Çelsi dhe Barcelona janë ndarë me një barazim 1-1 në takimin e parë mes tyre në një të tetat e Champions League-s.
Londinezët kanë bërë një lojë të mirë në përgjithësi, ndërsa presioni i tyre është finalizuar vetëm në minutën e 62-të, kur do të shënonte Willian.
Dhe dallimi midis një ekipi shumë të mirë dhe një ekipi të klasit botëror, siç vë në dukje BBC, bëhet i dukshëm pikërisht këtu. Çelsi do duhej të kryesonte me tre gola, por, përndryshe, është Barcelona që barazon.
Një gabim në pasim i lojtarëve të Çelsit në hapësirën e tyre mbrojtëse, i vetmi gjer në atë moment, shfrytëzohet mjaft mirë nga katalanasit. Messi ka gjuajtur mjeshtërisht me të majtën brenda zonës në minutën e 75-të, dhe rezultati është fiksuar në 1-1.
Rezultat që u ka pëlqyer udhëtuesve, ndërkohë që pritësit nuk kanë mundur të kalojnë edhe një herë në epërsi. Gjithçka mbetet kështu për t’u zgjidhur në “Camp Nou”, në takimin e kthimit. /tesheshi.com/