Javën që shkoi u çel në Milano, si çdo vit, Salloni i Librit Antik. Ndofta është përshtypja ime ose ndofta ma shtinë në mendje miqtë e shumtë që takova kësaj here, por sot, krahas tregtimit të dorëshkrimeve në miniaturë dhe atlasëve të shekullit XVII me çmime aspak joshëse, po përhapet gjithnjë e më shumë “modernariati”. Botimi i parë i librit të Montale-s “Kocka sepieje” ose ai i Campana-s “Këngë orfike” kushtojnë më shtrenjtë se disa inkunabule.
Por, fundja, po ta mendosh mirë, pas pak kohësh këto libra do t`i takojnë shekullit të mëparshëm, e atëherë do të shihet se ata kanë qenë shtypur në shumë pak kopje sesa disa botime “Ciceroni” të Manizio-s.
Meqenëse ishte fjala për gjëra të rralla, u thashë librarëve dhe koleksionistëve se rasti ma kishte sjellë të kisha në dorë një thesar bibliografik. Ç`është e vërteta, sapo kisha marrë, (në fakt, ia kishin dërguar botuesit tim Bompiani që para një muaji) katër kopje të përkthimit tim në Shqipëri të librit tim “Emri i trëndafilit”, dalë nga shtypi në fund të vitit 1996 ose në fillim të 1997-s. Duke bërë një llogari të thjeshtë më dilte se, për shkak të tragjedisë së piramidave mashtruese, askush nuk do të kishte pasur të holla për ta blerë, prandaj ai do të ishte libri më pak i shitur i universit. Gjithashtu, në valën e plaçkitjeve të shumta, magazina e botuesit duhej të kishte marrë zjarr; kështu që katër kopjet e mija duhet të ishin të vetmet që kishin shpëtuar..”Sa i vlerësoni?”, pyesja. Mund të isha i vetmi (bashkë me mafien) që do të nxirrte përfitime ekonomike nga tragjedia shqiptare.
Por, le t`i lemë shakatë. Episodi të frymëzon vërtet për të reflektuar. Gjatë një transmetimi të Santor-s ditë më parë, pashë një ndeshje midis “të mirëve” dhe “të këqinjëve” lidhur me çështjen shqiptare. Merrnin pjesë si italianë ashtu dhe emigrantë shqiptarë të ngritur e njerëz të fjalës. Pavarësisht nga opinionet e ndryshme, ‘të mirët’ bashkoheshin në atë se alternativa e vetme ishte që të gjithë fatkeqët që ikin nga ai vend i egër duhej të mirëpriteshin. Ndërsa ‘të këqinjtë’ thoshin se ai popull hajdutësh e prostitutash duhej hedhur në det.
Shqiptarët e ngritur kërkonin një Pelikian 2 që do ta ndihmonte popullin e tyre fatkeq të rimerrte veten pas pesëdhjetë vitesh diktaturë të errët për të gjetur më në fund demokracinë.
Këtu askush nuk na thotë (e di me siguri qe episodi i librit tim është vetëm ndër të shumtët) se ekziston një Shqipëri e ngritur, që në këto pak vite ka bërë, pa dyshim, përpjekje të mëdha për t`u vënë në korrent të atyre çka kanë ndodhur në botë në gjysmën e dytë të këtij shekulli, ndonëse me shumë sakrifica; një Shqipëri që nuk ka parë vetëm televizion Italian, që me lodrat e fatit premton thasë me para; një Shqipëri me njerëz që studiojnë dhe lexojnë, të cilët i kemi patur miq nëpër universitete apo që shpesh na kanë dërguar librat e tyre, (të shtypur keq, por ama me bibliografi të azhurnuar).
Kush na flet neve për këtë Shqipëri? Çfarë po bën ajo? Eshtë njësoj sikur Italia e shumë dekadave më pare të njihej në Amerikë vetëm si vendi i Al Kapones dhe i emigrantëve analfabetë, ndërkohë që ai ishte dhe vendi i Benedeto Kroçes.
Tani nuk po diskutojmë se ka apo nuk ka ndonjë Benedeto Kroçe shqiptar, por thjesht dua të them se Brazili nuk përfaqsohet vetëm nga viados, por dhe nga Jorge Amado, se Afrika nuk prodhon vetëm çakmakë, por nxjerr dhe Wole Soyinka.
Çështja që po diskutojmë ka dhë një aspekt tjetër, i cili duhet prekur për hir të objektivitetit. Gjatë emisionit që përmendëm, shqiptarët e ngritur kërkonin nga italianët që të ndërhynin për t`ia rikthyer demokracinë popullit të tyre, ndërsa ‘të këqinjtë’ i qortuan këta se po qëndronin si dezertorë në Itali. Akuzë e padrejtë, pasi disa prej tyre ishin emigrantë politikë, ndërsa të tjerët ishin në Itali me studime, sikurse shumë italianë studiojnë sot në SHBA.
Apo ajo çka më bëri më shumë përshtypje qe fakti se askush nga shqiptarët e italianizuar nuk bëri ndonjë propozim për të krijuar një bërthamë të parë të një grupi vullnetarësh, të gatshëm për të shoqëruar një ekspeditë të mundshme italianësh si përkthyes, ndërmjetës apo informues kompetentë. Keta jo vetëm do të luanin rolin e një amortizatori të pazëvëndësueshëm mes shpëtimtarëve dhe të shpëtuarve që flasin dy gjuhë të ndryshme, por, me kalimin e gjendjes së emergjencës (që falë ndihmës së tyre do të ishte më pak emergjente), si dhe me rivendosjen në Shqipëri të kushteve minimale të bashkëekzistencës, do të mund të merrnin përsipër “barrën” e patriotëve, si pararojë për rindërtimin e demokracisë.
Kam mendimin se Europës i duhet kërkuar një përpjekje, qoftë kjo dhe e mundimshme, për të rindërtuar Shqipërinë. Them se nuk duhen fajësuar ata fatkeqë që, pa zbritur mirë nga barkat e gomës, fillojnë dhe sillen në mënyrë të pahijshme. Them gjithashtu se u duhet kërkuar shqiptarëve të mësuar, të cilët jetojnë në vende të zhvilluara, që të mos mjaftohen t`u kërkojnë ndihmë colmochin-ëve tanë vetëm sa për të kaluar një mëngë deti, por të ofrohen si pjesëmarrës në një trupë me mision paqësor. Një ndërhyrje në punët e një populli tjetër ka gjithnjë dy tehe, madje shumë vetë e shohin atë si ndërhyrje të paligjshme. Një trupë vullnetarësh të lirisë, e përbërë nga vetë shqiptarët, do të zhdukte shumë dyshime e do të pakësonte shumë pengesa.
Edhe antifashistët italianë të mërguar në Francë, pas 8 shtatorit u kthyen në vendin e tyre.
L`Espresso, 3 prill 1997. Përkthyer nga Kristina Jorgaqi.