barabartë se të tjerët, por kjo nuk e prish normën e përgjithshme.
Shteti otoman nuk ishte një shtet-komb; ishte një perandori gjithnjë më e përparuar se shtetet e kohës në lidhje me perceptimin mbi nënshtetasit dhe të drejtat e pakicës. Nënshtetasit otomanë vinin nga të shkuara të ndryshme fetare, por ata ishin të barabartë para ligjit. Kjo e drejtë nuk u ishte dhënë asokohe atyre jashtë grupit mbizotërues kudo në botë. Ishin muslimanë apo jo, të gjithë njerëzit të cilët e njihnin sovranitetin e Perandorisë Otomane ishin nënshtetas të saj. Në kthim, pritej që shteti t’i mbronte njerëzit. Kur muslimanët që jetonin në vende të tjera dëshironin të shpërnguleshin për në Perandorinë Otomane, të cilën e shihnin si daru’l-Islam-in (vendin e Islamit, ku muslimanët gëzojnë paqe dhe siguri brenda vendit nën sundimin islam), perandoria ndjehej vetë përgjegjëse për t’i lejuar emigrantët të bëheshin nënshtetas. Pa marrë parasysh se në cilin vend po jetonin, Perandoria Otomane i trajtonte muslimanët e botës si nënshtetas të saj.
Pas pushtimit rus të Krimesë më 1784, e të Kaukazit më 1864, muslimanët që jetonin në këto rajone emigruan për në Anadoll o me anije, o me rrugë tokësore. Mijëra prej tyre vdiqën gjatë udhës. Muslimanët që qenë në gjendje ta çonin në fund udhëtimin drejt perandorisë, të cilën e shihnin si vatan të tyre, u vendosën në fshatrat dhe qytetet ku vunë këmbët. Kur sundimi otoman u zmbraps në Europën Qendrore dhe në Ballkan nga fundi i shekullit të 17-të, muslimanët lëvizën në grup drejt Anadollit, dhe gjetën strehim atje. Kjo shpërngulje e madhe, e kjo valë refugjatësh, vazhdoi deri pak para rënies së Perdes së Hekurt.
Përgjatë historisë, jo vetëm muslimanë, por gjithashtu jomuslimanë dhe grupe të ekspozuara ndaj diskriminimit për shkak të fesë, etnicitetit, apo mënyrës së tyre të jetesës, u drejtuan për të gjetur strehë në Perandorinë Otomane. Ata u pritën ngrohtë nga shoqëria otomane, që kishte një kulturë mjaft të ndryshme. Po ashtu, ata patën mundësinë ta vazhdonin jetën e tyre si të dëshironin, pa frikë. Qeveria otomane u dha leje refugjatëve jomuslimanë të bëhen nënshtetas, pa pritur asgjë në shkëmbim. Kjo ndodhi sepse traditat e Oguzit (Oğuz Han-it, perandorit legjendar turk që pranohet si parardhësi i dinastisë otomane në periudhën paraislame), një prej bazave të kulturës otomane, urdhëronin që të priteshin miqtë dhe të mos i dorëzoheshin armikut të tyre, kushdo që të ishin. Pati shumë prej të zotëve të shtëpive që do të merrnin armët e do të bënin roje tërë natën rreth banesës së tyre për t’i ruajtur miqtë. Perandoria Otomane kishte shkuar aq larg, sa kishte marrë në sy rrezikun e luftës për këtë shkak. Parime të ngjashme ekzistojnë dhe në kulturën islame.
Në fillim të shekullit të 15-të, Kara Jusufi, sulltani i shtetit të Karakojunllusë, që sundonte atë çka është tani Iraku, Irani veriperëndimor, Turqia lindore, Azerbajxhani e Armenia, dhe sulltani i Irakut e i Azerbajxhanit jugor, Ahmed Xhelajiri, i ikën që të dy Timurit (Timurlengut) dhe gjetën strehë te sulltani otoman, Bajaziti I. Timuri i shkroi një letër, për t’i kthyer ata. Bajaziti nuk e pranoi kërkesën, që do të thoshte se ai e mori në sy rrezikun për të luftuar kundër ushtrisë më të madhe të botës. Duke jetuar për nderin e tij, Bajaziti u mund, humbi fronin dhe një pjesë të vendit të vet.
Dhjetëra mijëra hebrenj që jetonin në Spanjë u persekutuan nga kristianët pushtues pasi vendi ishte për tetë shekuj nën sundimin musliman, dhe u shtrënguan të zgjidhnin ose konvertimin në Krishterim, ose vdekjen. Thuajse të tërë ata gjetën strehë në Perandorinë Otomane nga viti 1492. Anijet otomane lëvizën sa andej-këtej mes brigjeve spanjolle dhe otomane për t’i mbartur. Refugjatët u vendosën në qytetet-porte të pasura, si në Stamboll, Izmir e Selanik. Më tej akoma, Stambolli u përmend për vite me radhë si qyteti me numrin më të lartë të hebrenjve në botë. Librat mbi historinë hebreje thonë shkoqur se Perandoria Otomane ishte vendi ku hebrenjtë nën presion u pranuan si refugjatë më së shumti, e ku ata jetuan pa u trazuar.
