Nga Vepror Hasani
Pazari i Korçës? Mrekulli të shëtisje rrugicave të kalldrëmta të tij. Ishte më i bukuri. I tillë është edhe sot edhe pse i përgjysmuar. Arkitekt i tij ishte themeluesi i qyteti të Korçës, Iljaz bej Mirahori. Në fillim dyqanet ishin prej druri, kryesisht njëkatëshe; më vonë u bënë prej guri, me dy kate, shumica me bodrum, me vitrina të mëdha me qepena dërrase, kapur me tiranda (shirita) hekuri. Kati i parë përdorej për tregtim, i dyti për depozitim, prodhim ose për zyra. Sheshi qendror zbukurohej nga shatërvani. Është edhe sot. Aty pinin ujë karvanet e qiraxhinjve që niseshin për udhë. Ujë të bollshëm kishin të gjitha hanet. Të vendosur rreth sheshit të madh, krijonin një gjysmë hëne. Pazari i Korçës njihej si depoja e Stambollit dhe Selanikut. Aty gjeje gjithçka që nga rrobat e shtrenjta, stolitë e arta e deri te armët e zbukuruara me finesë. Për gati një shekull u bë furnitorja e ushtrisë së Ali Pashë Tepelenës, e viseve të Veriut dhe të Juglindjes. Ishte pazari më i begatë i vendit. Dyqanet, hanet dhe zejtaria zinin vend në qendër; pastaj vinte Bezisteni, Pazari i Grave, Pazari i Bulmetit, Pazari i Peshkut, Pazari i Bagëtive, Kasaphana, Pazari i Drithit dhe në fund Pazari i kafshëve të samarit. Në krye të pazarit ngrihet Xhamia e Iljaz bej Mirahorit, ndërtuar më 1496 dhe kulla e sahatit, tashmë e rindërtuar ashtu siç kishte qenë dikur.
II
Edit Durham pas vizitës që pati në qytetin e Korçës më 1904, shkroi: Korça “…qyteti më i pastër që kam parë në Perandorinë Turke…” (Edit Durham , “Brenga e Ballkanit”).
Urbanisti Pirro Thomo vlerëson strukturën e Pazarit: “…një rregullsi thuajse gjeometrike…” ( Pirro Thomo, Korça, urbanistika dhe arkitektura, f. 212)
Karmici ndalet te bukuria: “Pazari i Korçës ka rrugë të drejta dhe është vërtet i vogël, por është më i bukur se Pazari i Bitolit”. (Karmici, Gjeografia e Korçës dhe e rrethit, f.12). “
Nuçi Naçi, pas rindërtimit të pazarit prej djegieve, çmon begatinë: “Sot tregu është i ndërtuar, i bukur, dhe ka afro 900 dyqane. Si nga bukuria ashtu edhe nga begatia Korça ka tregun e shkallës së parë në gjithë Shqipërinë e sotme”. Nuçi Naçi, Korça dhe katundet e qarkut, fq 45 – 46).
Konsulli i Austrisë në Janinë, albanaologu Han shihte përparësinë e vendndodhjes së Pazarit të Korçës: “Pozita e saj ku kryqëzohen shumë rrugë kryesore, është shumë e përshtatshme për tregtinë…”. (Piro Thomo. Korça, urbanistika dhe arkitektura, f. 34).
III
Si mundi Pazari i Korçës të bëhej kaq i famshëm? Themeluesi i qytetit, Iljaz bej Mirahori, mori nga Pazari i Mborjes 26 familje myslimane, zanatçinj, dhe i solli në Pazarin e Korçës. Ata u bënë banorët dhe zejtarët e parë të qytetit të sapongritur. Ditën e pazarit banorët e fshatrave zbritën aty. Sipas regjistrit turk, 1520- 1530, ku flitet për taksat, mallrat e konsumit të zakonshëm në pazarin e Korçës ishin të shumta: Mbulesa, dyshek, shajak, lesh, pëlhurë, lin, hekur, pandofla, verë, fruta të freskëta, fruta të thata, djathë, gjalpë, musht, mjaltë, arra, vaj ulliri ullinj, gështenja, koshere bletësh, peshk, kripë, oriz, qepë, hudhëra, bizele, thjerza, grurë, elb, tërshërë, urof, farë për mbjellje, dele, qengja, viça, derra, kuaj etj. 26 zanatçinjtë ofruan mjeshtëritë e tyre për gjithë njerëzit që kishin nevojë. Panariti, Vithkuqi, Shipska, Llënga, Nikolica etj, dikur të njohura si qendra të rëndësishme, me kalimin e viteve po binin nga vakti. I kthyen sytë nga Korça. Fati ndihmonte pazaret që gjendesh në kryqëzime udhësh. Familjet që jetonin me tezgjah (avlëmend), sollën në Pazarin e Korçës prodhimet e tyre prej leshi dhe shajaku. Eksportimi i tyre përmendet që nga vitet e luftës veneto-turke 1644-1669.
