Për të shkruar për këtë fushë shumë të rëndësishme, për të formësuar e përcaktuar kufijtë e shtetit të Kosovës, duhet me qenë mirë i informuar, me pas qasje të duhur e transparente në punën e Komisionit Shtetëror, aq sa e lejojnë rregullat për sigurinë kombëtare të shtetit. Për fat të keq, ky proces ka qenë tërësisht jo transparent, e më së paku për opinionin profesional, i cili do të kishte mundësi të kontribuonte me diturinë e vet në këtë punë të ndërlikuar të vijave kufitare, posaçërisht në Ballkan. Kufijtë e ndarjes së popullit shqiptar në pesë shtete i kanë përcaktuar fuqitë e mëdha, që për ne shqiptarët në të gjitha rastet kanë qenë të dëmshme, pasi asnjëherë nuk jemi renditur pas ndonjë fuqie të madhe botërore; me fjalë tjera, kemi qenë të vetmuar, jetimë.
Kohë pas kohe opinioni është informuar për reagimet e banorëve që kanë prona në atë zonë kufitare. Komisioni shtetëror i ka përcaktuar disa kritere skajshmërisht të dëmshme për ata banorë, të cilët u detyruan edhe në mënyrë demonstrative ta shprehin pakënaqësitë e tyre me punën e komisionit, që në mënyrë autoritative ka vepruar duke përdorur vetëm kriteret gjeodezike (ngastrave-parcelave kadastrale), apo Dokumentet Hapësinore të Komunës së Pejës, çka tregon joseriozitet ekstrem në punën e tyre. Çështja e caktimit të vijës së demarkacionit është shumë më komplekse; është dashur të përfshihen të gjitha elementet e duhura për të pasur rezultate sa më të sakta në këtë proces të ndërlikuar.
Në rastin konkret, nuk është punuar sa duhet me banorët që i kanë pronat atje, nuk është tentuar që me durim dhe me argumente profesionale të binden pronarët për të drejtën/arsyet se si kanë vepruar ata si komision. Vetëm kyçja aktive e tyre në këtë proces do të hiqte shumë dilema, por pushtetarët tanë nuk ishin të gatshëm për këtë, pasi kjo kërkon shumë punë, e kjo si duket po u kthehet në bumerang.
Nuk duhet përjashtuar as ana manipulative e ca njerëzve që dëshirojnë ta shfrytëzojnë momentin e favorshëm për të përfituar. Por ato tendenca është dashur të izolohen që në fillim me forcën e argumenteve teknike që janë të shumta; vetëm se duhej një punë e mundimshme, që si duket ka munguar nga ana e komisionit. Puna e tyre kërkon kohë (në rastin konkret, tre vite), e duhet përkushtim dhe angazhim i madh; kjo duhej të ishte punë parësore e komisionit, e jo si është vepruar në rastin konkret. Natyrisht kjo punë duhet kompensuar si në tërë botën,e mos të trajtohet si çështje dytësore, apo si ndonjë “honorar i lehtë përfitues”, siç janë mësuar disa. Pasi ka përgjegjësi tejet të madhe, siç po shihet në rastin konkret, ngaqë nuk caktohet vija ndërshtetërore për çdo vit.
Nëse do të ishte punuar me profesionalizëm të lartë, atëherë edhe ndërhyrja e politikës nuk do të kishte hapësirë. Gjithçka erdhi nga mungesa elementare e bashkëpunimit me të gjithë spektrin profesional, që u vërtetua se në Kosovë nuk mungon. Edhe Rezoluta e Qershorit, e aprovuar në Kuvendin e Kosovës, në lidhje me shënimin e kufirit me Malin e Zi, u tregua se nuk ishte obliguese për qeverinë tonë, që paraprakisht duhej të bënte harmonizimin e qëndrimeve me opozitën dhe të tjerët para nënshkrimit të marrëveshjes. Befasoi kryeneçësia e politikbërësve tanë, që në thelb i shpërfillën të gjitha sugjerimet dhe vërejtjet e shpalosura para nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit, të bërë më 26 gusht në Vjenë. Fati i mirë është që ajo u aktualizua dhe duhet të ratifikohet në Parlamentin e Kosovës, ku nëse dokumentohen shkeljet e pretenduara, nuk duhej të kalojë, edhe pse pozita me numrin e votave ka mundësi ta bëjë një veprim të tillë, me premisa të tradhtisë kombëtare, siç na ka ndodhur disa herë gjatë historisë tonë.
Sot e kemi teknologjinë GIS, me anën të së cilës, me një punë të përkushtuar profesionale, shumë lehtë ka qenë e mundur që së bashku me Komisionin Shtetëror të Malit të zi të definohen të gjitha çështjet kontestuese. Posaçërisht ato të banorëve të zonës ndërkufitare nga ana e Kosovës, që për shkaqe të ndryshme historike dhe hegjemoniste sllave, apo gjeostrategjike, kanë mbetur të pazgjidhura, ashtu siç pretendohet nga ana e tyre. Botërisht dihet se si janë caktuar vijat kufitare para 100 viteve, e zakonisht në dëm të shqiptarëve të këtyre anëve.
