Një varg me parregullsi ka gjetur Auditi në Zyrën e Kryeministrit (ZKM) për vitin 2017-të, ku Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) është gjeneruesi kryesor i të hyrave.
Menaxhim jo i duhur i subvencioneve, pagesë e dyfishtë e bërë ndaj fermerëve, mangësi në menaxhimin e pasurisë, rritja e obligimeve të pa paguara, vonesa në ekzekutimin e pagesave dhe raportime jo të plota të obligimeve janë gjetjet kryesore.
Kjo zyrë ka bërë raportim të dobët për shfrytëzimin e subvencioneve dhe ka dhënë arsyetim jo të plotë të tyre.
Dëshmi të mangëta për subvencionet…
Në nëntë raste me vlerë në total prej 37,500 euro, Auditi ka identifikuar që ishin të mangëta dëshmitë mbështetëse për shfrytëzimin e subvencioneve të dhëna nga Zyra për çështje të Komuniteteve, sepse mungonin raportet narrative, faturat dhe raportet financiare kthyese.
“Mangësi në vlerësimin e projektit. Në një rast, kërkesa e bërë në Zyrën për Çështje të Komuniteteve nuk ishte e nënshkruar nga aplikanti, ndërsa ishte e protokoluar nga ZKM. Ky person fizik ishte subvencionuar në vlerë prej 1,500 euro;
Mos respektimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit me Komunat përkatëse (Novobërdë dhe Kllokot). Zyra për Çështje të Komuniteteve (ZçK) në kuadër të ZKM-së kishte lidhur dy Memorandume të Mirëkuptimit (MiM) me Komunat përkatëse për financimin e projekteve në vlerë prej 54,102 euro. Përderisa Komunat obligohen që të zhvillojnë procedurat e prokurimit duke përzgjedhur operatorin ekonomik.
Ne, kemi vërejtur se hapja, vlerësimi i procesit tenderues si dhe pranimi i situacionit ishin bërë në mungesë të ndonjë zyrtari përfaqësues nga ana e ZKM-së. Kjo po ashtu kishte ndikuar në keqklasifikimin e kodit ekonomik. Është paguar nga kodi 21200 (Subvencionet për entitete jopublike) ndërsa është dashur të paguhet nga 33100 (Transfere kapitale për entitete publike)”, thuhet në raport.
Fermerët përfitojnë nga gabimi i komisionit vlerësues…
Me vendim të qeverisë është aprovuar kompensimi i fermerëve vendor për dëmin e pësuar me rastin e ngordhjes së kafshëve/gjedheve nga sëmundja gungore e lëkurës (LSD) gjatë vitit 2016. Nga 46 raste të audituara në vlerë prej 60,200 euro, në tri raste me vlerë prej 7,200 euro, Auditi ka hasur në parregullsi ku ishin dyfishuar pagesat ndaj fermerëve.
“Fermerët janë kompensuar/paguar nga 2,400€ për gjedh, përderisa vlera e duhur për kompensim/pagesë ishte 1,200€ për gjedh. Zyrtarët përgjegjës për këtë çështje, janë deklaruar se kjo ka ardhur si rezultat i gabimit nga ana e Komisionit të vlerësimit. Gjithashtu, pas pranimit të draftit, sipas zyrtarëve përgjegjës të AUV-it, kryeshefi i Agjencionit ka ndërmarrë masat përkatëse lidhur me këto raste duke nxjerrë disa vendime me të cilat obligon fermerët që në afat prej 30 ditësh t’i kthejnë mjetet e pranuara në buxhetin e AUV-it”, thekson Auditi.
Mangësi në procesimin e urdhërblerjeve
Në 32 raste me vlerë në total prej 363,190 euro urdhërblerjet janë procesuar pas pranimit të faturës.
Auditi tregon se këto raste kanë ndodhur tek pagesa për shërbime të identifikimit, regjistrimit dhe asgjësimit të kafshëve, matrikulimin e gjedheve dhe analizave laboratorike dhe se kjo ka ndodhur ngase ka munguar monitorimi i këtij procesi dhe nuk janë zbatuar rregullat e Thesarit.
Auditi poashtu ka gjetur mospërputhje në mes planit të prokurimit dhe realizimit të kontratave.
“Në AUV, kemi hasur pesë raste, që janë realizuar procedura në të cilat janë kontraktuar shërbime/furnizime pa qenë të planifikuara në prokurim. Prej tyre, tri raste në vlerë prej 2,889 euuro, i takojnë kategorisë së mallrave dhe shërbimeve (procedura me vlerë minimale) dhe dy raste i takojnë kategorisë së investimeve kapitale në vlerë prej 124,920 euro”, tregon Auditi.
Mangësi në menaxhimin e pasurisë
Gjetje tjetër në Zyrën e kryeministrit (ZKM) është se pasuritë e blera në vitin 2017 në vlerë prej 2,696 euro (10 pajisje–furnizime për zyrë) të financuara nga donacioni SIDA, nuk janë regjistruar në regjistrin e pasurive të ZKM-së.
“Më tej, mangësi kishte edhe në përcjelljen dhe mirëmbajtjen e regjistrit të përgjithshëm të pasurive. Në AUV, në regjistrin e pasurive–pasuritë kapitale mbi 1000 euro në thesar/SIMFK ishte regjistruar një pasuri (veturë) me vlerë prej 14,840 euro, përderisa zyrtari i pasurisë nuk ka mundur të na ofroj dëshmi për dokumentacionin mbështetës të kësaj veture dhe ekzistencën e saj fizike. Sipas zyrtarit të pasurisë kjo veturë është regjistruar gabim në regjistër të pasurisë, e cila sipas tij ishte dyfishim në regjistrimin e veturës së njëjtë të blerë në vitin 2014”, thuhet në raport.
Rritje e obligimeve të pa paguara
Auditi ka gjetur se obligimet e pa paguara në fillim të vitit 2017 ishin 223,754 euro, deri në fund të këtij viti obligimet janë rritur afërsisht tri herë më tepër.
“Vlera e tyre me 31 dhjetor 2017 është 652,140 euro. Pjesa më e madhe e obligimeve të papaguara i takojnë AUV-it apo vlera prej 521,259 euro, që kanë të bëjnë me shpenzime për analiza jashtë vendi, vaksinim i kafshëve, kompensim i fermerëve dhe analiza laboratorike. Sipas zyrtarëve përgjegjës arsye kryesore e rritjes së obligimeve ishte mungesa e buxhetit dhe pranimi i faturave pas mbylljes së zotimeve”, thuhet në raport.
Auditi poashtu ka gjetur në dy raste që faturat/obligimet ndaj furnitorëve në vlerë prej 1,229 euro nuk ishin paguar brenda afatit prej 30 ditësh dhe të njëjtat nuk ishin përfshirë në raportet mujore të obligimeve. /tesheshi.com/