IV
Tabakët (regjësit e lëkurës), zunë vend buzë lumit të Korçës, ku ngritën tabakhanen. (punishtet e regjjes kërkojnë ujë të bollshëm). Ngjyrosja e lëkurëve bëhej vetëm nga njerëzit që e kishin specialitet të trashëguar prej familjes. Sekreti ruhej me fanatizëm. Ngjyrat më të përdorura ishin e kuqja, e zeza dhe kafeja. Tabakët mblidhnin prej banorëve lëkurë dele, dhie, viçi, lope, kau, bualli, kali etj, kurse prej gjahatarëve lëkurë lepujsh, dhelprash, kunadhesh, arinjësh, ujqish, ketrash etj. Tabakët prodhonin meshin prej lëkure keci, gjone (shollë) prej lëkure kau ose bualli, kajser të kuq ose të zi, prej lëkure dhie dhe dashi, shala kuajsh, silahe për mbajtjen e armëve të brezit etj. Numri i madh i bagëtive në krahinat e Korçës siguronte sasi të mëdha lëkurësh: “Udhëtarëve të huaj u kishte tërhequr vëmendjen pasuria e madhe në bagëti të imëta e të trasha e fushës së Myzeqesë. Treva midis Strugës, Pogradecit, Voskopojës, Korçës, Kolonjës, Konicës…”( Zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i Shqipërisë gjatë shek. XIX – fillimi i shek XX, f. kreu II).
I dëgjuar për regjjen e lëkurëve në Korçë ishte fisi i Shaqir Tabakut (1861-1927). Edhe babai i tij, Shaban Tabaku, gjyshi dhe stërgjyshi ishin marrë me regjjen e lëkurës. Në vitin 1924 Fan Noli u kërkoj mbështetjen për të fituar zgjedhjet.
V
Kërkesa e tregjeve të huaja për lëkurë, prodhime leshi, shajaku etj ishte e madhe. Pazari i Korçës nxori në pah dy kategoritë e tregtarëve: të tregtisë së jashtme; tyxharët dhe të tregtisë së brendshme; bakejtë. Tregtarët më të fuqishëm të pazarit të Korçës ishin Tyxharët dhe Merdanët. Studiuesi Ilo Mitkë Qafzezi kur flet për tregtinë e jashtme përdor shprehjen “korporatat e Tyxharëve”, gjë që tregon organizimin e lartë të tyre. Tyxharët kryesoheshin nga Abedin Seit Tuxhari, (1851-1921). Edhe të parët e tij, profesion kishin patur tregtinë, kurse Merdanët kishin si të parë Rexhep Merdanin. Ata u vendosën në Korçë 300 vjet më parë. Në vitin 1919, formuan korporatën “Magazia Drejtësia – Rexhep Merdani Ko”, me bashkëpronarë: Fuati Merdani, Qemal Merdani dhe Reshat Merdani. Kjo kategori tregtarësh mbante lidhje të përhershme me Stambollin, Selanikun, Sofjen, Nishin, Venedikun, Raguzën, Ankonën, Triesten, Izmirin etj. Fal të ardhurave të shumta që siguronin, Merdanët dhe Tyxharët ndihmuan spitalin, shkollat, fëmijët jetim, familjet e vobekta, ndërtimin e rrugëve, vajzat e varfëra për përgatitjen e pajave, kolegët për hapjen e dyqaneve te reja etj. Shteti komunist, Merdanëve u sekuestroi 4,5 kuintal flori.
VI
Në pah dolën edhe këpucarët e Korçës. Regjja e mirë e lëkurës, sekretet e zbutjes me yndyrë, ujë, sapun, të verdhë veze, tru të zierë të vetë kafshës, që lëkura të ishte e butë dhe më e rrojtshme, e dallonte lëkurën e Korçës nga një lëkurë e prodhuar diku tjetër. Për këtë arsye këpucët e Korçës pëlqeheshin edhe në qytetet e Jugut e gjetkë. Edhe Terzinjtë shkëlqyen në mjeshtërinë e rrobaqepësit: “…Cohëra, kadife e brokarte importoheshin në vitin 1769 edhe me anë të Durrësit. Edhe në këtë shekull përmenden në shumë qytete esnafe të forta mjeshtrish që përgatisnin artikuj të shumta veshmbathjeje (në Shkodër, Korçë, Lëngë, Voskopojë e në Shipskë). (Veshja në shekujt XVII – XVIII).
Në fragmentin e sipërcituar përmendet edhe Voskopoja, Lënga dhe Shipska, por e vërteta është se këto qendra, dikur të rëndësishme, mjeshtërinë e rrobaqepësit e mësuan nga terzinjtë e Korçës: “Nga dokumentet e vitit 1712 mësojmë se banorët e Voskopojës kanë shkuar te mjeshtrit e “kazasë” së Korçës, kanë punuar dhe mësuar zejet e rrobaqepsisë, këpucarisë dhe farkëtarisë”. (Pirro Thomo, Korça, urbanistika dhe arkitektura, f. 33).
