Nga Simon Hooper
Në mëngjesin e një të diele në shkurt 2011, William Hague, sekretari i Jashtëm britanik, mori një thirrje të papritur telefonike në shtëpi nga Sejfulislam Gadafi, djali i fisëm i udhëheqësit libian Muammer Gadafi.
“Ai kërkoi të fliste në telefon për të thënë se tashmë në Libi ishte një situatë alarmuese, e se në emër të qeverisë së tij po i kërkonte Mbretërisë së Bashkuar dhe Perëndimit t’i ndihmonin për të shtypur rebelimin,” kujtoi Hague javën e shkuar para një komisioni hetimor parlamentar që po shqyrton marrëdhëniet e Britanisë me Libinë dhe pjesën e saj në ndërhyrjen e udhëhequr nga NATO-ja që ndihmoi në rrëzimin e Gadafit.
“Ai kishte krijuar qartas idenë se ky ishte një vend mik, dhe se një vend mik me të cilin keni një marrëdhënie personale ka për të ndërhyrë për t’ju mbështetur kur jeni në vështirësi… Mendoj se ai ishte nën një keqkuptim për këtë, por jo për shumë minuta,” vijoi Hague.
Por shkëmbimi flet për historinë e lidhjeve të ngushta që kishin marrë hov për një kohë të shkurtër mes qeverisë britanike dhe libiane pavarësisht dekadave të armiqësisë, të karakterizuara nga shpërthimi i menduar libian me bombë i një avioni të një linje amerikane mbi Lockerbie, në Skoci, më 1988, nga vrasja e një punonjëse policie prej një njeriu të armatosur që qëlloi nga ambasada libiane në Londër më 1984, dhe nga mbështetja britanike për sulmet ajrore amerikane kundër Libisë më 1986.
“Marrëveshja në shkretëtirë”
Komisioni hetimor do të dëgjojë Tony Blair-in, ish-kryeministrin shtrëngimi i duarve i të cilit me mikpritësin e vet në një tendë në rrethinat e Tripolit në 2004-ën – e quajtur “Marrëveshja në shkretëtirë” – i dha tonin shndërrimit të Gadafit nga një i padëshiruar ndërkombëtarisht në një aleat të parapëlqyer.
Rrjedhojat e asaj marrëveshjeje, pas muajsh negociatash të ndërmjetësuara nga Blair-i, që kulmuan me rënien dakort të Gadafit për t’i braktisur programet e tij të armëve bërthamore e kimike, mendohet të kenë përfshirë bashkëfajësinë e dy vendeve në operacionet amerikane të dorëzimit.
Sipas dokumenteve të nxjerra nga zyrat e rrëmuara të agjencisë së zbulimit libian në 2011-ën, shërbimet britanike të sigurisë morën masa të rrepta po ashtu ndaj disidentëve libianë në Mbretërinë e Bashkuar, me ca të vendosur nën urdhra kontrolli që shkonin gjer në arrest shtëpiak.
Firmat britanike të naftës përfituan nga marrëveshja në formën e kontratave fitimprurëse, ndërsa familja e Gadafit lëvizi miliarda dollarë pasuri drejt Londrës dhe siguroi qasje në qarqet me ndikim, me Sejfin që merr një doktoraturë nga Shkolla Londineze e Ekonomisë dhe që më pas përballet me akuzat për plagjiaturë.
Në zemër të kësaj ishin marrëdhëniet mes Blair-it e Gadafit, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, që korrespondenca sugjeron se nuk ishin veç pragmatike, por të veshura me ngrohtësi personale.
“Tani është një botë e vogël”
Ditë përpara vizitës së parë të Blair-it në Libi, Abdulhakim Belhaxhi, një udhëheqës i mërguar i opozitarëve të Grupit të Luftës Islame të Libisë (LIFG), dhe gruaja e tij shtatzënë u kthyen në Tripoli në një fluturim dorëzimi të CIA-s, pasi qenë ndaluar në Malajzi ndërsa po udhëtonin për në Mbretërinë e Bashkuar për të kërkuar azil.
