Astrit Patozi, një prej emrave të larguar nga PD pas lënies jashtë listës nga Basha, njëherësh kritik i fortë i këtij të fundit, ka dhënë sinjalin e parë se pret nga ndërkombëtarët një mbështetje për rifaktorizim politik. Patozi ka dhënë disa sinjale në kohë të ndryshme rreth krijimit të një force të re politike, së bashku me znj.Topalli, por deri më sot pa asnjë rezultat në terren.
Ndërkohë, dalja e PD-së nga sistemi me vetdjegie mandatesh, ka kthyer interesin politik të Patozit i cili shkruan:
“….nuk e teproj aspak po të them se e vetmja shpresë që këtij vendi të mos i dalë tymi nuk jemi ne, ‘bijtë e shqipes së inatosur’, por janë miqtë tanë ndërkombëtarë. Të cilët me fuqinë, durimin dhe paanësinë e tyre janë të vetmit që mund të evitojnë një skenar të kobshëm, të cilit askush sot nuk mund t’ia përfytyrojë fundin. Gjithmonë, në rast se do të kenë interes dhe përkushtim që të investohen me kapacitet të plotë në këtë ndërmarrje jo aq të lehtë për të shuar zjarrin e qëllimshëm që ne vetë i kemi vënë shtëpisë sonë.
E thotë këtë një njeri, që nuk e ka fetishizuar kurrë rolin e të huajve, jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend tjetër të lirë, sepse unë besoj fort që përgjegjësitë në këtë botë nuk mund të delegohen. Ato janë për t’u mbajtur në radhë të parë nga ata që e kanë detyrim atdhetar, kushtetues, politik, moral dhe njerëzor në radhë të parë.
Lajmi i vetëm i mirë në këtë katastrofë politike, që ende përbën rrezik për shoqërinë tonë, është fakti që sistemi i kalbur politik po jep shenjat e qarta se po shkon drejt vdekjes klinike. Por është akoma shpejt për të thënë se kjo do të përkthehet dikur në një të mirë publike për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.
Kaq mund të them për sot”, shprehet Patozi. /tesheshi.com/