Kur për herë të parë kishim mundësi të vendosim për vetveten është dashur së paku që ky proces të jetë transparent, gjithëpërfshirës, i analizuar hollësisht, i punuar në mënyrë korrekte, që të korrigjohen padrejtësitë e mëdha që u janë bërë këtyre banorëve të Kosovës në të shkuarën. Për të arritur këto objektiva është dashur të kërkohet punë e vazhdueshme e Komisionit Shtetëror, bashkëpunim dhe angazhim i tërë spektrit profesional, si bashkëpunëtorë të jashtëm të komisionit, pa ndasi politike, pasi Kosova na përket të gjithëve ne, dhe është absurde të ketë këso dallimesh.
Kundërshtarët e vijës kufitare po e argumentojnë këtë proces, por vetëm në mjetet e informimit. Kjo për mua është tregues se përse nuk pati ballafaqim televiziv pro dhe kundër, ku të dyja palët t’i shpalosnin argumentet e tyre. Ama mendoj se kanë të drejtë kundërshtarët e punës së komisionit; kjo mund të jetë vetëm njëra anë e medaljes, po shpresoj me argumente teknike e jo politike, siç e kemi ves të bëjmë. Tani na pret ballafaqimi i ri me palën malazeze, ku shpresoj se do të dominojnë argumentet profesionale nga ana jonë, për t’i korrigjuar gabimet paraprake të komisionit; e tëra kjo kërkon dituri, punë dhe angazhim të madh e të mundimshëm, që deri më tani nuk i ka karakterizuar shqiptarët e Kosovës.
Janë dëshpëruese veprimet e këtyre ditëve të qeverisë së Kosovës pas presioneve të mëdha të banorëve të zonës kufitare, të opozitës, e së fundi edhe të disa ekspertëve; ajo propozon formimin e një komisioni ndërkombëtar për demarkacionin, për të verifikuar atë çfarë ka bërë komisioni shtetëror, e në bazë të të cilit është nënshkruar marrëveshja me Malin e Zi. Parësore duhej të ishte puna e përbashkët e të gjithë ekspertëve vendorë, pa dallime regjionale, klanore apo partiake. Duhej të ishte obligim kryesor i qeverisë së Kosovës t’u siguronte kushtet, si bartëse kryesore e procesit. Këtu e shoh dështimin më të madh të vendimmarrësve tanë, e jo te formimi i një komisioni tjetër. Ndërkombëtarët mund të angazhohen vetëm si konsulentë të jashtëm në proces, pasi Kosova ka specialistë të kësaj fushe dhe të fushave të tjera. Vetëm se ata duhet të angazhohen të punojnë së bashku në punë ekipore, gjë e cila ka munguar deri tani të bëhet. Duhen pyetur vendimmarrësit tonë pse nuk është vepruar kështu .
Kjo tregon një të vërtetë tragjikomike, se si ka punuar deri tani qeveria aktuale. Asgjë nuk është e re në këtë aspekt, pasi edhe qeveria e kaluar, si edhe ato pararendëset, kanë vepruar ngjashëm, duke mos mbajtur përgjegjësi, duke mos dhënë llogari për veprimet e tyre, duke i margjinalizuar, anatemuar e nënçmuar ekspertët e vërtetë të fushave përkatëse, duke i favorizuar ”ekspertët partiakë” e të padijshëm. Nuk duhen harruar edhe obligimet ndërkombëtare që jemi të detyruar t’i kryejmë, e të përmbushura në të shumtën e rasteve gabimisht nga mosdija dhe mungesa e punës sonë. Prandaj e kemi situatën e tillë në Kosovë, pa perspektivë për gjeneratat e reja.
Njëlloj siç duket është vepruar edhe me caktimin e kufirit me Maqedoninë para disa viteve, po banorët e atyre anëve nuk ishin këmbëngulës si këta të Rugovës. Jo zyrtarisht flitet për mbi 3000 km2 të humbura në zonat e Debëldesë dhe Mjakut, por që duhen argumentuar me fakte relevante, e jo me thashetheme.
Dëmet që po i shkaktohen shtetit të Kosovës janë marramendëse, me pasoja afatgjata. Vendimmarrësit kosovarë duhet ta kenë të qartë njëherë e përgjithmonë se për çështje madhore, siç është shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi, duhet medoemos të vendosin së bashku pozita dhe opozita në Parlamentin e Kosovës, pasi kemi sfida edhe më të ndërlikuara që do të pasojnë në të ardhmen e afërt. Faktori kohë nuk po merret në konsideratë, dhe kështu të gjitha këto veprime të dëmshme po i paguajmë të tërë ne, ndërsa reputacioni i shtetit të Kosovës po degradon çdo ditë. Deri kur kështu? /tesheshi.com/