Në një faks për Musa Kusanë, shefin e shërbimit të fshehtë libian, Mark Allen, drejtuesi i njësisë së kundërterrorizmit të MI6-ës, shkruante: “Kjo ishte më e pakta që mund të bënim për ju dhe për Libinë për të demonstruar marrëdhënien e veçantë që kemi ndërtuar në vitet e fundit.”
Allen shtonte se ishte “habitur” nga një kërkesë amerikane që pyetjet për Belhaxhin të kanalizoheshin nëpërmjet tyre: “Nuk kam synim të bëj diçka të tillë. Informacioni për [Belhaxhin] ishte britanik.”
Duke komentuar përgatitjet për arritjen e Blair-it, Allen thotë se zyrtarët dëshironin fort që ai ta takonte “udhëheqësin” në tendën e tij. “Nuk e di pse anglezët janë të magjepsuar nga tendat. Fakti i dukshëm është se gazetarët do ta dashuronin atë.”
Belhaxhi u burgos më pas për gjashtë vite, kohë gjatë së cilës ai deklaroi se u torturua. Në vitin 2013 i tregoi People and Power-it të Al Jazeera-s se ishte marrë gjithashtu në pyetje nga punonjësit e shërbimit të fshehtë britanik.
“U thashë atyre se ishim torturuar, ishim rrahur dhe ishim varur për krahësh,” tregoi Belhaxhi. “Gruaja në detyrë tundi kokën për të thënë se e kuptoi, siç bëri burri pranë saj.”
Sami es-Saadi, një tjetër udhëheqës i LIFG-ut, i rrëmbyer me gruan dhe fëmijët nga Hong-Kongu, i tregoi po ashtu Al Jazeera-s se si Musa Kusai ishte krenuar për lidhjet e tij me shërbimet e fshehta perëndimore.
“Ai më tha, ‘Tani është një botë e vogël. Përpara ju ishit jashtë, dhe ne nuk mund t’ju kapnim. Por tashmë mund t’i bëjmë një thirrje MI6-ës ose CIA-s,’” tregoi es-Saadi.
“Jo keqardhje”
Qeveria britanike ra dakort në vitin 2012 t’i paguajë es-Saadit 3.5 milionë dollarë në një marrëveshje pa gjyq, pa e njohur përgjegjësinë për rrëmbimin e tij. Fushata ligjore në vijim e Belhaxhit për të siguruar një ndjesë të qeverisë por merret në shqyrtim aktualisht nga Gjykata e Lartë britanike.
Cori Crider, drejtorja strategjike e organizatës së të drejtave të njeriut Reprieve, i tha Al Jazeera-s se Blair-i duhej të tregonte se çfarë dinte mbi operacionet e dorëzimit dhe të kërkonte ndjesë për aksionet e qeverisë së tij.
“Dorëzimi i familjeve të Belhaxhit dhe es-Saadit në dhomat e torturave të Gadafit nuk do të kishte ngjarë pa MI6-ën nën Tony Blair-in,” u shpreh Crider-i. “Por çdokush në qeverinë e Blair-it ia ka dalë deri tani t’i shmanget përgjegjësisë për atë që do të hiqnin këto familje.”
Blair u rikthye në Libi për ta takuar Gadafin përsëri në 2007-ën, vetëm pak javë përpara se ta linte detyrën, si edhe në një sërë rastesh të tjera si lobist për bankën amerikane JP Morgan, dhe çifti i ruajti lidhjet edhe kur revolucioni mori hov.
“Nëse keni një vend të sigurt për të shkuar, atëherë duhet të shkoni atje,” i tha Blair-i Gadafit në një thirrje telefonike, sipas e-mail-eve të bëra të njohura nga Hillary Clinton, ish-sekretarja amerikane e Shtetit. Thuhet po ashtu se ai e ka njoftuar David Cameron-in, kryeministrin britanik, se Gadafi donte të “bënte një marrëveshje”.
Në një intervistë në 2011-ën, Blair do të thoshte se nuk kishte keqardhje për marrëveshjet me Gadafin, e se gabimi i Gadafit kishte qenë dështimi i tij për të kryer reforma të brendshme.
Por për shumë njerëz, gatishmëria e Mbretërisë së Bashkuar për të bërë biznes me një qeveri të akuzuar për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe për terrorizëm të sponsorizuar nga shteti ishte e pakëndshme shumë kohë përpara përdorimit nga Gadafi të forcës vdekjeprurëse kundër protestuesve.