Pjesë e rëndësishme e jetës së njerëzve ishin edhe përpunuesit e hekurit (demirxhinjtë); ata prodhonin kusi, tepsi, gjyma, tasa, ibrikë, mangaj, masha, perusti, kaci, saçe, thika, sqeparë, sëpata, sakica, shara, zinxhirë, rrethore hekuri, rreze dyersh, çekiçë, kazma, lopata, sfurqe (pirun), plore, (për lërimin e tokës) gozhdë, brava, dryj, çelsa, parmakë hekuri, patkonj etj. “Zejet tradicionale, si: përpunimi i lëkurëve, i shajakut, i mëndafshit, i hekurit ishte në duart e myslimanëve”. (Petrika Thëngjilli, Faktorët për përhapjen e fesë islame në Shqipëri shek.XVI-XVIII).
VII
Në verën e vitin 1793, Ali Pashë Tepelena mori në zotërim Himarën, Gjirokastrën, Beratin, Vlorën, Delvinën, por edhe Korçën. Pashai ishte eksportues i madh i dridhit; kishte monopolin e këtij tregu. Edhe Korça ishte prodhues i rëndësishëm drithrash: “Krahina pjellore përreth furnizonte jo vetëm Korçën por edhe qytetet e krahinat e tjera: Lugina është shumë prodhimtare përderisa nxjerr drithra dhe dërgon në mënyrë të veçantë edhe Shqipërinë e Mesme”. (Thimi Mitko, Disa shënime rreth Korçës, vepra, f. 549).
Tashmë karvanet udhëtonin shpesh e më shpesh drejt Janinës. Çonin atje drithra, veshje prej leshi dhe shajaku për ushtrinë e Pashait dhe takëme për kuajt e ushtrisë: kollana samari, bishtëza, qingla, kapistra, palldëme, hararë, hejbe, thasë, torba, trasta tagjie, spango, sixhim etj. Në fillim të pushtimit turk, Korça u bë qendër vijaleti e kazave Korçë, Kolonjë, Konicë dhe Përmet; njëkohësisht edhe qendër ushtarake. Për rëndësinë që pati, në hyrje të Korçës kur vjen nga Devolli, u ndërtua edhe një korpus i madh kazermash. Zejtarët e Pazarit të Korçës ndihmuan Pashain edhe me prodhimin e armëve. Të ardhurat që siguroheshin ishin të mëdha. Sigurimi i nevojave të ushtrisë së Pashait nga zejtarët e Korçarë ishte vërejtuar edhe nga koloneli Lik, instruktor i artilerisë pranë ushtrisë së Ali Pashë Tepelenës. Në vitin 1805 ai shkruante: “Zejtarët korçarë janë në gjendje të prodhojnë pjesën më të madhe të artikujve të veshmbathjes dhe të mobilimit të ushtrisë së Pashait”.
VIII
Korça qëndroi me Janinën edhe pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës, deri në vitin 1887, kur iu bashkua vilajetit të Selanikut. Fuqia e saj u rrit dukshëm. Konsulli i Austrisë, albanologu Han bënte përkufizime të tilla për Pazarin e Korçës: “është në lulëzim e sipër”, “konkurente e rrezikshme e Janinës përsa i përket tregtisë me viset e veriut” “Tregtarët e Janinës kanë filluar të shqetësohen…” etj.
Me Selanikun qëndroi vetëm një vit, pasi më 1888 u bë pjesë e Manastirit. Për studiuesin grek, Karmici, Korça ishte depoja natyrale e Stambollit dhe Selanikut. Nëpërmjet Korçës mallrat e tyre shkonin drejt viseve Veriut e të Juglindjes. Edhe vende të tjera evropiane sillnin mallrat në këtë depo të madhe nga ku niste shpërndarja. Por me Stambollin Korça mbajti marrëdhënie të veçanta; administratorë të pazarit ishin Mytevelinjtë, pasardhës të Iljaz bej Mirahorit, i cili pasurinë e vet që kishte në Stamboll e ktheu në vakëf për t’u ardhur në ndihmë të varfërve të atjeshëm; një lagje e Stambollit mbante emrin e tij.
IX
Në këto kohëra, zilet e karvaneve dëgjoheshin shpesh mëngjesve herët; kishin një tingëllimë të veçantë e të pëlqyeshme; jepnin një ndjesi hareje. Sipas studiuesit Bardhyl Prifti, “Toskëria: Kolonja dhe Leskoviku, f. 74: “Zilet derdheshin në seri prej 12 copësh, ato harmonizoheshin me shumë kujdes. Çdo gjashtë zile kombinoheshin me një këmborë karvanare (një këmborë karvanare merrte brenda 6 okë miell …. Zilet më të mira ishin ato që derdheshin prej bronzi (tunxhi), në të cilat përziheshin tetë pjesë bakër dhe dy pjesë kallaj.” Zilexhinjtë më të mirë ishin leskoviqarët, por tregtia në Pazarin e Korçës u jepte kënaqësi të paharrueshme. /tesheshi.com/