Presidenti amerikan dhe ai turk janë takuar në Kinë, ndërsa krerët e shteteve janë atje për një takim të G20-tës.
Obama e ka garantuar homologun turk se vendi i tij është i vendosur të ndihmojë për vënien para drejtësisë të atyre që organizuan përpjekjen për grushtin e shtetit të korrikut.
“Departamenti i Drejtësisë dhe ekipi im i sigurisë kombëtare do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me autoritetet turke për të vendosur se si të garantojmë që të sillen para drejtësisë ata që i kryen këto aktivitete,” ka premtuar Obama.
Nga ana e tij, Erdogani ka theksuar pas takimit vendosmërinë e Turqisë për të luftuar terrorizmin, ashtu si dhe vendosmërinë për ekstradimin e Fethullah Gylenit, njeriut të akuzuar si ideatori i përpjekjes për grusht shteti më 15 korrik.
SHBA-të dhe Turqia duhet të adoptojnë një qëndrim të përbashkët kundër terrorizmit, ka nënvizuar presidenti turk.
“Lufta e Turqisë kundër të gjitha organizatave terroriste, duke përfshirë ISIS-in dhe YPG-në, do të vazhdojë me vendosmëri.”
Takimi midis Obamës dhe Erdoganit, të shoqëruar nga delegacionet, ka zgjatur për 45 minuta, e ka qenë me dyer të mbyllura. /tesheshi.com/