Libia ra dakort në vitin 2002 të paguajë kompensim për familjet e 270 njerëzve të vrarë në shpërthimin e Lockerbie-së në shkëmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare, si edhe të dorëzimit të Abdulbasit Ali el-Megrahit, ish-agjentit libian që mbetet i vetmi person i deklaruar fajtor në procesin gjyqësor.
Por dyshimet mbi deklarimin e Megrahit fajtor, lirimi i tij nga një burg skocez për arsye të rrethanave në 2009-ën, përpara vdekjes së tij nga kanceri në vitin 2012, dhe dështimi për të nxjerrë të tjerë përpara drejtësisë, i kanë lënë shumë familje ende në kërkim të përgjigjeve. Një hetim i Al Jazeera-s në 2013-ën zbuloi dëshmi që sugjeronin se shpërthimin mund ta kishte orkestruar Irani.
Blair-it i është kërkuar të paraqitet përpara një tjetër komisioni parlamentar, që po heton arsyen se pse qytetarët britanikë u përjashtuan nga një marrëveshje prej 1.5 miliardë dollarësh që ai ndihmoi të negociohej në 2008-ën për viktimat amerikane të terrorizmit të sponsorizuar nga libianët.
“I gabuar në parim”
Të mërguarit libianë të cilët u kapën në aksionet represive britanike që pasuan “Marrëveshjen në shkretëtirë”, shumë prej të cilëve u kthyen në atdhe për t’iu bashkuar luftës kundër Gadafit, tregojnë se përvojat e tyre ua ndryshuan perceptimet mbi një vend që besonin se u kishte dhënë strehim.
“Shumë ish-anëtarëve të LIFG-ut iu bë thirrje ta udhëhiqnin rebelimin, dhe viktima e dorëzimit, Abdulhakim Belhaxhi, i udhëhoqi rebelët drejt fitores në Tripoli. Ironia qe se të dyshuarit një kohë për terror po merrnin tani mbështetje të drejtpërdrejtë ajrore nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar,” i tha Al Jazeera-s Moazzam Begg-u, drejtori i CAGE-s, grupit të të drejtave të njeriut.
“Një njeri që unë e dija se kush kishte qenë në një rend kontrolli do të bëhej shefi i sigurisë në Tripoli, dhe çuditërisht ishte përgjegjës për sigurinë e David Cameron-it dhe të Nicolas Sarkozy-t [presidentit francez] kur ata e vizituan Libinë në vitin 2012.”
Ziad Hashemi, një anëtar i LIFG-ut që iu dha azil nga Britania, i tha Al Jazeera-s se u burgos për tetëmbëdhjetë muaj pa akuzë, e se u kufizua me qëndrim në shtëpi për tre vite të tjera, bazuar në informacione që ai beson se u dhanë nga shërbimi i fshehtë libian.
“Kur nisi revolucioni, gjërat ndryshuan në Britani. Mënyra e tyre e të folurit me mua dhe trajtimi im qe i ndryshëm. Ata morën përsipër të më ofronin përfitime, e madje leje të pakufizuar për të qëndruar ose shtetësi,” tregoi Hashemi. “Por unë u thashë atyre: ‘Nuk dua të jem në Britani. Më mirë të jem diku tjetër.’”
Ish-zyrtarë të lartë të sigurisë kanë pohuar prej kohësh se marrëdhënia e Mbretërisë së Bashkuar me Libinë meriton hetim më të thellë.
Në vitin 2011, Eliza Manningham-Buller, e cila drejtoi MI5-ën mes 2002-shit dhe 2007-ës, deklaroi se synimi i marrjes me Gadafin për ta bindur atë të hiqte dorë nga programet e tij të armatimit nuk kishte qenë “i gabuar në parim”.
Por ajo shtoi: “Ka qartësisht pyetje që kërkojnë përgjigje mbi lidhjet e ndryshme që morën jetë më pas, e nëse Mbretëria e Bashkuar hëngri me një lugë mjaft të gjatë.”
Marrë nga Al Jazeera
Përktheu: Bujar M. Hoxha – /tesheshi.com/