PD kërkon që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të mos përdor standard të dyfishtë në rastin e drejtueses së Krimeve të Rënda, Donika Prela.
Sipas Sekretarit për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata, rasti i znj.Prela po vë në dyshim procesin e vettingut.
“Ne kemi dosjen e Donika Prelës që është çuar në Vetting. Kemi disa raste që duhen hetuar me seriozitet që KPK të mos bjerë në atë që quhet standard i dyfishtë. Duke filluar me rastin e një apartamenti që zonja Donika Prela ka marrë në rrugën “Tefta Tashko Koço” te një kompani administratori i së cilës është nën hetim nga Prokuroria të cilën ajo drejton. Prokurorja e Krimeve të Rënda ka marrë një apartament. Çmimi i apartamentit të Prelës, është shumë më i lirë se sa çmimit të tregut ku shumica e apartamenteve shkojnë nga 200 deri 250 mijë euro nga çmimi me të cilën Donika Prela ka blerë apartamentin e saj. A hetohet në këtë rast për kontrata fiktive, për pastrim parash? E ka detyrim organi i Prokurorisë së Krimeve të rënda ta marrë nën hetim. E rëndësishme është dhe procesi gjyqësor që bashkëshorti i saj ka hapur me kompaninë ku ka punuar, ‘Bruçi’, për mospagim sigurimesh. Instituacioni i vettingut duhet të heq dorë nga standardi i dyfishtë i hetimit”, tha Gjata. /tesheshi.com/