Papa Françesku mbërriti në një vizitë historike në Irak të premten, udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga shpërthimi i pandemisë së virusit Corona.
Gjatë një vizite katër-ditore në vend, papa argjentinas, 84 vjeç, do të shprehë mbështetje për komunitetin e krishterë, por gjithashtu do të takohet me hoxhën musliman më të lartë shiit, 90-vjeçarin, Ali al-Sistani.
Ky konsiderohet si udhëtimi i huaj më i rrezikshëm i Papa Françeskut që nga zgjedhja e tij në 2012 dhe vizita e parë e një pape në këtë vend, raporton Reuters.
Aeroplani i Alitalias, i cili u ngrit nga aeroporti “Leonardo da Vinci” i Romës katër orë e gjysmë para se të ulej në Bagdad, pati për shoqërim bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, anëtarët e forcave të sigurisë dhe 75 gazetarë.
Iraku ka vendosur mijëra anëtarë shtesë të forcave të sigurisë për të mbrojtur papën gjatë vizitës, e cila vjen pas sulmeve me raketa dhe atyre vetëvrasëse që ngritën shqetësime për sigurinë e tij.
Të mërkurën në mëngjes, 10 raketa ranë në bazën ajrore ku ndodhen forcat amerikane dhe irakiane dhe forcat e koalicionit.
Disa orë pas sulmit, kreu i Kishës Katolike konfirmoi se po shkonte në Irak.
Gjatë udhëtimit nga vendi në vend, ka shumë të ngjarë që lëvizja e kreut të Vatikanit të bëhet me një automjet të blinduar.
Ky është udhëtimi i 33-të i Papës jashtë Italisë dhe do të kthehet në Romë të hënën në mëngjes. /tesheshi.com/