E kujt ia priste mendja se një ditë, Rama e Kokëdhima, të vetëshpallur miq dhe për ditë pleqërie, do shndërroheshin në armiq…por ia që ndodhi. E tashmë, duhet besuar se dhe Rama e Tahiri, një tjetër lidhje e ngushtë politike me trajta vëllazërie, është shkërmoqur dhe po shkon drejt një përplasjeje….
Në dy dalje të tij publike, Saimir Tahiri ka goditur fort, por që mënyra se si funksionojnë mediat në Shqipëri, falë edhe modelit që diktoi edhe ish-ministri i Rendit kur ishte në pushtet, nuk i kanë dhënë këtij artikulimi një rëndësi apo analizën e duhur.
Tahiri, i cili pezmin e mosmarrjes në “Rama 2” e ka shprehur tashmë hapur, në një intervistë te emisioni me audiencë të lartë i Ermal Mamaqit, por edhe në fjalën në Parlament, goditi fort Edi Ramën duke përdorur një spond të fort politik.
Në dy herët që Tahiri foli, duke analizuar përhapjen e kanabisit, që sipas ish-ministrit “u mboll në çdo cep të vendit”, drejtoi gishtin drejt Koço Kokëdhimës, duke shënjestruar edhe pse jo direkt, protektorin politik të këtij të fundit.
Tahiri, në fjalimin që foli në Kuvend, vetëm se nuk e përmendi me emër, por përdori edhe një terminologji politike të Sali Berishës, kur tha “sivëllau i Koços”; natyrisht duke i dhënë një referencë më ndryshe, por drejtimi i qitjes së kryetarit të Partisë Socialiste të Tiranës dukshëm ishte ndaj ish-shefit të tij, me të cilin nuk komunikojnë që prej largimit nga posti i ministrit të Brendshëm.
“Qeveria e kaluar e krijoi një standard për kanabisin. Ajo betejë u fitua në ditën kur u fitua beteja ndaj Koços dhe ndaj çdo sivëllau të tij, që, nga salla e parlamentit në qelinë e burgut shkonte dhe trumbetonte mbjelljen e kanabisit se medemek do të liberalizohej”, deklaroi Saimir Tahiri në Kuvend.
Burime brenda PS-së bëjnë të ditur se marrëdhëniet mes Tahirit dhe Ramës janë përtokë, që prej ditës kur u publikua qeveria e re, në të cilën ish-ministri i Rendit kishte pritshmërinë që të jetë ose zv.kryeministër, ose ministër i Bujqësisë. Në të parin u emërua deputetja e re shkodrane, Senida Mesi, e në të dytin ish-zv.kryeministri Niko Peleshi.
Tahiri, i cili kishte bërë gati një aradhë të tërë militantësh të Tiranës se do të shpërblehej për fitoren shumë të rëndësishme në kryeqytet, mësohet se i ka lëshuar dorashkat Edi Ramës dhe po përgatitet për “Luftën e Madhe”.
Aq e vërtetë është kjo, sa mësohet se ka bërë gati edhe largimin nga drejtimi i PS-së së kryeqytetit, në një ceremoni publike që e ka rezervuar duke menduar madje edhe largimin përfundimtar nga PS; një lëvizje që më shumë se bllof i ish-ministrit është një opsion politik real, duke e parë që nuk do të ketë të ardhme në kupolën lejla.
Në fushatën e zgjedhjeve, Tahiri ka përjetuar shpotitë e rivalit të fortë të tij në PS, Erion Veliaj, i cili në takimet publike nuk e prezantonte ish-ministrin si udhëheqësi politik i kryeqytetit, por si “deputeti i zonës”.
Veliaj, duke qenë se është në zenitin e pëlqyeshmërisë publike u kthye në liderin real të listës politike të Tiranës, duke e zhvendosur Tahirin i cili e nisi fushatën me ditirambe nga salla e lojrave me dorë “Farie Hoti”, ku mori edhe ovacione nga socialistët e shumtë tiranas që kishin mbushur sallën.
Avancimi i Tahirit në fushatë zgjati shumë pak, pasi u desh një gjest jo i menduar mirë i tij dhe një mjeshtëri e Edi Ramës për ta mënjanuar.
I karikuar nga mbështetja tek “Farie Hoti”, Tahiri nisi të dukej euforik nëpër struktura; madje në një takim me socialistët e Kasharit përplasi dhe grushtin në tryezë duke larguar disa militantë që i mendonte që nuk ishin krahu i tij.
Ky akt, por edhe një sjellje e ngjashme e ish-kryetarit të njësisë bashkiake nr. 6, mik i Tahirit, bëri që Edi Rama të vendosë veton. Dërgoi menjëherë në Kashar e Yzberish si emisare Sonila Qaton, që tani e bëri ministre për Sipërmarrjen.
Qato, e cila drejtonte Komisionin e Kthimit të Pronave dhe njihej si mjeshtre e komunikimit, arriti të paqtojë situatën pa zhurmë duke shuar përplasjet në mesin e një fushate, kur u rrezikua që të ndahej PS në mes të betejës.
Rama, i cili në qendrën komanduese drejtonte me kujdes çdo tel, duke llogaritur votat me milimetër, mësohet se është shprehur i nervozuar me ministrin e tij, duke e paralajmëruar dhe i kërkuar që të bëhej mënjanë.
Tahiri u tregua luajal dhe u rifut me zell sërish në fushatë, që në fund solli rezultatin më të mirë historik të socialistëve në kryeqytet, 18 mandate.
Por kush ishte strategu i kësaj fitoreje, Saimir Tahiri apo Erjon Veliaj? Apo gratë e Ramës si Manastirliu, Xhaçka e Gjebrea, të cilat fituan dukshëm në zonat e tyre?
Apo edhe Pandeli Majko që në Njësinë nr. 5 solli hambarin që PS pret nga “Stalingradi i saj”?
Vetëm në Tiranë, Edi Rama nuk vuri një drejtues liste, por i renditi kandidatët sipas njësive bashkiake që ata kishin në kujdestari(përveç Arben Ahmetajt).
Për Tahirin, deri para pak ditësh u fol se do të drejtojë komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare.
Por aktualisht edhe atë post ai nuk e ka më të sigurtë; kjo, se nuk do Rama apo vetë Tahiri, ende nuk është marrë vesh.
Por fakt është se deri tani mazhoranca nuk ka publikuar emrat e drejtuesve të komisioneve pikërisht për shkak të kësaj “lufte të nxehtë”, e të fshehtë gjithashtu.
Ndoshta Rama ka pritur që të mbyllë miratimin e qeverisë për të rihapur diskutimin, por fakt është që ai nesër niset në SHBA për vizitë zyrtare dhe mund ta lërë situatën të ftohet.
Por nëse Tahiri ja plas këto ditë dorëheqjen?
Kryeministri, nga Nju Jorku, ku pritet të ketë edhe takime të rëndësishme, ka gjasa që do të tentojë të zbusë efektin.
Por Tahiri, që padyshim e di edhe Edi Rama, jo vetëm që ka një vote në Kuvend, që për kreun e qeverisë është e domosdoshme për reformat e tij, por mund të ketë edhe më shumë.
Aq më tepër që mentori i vjetër politik i Tahirit është pikërisht kryetari i sotëm i Kuvendit, Gramoz Ruçi. /tesheshi.com/