Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Patrick Ryder tha se vdekja e themeluesit të Wagner, Yevgeny Prigozhin, është në thelb fundi i grupit paraushtarak.
Gazetarët i kujtuan Ryder-it pretendimet e bëra vitin e kaluar se Koreja e Veriut i kishte shitur armë Wagner-it dhe e pyetën nëse ai besonte se marrëveshja e armëve midis Koresë së Veriut dhe Wagner-it kishte përfunduar.
Dhe Ryder, duke kujtuar vdekjen e Prigozhinit, tha: “Kjo ka të bëjë me përfundimin e grupit Wagner në thelb. Prandaj mund të them se nuk ka negociata”.
Duke vënë në dukje se Wagner ishte për një kohë faktori më me ndikim në terren në luftën ruso-ukrainase, Ryder shtoi: “Rusia po përpiqet të blejë municion dhe armë nga regjimet tiranike si Irani dhe Koreja e Veriut”.
Ryder përsëriti thirrjen e tij drejtuar Koresë së Veriut që të mos i japë Rusisë armë.
Grupi Wagner luftoi për Rusinë në luftën në Ukrainë, por themeluesi i tij Prigozhin ishte njëkohësisht kritik ndaj zyrtarëve ushtarakë në Moskë dhe udhëhoqi një rebelim të shkurtër në fund të qershorit.
Kremlini hodhi poshtë “gënjeshtrën absolute” se Prigozhin u vra me urdhër të presidentit rus Vladimir Putin, por njoftoi se hetimi për rrëzimin e avionit po synon edhe mundësinë e rrëzimit të qëllimshëm të avionit.
Prigozhin u varros të martën në vendlindjen e tij në Shën Petersburg, pasi avioni në të cilin ndodhej u rrëzua në fund të gushtit duke u nisur nga Moska. /tesheshi.com/