“Të gjithë bashkë i hëngrëm” (Mazi ta fagame)! – Kjo ishte përgjigja e famshme që politikani i njohur greko-arvanitas Teodoros Pangalos dha për të përkufizuar dilemën se ku shkuan paratë që shkaktuan krizën e thellë ekonomike të shtetit grek (kriza e borxhit të Greqisë).
Kjo frazë më erdhi ndërmend tek shohim dhe dëgjojmë gjysëm të hutuar bëmat dhe shumat e korrupsionit të drejtuesve dhe ish-drejtuesve të institucioneve të ndryshme të shtetit Shqiptar.
Duke mos dashur asesi “që t’i hanim bashkë’’ si në rastin e Greqisë, sërish një lloj stili prej Robin Hudi i shpërndarjes së këtyre vlerave korruptive (pas ndonjë konfiskimi të supozuar pasurie sigurisht), ndoshta do i ngushëllonte pak bashkëqytetarët tanë të cilët me padurim presin ditën e rrogës, a të ndihmës sociale, a të pensionit, apo dhe të Western Union-it për ndonjë para që i sjell ‘’i ngarkuari me punë’’ i familjes.
E largët është dita ku në modelin e stilit të parrullave të trashëguara nga epoka komuniste, shihje shpesh në pas vitet 90-të parrulla klishe dhe paksa komike të tipit “ndal dhunës dhe jo korrupsionit’’.
Asokohe, dhuna bashkë me korrupsionin, ishin në fillimet e tyre paksa premtuese, por asesi nuk I shkonte mendja ndokujt se mund të mbërrinim këtu ku jemi sot.
Korrupsioni minor i viteve 90-të me ndonjë shumë të vogël parash për të hapur ndonjë kioskë, apo për të blerë ndonjë vizë Greke etj., ja ka lënë vendin miliona eurove të rrugëve, aeroporteve, kullave, plehrave etj.
Gjithashtu dhe dhuna paksa komike e atyre viteve në formën e marrjes të ndonjë palë shapkave në rrugë, apo ndonjë xhakete xhins nëpër tela, apo të ndonjë tufe “trimash’’ me flokë të palarë (në vend të përdorimit të xhelit) para ndonjë dere shkolle etj., ja ka lënë vendin grupeve të strukturuara kriminale të cilët konkurojnë me atë pjesë të mbetur të shtetit për të patur sa më shume territore dhe favore.
Tek sheh parakalimin e zyrtarëve të korruptuar nëpër SPAK dhe atyre të përfolur nëpër intervista, përgjime etj., të vjen ndërmend matrioshka e famshme ruse, ku formë pas forme, në rastin e Shqipërisë të del e njëjta fytyre korruptive, i njëjti model korrupsioni dhe i njëjti lloj qytetari apo katundari i korruptuar.
Sigurisht që nga shteti, apo nga format e mbetura të kësaj matrioshke që sillen si të paprekura ende nga korrupsioni masiv, nuk pritet që të pranohet hapur se këtë punë e ka marrë lumi, por e pakta të shmanget sjellja sikur nuk po ndodh asgjë, dhe sikur punët janë në rrugën më të mirë.
Situata alaramante aktuale në Shqipëri ku politika dhe krimi janë në një simbiozë për t’u patur zili nga çdo korporatë mafioze në botë (duke përfshirë dhe mafian finlandeze ndoshta), nuk mund të mbulohet as me turistët zengjinë apo proletarë qofshin që vijnë në Shqipëri, as me artikujt e sponzorizuar të Shpipërisë turistike nga revista te ndryshme nëpër botë, as me festivalet folklorike të kryeministrit me homologët e tij evropianë, dhe as me ndonjë shfaqje cirku si ajo e seancës të famshme para do kohe në Këshillin e Sigurimit të OKB, ku lideri global u soll si lider lokal.
Në fund mund të themi pa drojë se duke qënë se frytet e kësaj pune “nuk i hëngrëm të gjithë bashkë’’ si në rastin e Greqisë, atëherë dhe pasojat asesi “mos t’i ndajmë bashkë’’, por le të vazhdojnë t’i ndajnë me njeri-tjetrin ashtu siç lakmonte dhe lideri lokal kur uronte famshëm “hëngshin kokat e njeri tjetrit’’, kështu që gostia e tyre le të vazhdojë.