Rritja e nivelit të Liqenit të Fierzës ka përmbytur tokat bujqësore të 20 familjeve në fshatin Breglum të Njësisë Administrative Tërthore në Kukës.
Lagjia “Kovaç” përmbytet çdo vit, si pasojë e rritjes së nivelit të ujit të liqenit të Fierzës, por këtë vit, sipas banorëve, situatën e përkeqësojnë mbetjet që ka sjellë liqeni.
Situata është e pashpresë për këta banorë, por pamundësia ekonomike i detyron të qëndrojnë në fshat, edhe pas largimit të pjesës më të madhe të njerëzve.
Rritja e nivelit të liqeneve ujëmbledhës për shkak të reshjeve intensive ka rikthyer këtë vit përmbytjet edhe në Shkodër.
Plot 2285 hektarë tokë vijon të jetë e përmbytur në bashkinë e Shkodrës, sipas të dhënave të pushtetit lokal. Të njëjtat burime thonë se në njësinë Administrative Ana e Malit, nuk mund të kalohet as me makinë ushtrie, por vetëm me varka, ndërsa 30 familje janë të izoluara nga uji.
Një ditë më parë, kryebashkiakia e Shkodrës Ademi kërkoi vendosjen e gjendjes së emergjencës, propozim që nuk u pranua nga ana e pushtetit qendror. /tesheshi.com/