Vjen një tjetër provë e vështirë për Partizanin në rrugëtimin e kësaj vere në raundet kualifikuese të Champions League-s.
Pasi ka eliminuar skuadrën e njohur hungareze të Ferencvaroshit, Partizani do të ndeshet sonte me austriakët e Salcburgut, një ekip shumë më i fortë.
Salcburgu është skuadra kampione e Austrisë në tre sezonet e fundit, por thuajse prej një dekade i jep tonin futbollit austriak.
Partizani eliminoi Ferencvaroshin në raundin pararendës, pasi fitoi me 11-metërsha në Budapest teksa dy takimet u mbyllën me të njëjtin rezultat, 1-1.
Kurse Salcburgu i fitoi të dyja sfidat me skuadrën letoneze Liepaja, përkatësisht 1-0 dhe 0-2.
Salcburgu vjen nga humbja 3-1 të shtunën e shkuar me Shturm Gracin, në javën e parë të Bundesligës austriake.
Takimi i vlefshëm për raundin e tretë të Champions League-s do të luhet në “Elbasan Arena” mbrëmjen e kësaj të marte, në 20:15, e do të drejtohet nga një treshe angleze, me kryesor gjyqtarin Michael Oliver. /tesheshi.com/