Trashëgimia e paqes e Papës vazhdon të shkëlqejë në botën tonë të mbushur me konflikte, shkruan kështu media e Vatikanit.
Duke thënë se “afërsia që ai tregoi me më të prekshmit gjatë misionit të tij tokësor rrezaton edhe pas vdekjes së tij, dhe kjo surprizë e fundit nuk bën përjashtim”, raportohet se papamobili i tij, i njëjti automjet nga i cili ai përshëndeti dhe ishte pranë miliona besimtarëve në të gjithë botën, po transformohet në një njësi shëndetësore të lëvizshme për fëmijët e Gazës.
Siç shkruhet, kjo ishte dëshira e tij e fundit për njerëzit ndaj të cilëve tregoi kaq shumë solidaritet gjatë papatit të tij, veçanërisht në vitet e fundit.
Në muajt e tij të fundit, Papa ia besoi iniciativën Caritas Jerusalem, duke kërkuar t’i përgjigjej krizës së rëndë humanitare në Gaza, ku gati një milion fëmijë janë zhvendosur.
Mes një lufte të tmerrshme, infrastrukturës së shkatërruar, sistemeve shëndetësore të gjymtuara dhe mungesës së arsimimit, fëmijët janë të parët që po paguajnë çmimin, me humbje jete, uri, infeksione dhe sëmundje të tjera të parandalueshme që ua vënë jetën në rrezik.
Papa Françesku ka deklaruar shpesh se “Fëmijët nuk janë numra. Ata janë fytyra. Emra. Histori. Dhe secili prej tyre është i shenjtë”, dhe me këtë dhuratë të fundit, fjalët e tij u bënë vepra.
Papamobile do ripërdoret duke u adaptuar me pajisje diagnostikuese dhe trajtimi – duke përfshirë teste të shpejta infeksioni, instrumente, vaksina, komplete qepjeje dhe pajisje të tjera shpëtimtare. Do të ketë mjekë dhe personel mjekësor dhe do të arrijë fëmijët në pjesët më të izoluara të Gazës, sapo të rikthehet qasja humanitare në Rrip.
Në një njoftim për shtyp, Peter Brune, Sekretari i Përgjithshëm i Caritas Sëeden, shkroi se “me këtë automjet do të jemi në gjendje të arrijmë fëmijët që sot nuk kanë qasje në kujdes shëndetësor – fëmijë që janë të lënduar dhe të kequshqyer”.
“Kjo është një ndërhyrje konkrete dhe shpëtimtare në një kohë kur sistemi i kujdesit shëndetësor në Gaza është shembur pothuajse plotësisht”, shtoi ai.
Një thirrje që nuk harrohet kurrë
Caritas Jerusalem, i cili u ka shërbyer prej kohësh komuniteteve të Gazës në kushte të vështira, po udhëheq përpjekjet në terren. Me mbi njëqind anëtarë të stafit të përkushtuar për të ofruar kujdes shëndetësor, organizata tani ndërton mbi trashëgiminë e dhembshurisë së Papa Franceskut ndaj popullit të Gazës.
“Ky automjet përfaqëson dashurinë, kujdesin dhe afërsinë që Papa Françesku ka treguar ndaj më të prekshmëve dhe që e ka shprehur gjatë gjithë krizës”, tha Anton Asfar, Sekretar i Përgjithshëm i Caritas Jerusalem.
Në fotot e publikuara si pjesë e projektit, duket se automjeti është përshtatur me kujdes për nevojat e atyre që kanë më shumë nevojë për të.
Por “nuk është vetëm një automjet”, tha Brune. “Është një mesazh se jo të gjithë i kanë harruar fëmijët e Gazës. Dhe është gjithashtu një thirrje: që pjesa tjetër e botës t’i kujtojë”. /tesheshi.com/