Kur Elkas Mirza, i cili ngriti krye kundër të vëllait, Tahmaspi I, shahut persian, u mund, ai gjeti strehim bashkë me shoqëruesit e tij më 1547 te sulltan Sulejmani, i Madhërishmi. Ndonëse e kritikoi sulltanin për politikën e tij mbi Perandorinë Persiane, ai u prit në pallatin otoman me një protokoll të nivelit të lartë. Disa shtetarë otomanë e kundërshtuan qëndrimin e sulltanit ndaj princit, por Sulejmani dha këtë përgjigje: “Ne bëjmë atë që kërkon emri dhe dinjiteti i perandorisë.” Gjatë sundimit të tij pati shumë refugjatë që gjetën strehë në Perandorinë Otomane për shkak të dallimeve sektare, dhe jetesa e tyre u sigurua nga perandoria.
Me shfaqjen e Kishës Unitariane në Itali, e cila e mohon trininë, unitarianët u detyruan të merrnin arratinë për në Europën Lindore, për shkak të presionit nga kristianët e tjerë. Princi Sigismund Batori i Transilvanisë, një nënshtetas i Perandorisë Otomane, e mohoi gjithashtu trininë. Kjo ngaqë kristianët kundër trinisë gjetën strehim atje për ta vazhduar jetën e tyre. Po ashtu, prifti sicilian, Sozzini, i cili shkruajti një libër që e mohonte trininë, ia mbathi në 1577-n për në Kluzh-Napoka, të njohur në hungarisht si Kolozsvar.
Mbreti Karli XII i Suedisë gjeti strehë në Perandorinë Otomane pasi u mposht nga rusët në Poltava. Ai jetoi në qytetin e Benderit nga viti 1709 gjer në vitin 1714, brenda kufijve europianë të Perandorisë Otomane. Një paralajmërim i një ambasadori rus për dorëzimin e menjëhershëm të mbretit Rusisë nuk u mor në konsideratë. Për më tepër, qeveria otomane hyri në luftë për këtë arsye me Pjetrin e Madh, carin rus. Mbreti nuk u kthye në vendin e tij edhe pasi otomanët e fituan luftën. Shpenzimet e mbretit dhe të shpurës së tij prej 600 personash u mbuluan nga qeveria otomane. Mbretit iu ofrua gjithashtu ndihmë kur ai u kthye në vendin e tij shumë kohë pas vendosjes së paqes.
Rusët e kundërshtuan ashpër në shekullin e 18-të ndalimin e mjekrave nga Pjetri i Madh. Mjekrat ishin simbol i qenies një anëtar i devotshëm i Kishës Ortodokse. Por cari i marrë nuk tregoi mëshirë për askënd, dhe nuk nguroi ta vrasë edhe të birin. Në fund, ata të cilët nuk deshën ta rruanin mjekrën e tyre do ta linin Rusinë. Për këtë arsye, kazakët gjetën strehim në Perandorinë Otomane, dhe u vendosën në qendrën e banimit Manjas të Ballëkesirit. Molokanët, të ndarë nga rusët ortodoksë për disa besime, si bërja e shenjës së kryqit me tre gishta dhe pirja e qumështit në ditë të caktuara të kreshmëve, u strehuan në Kars, në qytetin kufitar të Perandorisë Otomane. Një pjesë e mirë e kazakëve dhe molokanëve u kthyen në Rusi së fundi pas ftesës së qeverisë ruse.
Sido që Rusia ofroi para dhe toka për çdo kristian që emigronte nga Anadolli në shekullin e 19-të, njerëzit e shpërngulur për në Rusi dukeshin mjaft të papërfillshëm krahasuar me ata që kishin mërguar nga Rusia për në Anadoll. Patriotët hungarezë dhe polakë të cilët u mundën në luftën e tyre për pavarësi pas revolucioneve të 1848-s ikën nga perandoritë austriake dhe ruse, dhe zunë vend në tokën otomane. Edhe pse këta refugjatë e vendosën qeverinë otomane, Portën e Lartë, në një pozitë politike shumë kritike, shteti nuk qe i prirur t’i kthente këta refugjatë me çdo çmim. Ky qëndrim u çmua lart nga Britania dhe Franca, të dhënë pas nocionit të pavarësisë. Disa prej refugjatëve u kthyen në Islam, dhe filluan t’i shërbejnë qeverisë otomane. Mes tyre kishte shumë ushtarë e shtetarë me emër që patën rol në procesin e modernizimit otoman. Polonezkoji, një fshat i vogël pranë Stambollit, e mori emrin nga refugjatët polakë që gjetën strehë në Perandorinë Otomane.
Pas revolucionit rus të vitit 1917 shpërtheu një luftë civile mes mbështetësve të carit dhe komunistëve. Kur Ushtria e Bardhë cariste e humbi luftën, rusët antikomunistë gjetën strehim në Perandorinë Otomane, që po vuante prej andrallave të mëdha për arsye të Luftës së Parë Botërore. Pothuajse 200.000 refugjatë u mbartën me anije mes viteve 1917 dhe 1921. Të vendosur në Stamboll dhe në Çanakala, këta refugjatë jetuan me mbështetjen e qeverisë otomane, të civilëve, e të forcave aleate që po e zaptonin Stambollin. Ata fillimisht u vendosën në kampe refugjatësh, të ngritura në toka të lira, e më pas u sistemuan nëpër ndërtesa dhe shtëpi të ndryshme. Ditën e tyre e mbushën punë të vogla, e shumica morën më vonë rrugën e emigrimit për në Europë dhe në Amerikën e Jugut. Ca nga ata qëndruan përherë në Turqi. Më tutje, këtë herë një udhëheqës komunist, Trocki, i dëbuar nga Stalini, gjeti strehë në Turqi në vitin 1929, e për njëfarë kohe jetoi në Stamboll.
Përktheu: Bujar M. Hoxha