I votuar me 1 milionë vota, pas 4 vitesh Edi Rama i jep gjysmën e qeverisë opozitës duke lëshuar ministrat më të “suksesshëm” dhe duke shkelur pothuajse të gjitha premtimet e dhëna që kur nisi ngërçi i çadrës…
“As në ëndrrat më të bukura opozitare nuk kam imagjinuar të më ofrohet aq shumë sa po i ofroj unë sot opozitës”- tha kryeministri Rama kur bëri ofertën e tij të parë në negociata…por ai vetë e tejkaloi këtë ëndërr duke e shumëfishuar ofertën në paktin e madh të 18 majit me Bashën.
Nga oferta McAllister tek McAllister plus Rama i tejkaloi parashikimet duke arritur tek oferta “Big Mac” , e cila vulosi dhe marrëveshjen e rrallë me opozitën.
Po para se të bënte rolin e Romeos që u përulet opozitës si një Zhuljetë, Rama kishte premtuar se do të ishte kryeministri i 1 milionë votave që i kishin besuar atij në 2013-ën qeverisjen.
Që nga premtimi i madh për të mos lëshuar datën 18 qershor si data kushtetuese e zgjedhjeve e deri tek të gjithë ministrat e besuar të tij dhe si pasojë dhe “pranimi” i “kanabizimit” të vendit, Edi Rama shkeli shumë nga premtimet e dhëna gjatë këtyre 3 muajve dhe bëri lëshime të mëdha që mund të jenë kosto në votimet e 25 qershorit.
Lëshimi i parë i madh i Ramës ishte shkarkimi i Saimir Tahirit. Tahiri u shkarkua disa javë pas ngritjes së çadrës dhe erdhi si pasojë e negociatave jo-publike të inciuara nga gjermanët, përfaqësues të CDU-së së Merkelit. Tahiri ishte ministri më i akuzuar nga opozita dhe nga aleati i tij LSI dhe emri i tij lidhej drejpërdrejt me argumentin kryesor mbi të cilin ishte ngritur cadra; kanabizimi dhe përfshirja e parave të drogës në zgjedhje.
Por, pasi Basha ndërroi mendje duke kuptuar si duket se më shumë presion do të sillte më shumë lëshime, kryeministrit iu desh të hiqte dhe 3 ministra të tjerë për të justifikuar publikisht këtë lëvizje si një taktikë elektorale. Kështu, me Tahirin (i cili në 3 vite qeverisje ishte shfaqur si xhevahiri i Rilindjes) Rama rrëzoi dhe shifrat e tij premtuese për luftën kundër hashashit. Bashkë me të u sakrifikua një tjetër ministër i akuzuar fort nga opozita, Ilir Beqaj, i cili është në qendër të akuzave për praktika korruptive në modelin e partneritetit publik-privat në shëndetësi, duke çuar paratë e këtij sektori në xhepat e disa kompanive private për ofrim shërbimesh që më parë bëheshin në shtet.
Rrokada në polici pasoi ikjen e Tahirit, një tjetër lëvizje që tregonte tërheqje “pa nder” të Ramës, pasi ishte argumenti i opozitës se policia ishte e përfshirë në kanabizimin e vendit.
Tërheqja nga zgjedhjet në Kavajë ku ai kishte premtuar fitore ishte pa dyshim tërheqja më e madhe që pasoi më pas lëshimin e gjysmës së qeverisë.
Më pas iu desh të hante premtimin kryesor me të cilin nisi fushatën elektorale në një garë ku mungonte opozita, Rama bënte be e rrufe se zgjedhjet bëheshin më 18 qershor, se ai nuk do të lejonte të shkelej Kushtetuta, etj.. E vetmja fitore në këtë pikë ishte shtyrja e zgjedhjeve me një javë dhe mbajtjes së LSI-së jashtë koalicioneve.
“Ne i kemi marrë votat për të qeverisur vendin”, u kthye në “bashkë-qeverisje me opozitën’ në javën e fundit, ku Rama pranoi të hiqte ministrat kryesorë duke i zëvndësuar ata me njërëz të kundërshtarit politik.
Për t’i bërë qejfin “mikut të ri të orëve të fundit”, ai hoqi dhe krahun e tij të djathtë, zv/kryeministrin Niko Peleshi, i dha opozitës kreun e KQZ-së, agjencinë e legalizimeve me të cilën kishte bërë fushatë 4 vite duke shpërdarë leje legalizimi fshat më fshat dhe OSHE-në, drejtorinë e energjisë, me reformën e të cilës u mburr 4 vite se bëri shtet.
Marrëveshja e 18 majit 2017 do të mbahet mend si marrëveshja më e paprecedentë në historinë e politikës shqiptare, ku një kryeministër ruan vetëm karrigen e tij dhe jep gjithçka në këmbim të qetësimit të opozitës, e cila kishte arritur në ekstremin e një proteste duke bojkotuar zgjedhjet.
Po kjo marrëveshje do të mbahet mend dhe për shkelje të premtimeve nga dy palët dhe lëshimet në tavolinë për hir të një pakti që duket se i ka synimet më të largëta se sa 25 qershori; me një reformë zgjedhore dhe kushtetuese mes dy partive të mëdha që do të forcojë pozititat e tyre. /tesheshi.com/