PD ka vënë së fundi nën akuzë dhe shkollën e Magjistraturës. Sipas deputetit Strazimiri, tek vendimarrja e kësaj shkollë prej nga ku dalin kontigjentet e drejtësisë, ka ndikim vetë Edi Rama.
Me një gjuhë të ashpër, demokrati Strazimiri e ka quajtur kamikaz dhe një prej njerëzve më me integritet në drejtësinë shqiptare, Sokol Sadushin, kreun e Magjistraturës, por pa i përmendur emrin. Dhe kjo ndodh ndërsa ky i fundit ka shprehur ankesa mbi disa ngërçe të kësaj shkolle në nxjerrjen e kuadrove, adresuar dhe qeverisë.
“Shkolla e Magjistraturës është vënë në shërbimin politik të Edi Ramës për të ndikuar vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke rrëzuar një nga shtyllat kryesore të reformës në drejtësi.
Në kundërshtim me ligjin e vettingut, Shkolla e Magjistraturës ka zhvilluar testimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit në fshehtësi të plotë, pa transparencë dhe pa asnjë njoftim publik.
Ky proces i drejtuar nga kamikazi i Edi Ramës në Shkollën e Magjistraturës është jetik për të ardhmen e sistemit dhe mungesa e transparencës është shenjë e qartë se po zbatohet projekti i Edi Ramës për kapjen e drejtësisë përmes emërimeve të reja”, u tha ndër të tjera në deklaratën e Strazimirit. /tesheshi.com/