Shpesh ndodh tek ata të cilët mbajnë qëndrime publike mes komuniteteve të ndryshme, përfshi këtu edhe ato akademike e shkencore, dhe jo vetëm në Kosovë, që kur, p.sh., analizojnë ndonjë konflikt të armatosur, merren me llojin e armëve, e jo me natyrën e konfliktit. Kështu rastisi të ngjasë edhe në Kosovë. Qeveritarë e joqeveritarë, partiakë e apartiakë, nuk kanë të ndalur së diskutuari për gazin lotsjellës dhe vezët. Po të ndalosh të mendosh pak, me të vërtetë fillon të perceptosh se vezët dhe gazi lotsjellës janë problemi. Jam i mendimit se ishte mjaft e vlefshme kur shumica pyeti se përse po përdoret gazi lotsjellës, dhe përse po gjuajnë me vezë. E pse de? Askush përsëri nuk dha përgjigje, ngaqë, në fakt, nuk u morën me substancën e pyetjes që me të drejtë e shtruan vetë, por u morën me elementet e saj, pra, me gazin dhe vezët. Pse u përdor gazi dhe pse u gjuajt me vezë mendoj se kërkon studim më të thellë të situatës politike e shoqërore në vend, dhe kjo duhet të shkojë më larg se diskutimi për “revolucionarizmin”, “radikalizmin”, “jashtëinstitucionalizmin” e një subjekti politik.
Po të vështrohen shoqëritë e ndryshme në botë, vërehet lehtë se disa përbrendësojnë një kohezion shoqëror që mbahet edhe pa llogaritur shumë përdorimin e forcës, monopoli i së cilës në modernitet i ka kaluar shtetit. Me këtë çështje kyçe politike janë marrë mendimtarë, prej asaj çka dimë, qysh më shumë se para 2300 viteve. Mainstream-i politik e gjen përgjigjen në ditët e sotme, sipas Charles Taylor-it, tek koncepti i “legjitimitetit”, e që nuk është vështirë t’i kuptohet domethënia. Sipas Taylor-it, “ato shoqëri që janë spontanisht më kohezive mund të mendohet se gëzojnë një sens të legjitimitetit mes anëtarëve të tyre”. Po ashtu, nuk duhet të jetë e vështirë të kuptohet që ky koncept ka të bëjë me autoritetin e shtetit dhe të drejtën e tij për besimin e shoqërisë. Edhe Seymour Lipset është marrë me të njëjtën çështje, dhe thotë se “legjitimiteti përfshin kapacitetin e sistemit për të sjellë dhe për të mbajtur besimin se institucionet ekzistuese politike janë më të përshtatshmet për shoqërinë”.
A ka arritur Kosova të krijojë autoritet shtetëror që me të drejtë mund ta ketë besimin e shoqërisë për t’iu nënshtruar një autoriteti legjitim, dhe a e ka krijuar besimin se këto institucione që i ka janë më të përshtatshmet për shoqërinë? Edhe pse nuk kemi kohë për t’u marrë thukët me këto dy pyetje, mendoj se përgjigjet e sinqerta në to na lejojnë të shkëputemi nga përqendrimi i pakuptimtë tek gazi dhe vezët, e të merremi me rrethanat që mund ta zbusin, por edhe ta egërsojnë, shoqërinë apo subjektet politike kundrejt një autoriteti shtetëror, siç edhe po shohim ditët e fundit. Pra, edhe të sjellin kohezion shoqëror, për çka nuk ka nevojë për përdorimin e forcës ligjore e joligjore, legjitime e jolegjitime, në njërën anë, por edhe të sjellin dhunë, në rastin më të mirë, si përdorimin e gazit dhe të vezëve, në anën tjetër.
Edhe pse shkaktarët e tharjes së kohezionit shoqëror qëndrojnë shumë më larg në kohë, sot po shohim disa simptoma të tij, e disa rrethana më të freskëta politike në kujtesën tonë mendoj se janë të nevojshme për t’u diskutuar. Vërehet shpesh në Kosovë që legjitimiteti i një pushteti matet me numrin e ulëseve në Kuvend, apo me numrin e votave. Mendoj se është pikënisje e mirë për matjen e legjitimitetit, por të ndalesh aty e bën njërin të jetë shumë pak i vetëdijshëm politikisht. Ishte ky lloj i këndvështrimit politik në vend që nuk u çudit fare me vendimin revolucionar e radikal të LDK-së, që në mënyrë arbitrare, pa fije minimale të etikës politike, brenda natës, ta lëshojë një qëndrim të caktuar e ta kapë një qëndrim radikalisht të kundërt. Shumë pak u rrëqethën nga arbitrariteti. Nuk u morëm me substancën dhe burimin e arbitraritetit të tillë revolucionar politik. Nuk pyetëm, dhe, si rrjedhojë, nuk u përgjigjëm, se nëse pushteti krijohet arbitrarisht, çfarë arbitraritete të tjera mund të na sjellë ai pushtet brenda natës?
Kjo ndodhte edhe atëherë kur mafiozllëku kushtetues shihej nga secili me vetëdije minimale politike; ku “legjitimiteti” u kontrabandua me argumentin e kushtetutës, duke i mbyllur sytë (me qëllim) ndaj mafiozllëkut, e kështu duke i pastruar kushtetutën dhe kontrabanduesit e saj në gjykatën e vet. Por ndaj këtij vendimi radikal nuk u reagua nga shumica e kritikuesve të sotëm të vezëve dhe të gazit, sepse për ta mjaftonte logjika e legjitimitetit me vota dhe me ulëse. Ndërkaq, qëndrimet formale të masës kritike në vend u shpalosën atëherë kur pushteti arbitrar u vulos nga disa ambasada të huaja. Kur një pushtet është legjitim për partnerët historikë e mitikë të Kosovës, legjitimiteti i tij nuk guxon të vihet në pikëpyetje nga shoqëria (civile) dhe masat e tjera kritike në Kosovë, sepse vetë pushteti bëhet për ta pastaj historik e mitik! E po, a po e sheh që nuk bëhet bash ashtu? Sepse kërcet! Ndoshta nuk ka nevojë të renditen rastet thuajse të pafundme të historisë moderne kur shoqëria kërcet një ditë.
Problemi tjetër i legjitimitetit të pushtetit që sjell situata të cilat theksojnë tharjen e kohezionit shoqëror janë mënyrat e ndryshme si udhëheqësit në Kosovë e marrin pajtueshmërinë, dhe me të, edhe guximin për vendimet politike. Robert Dahl thotë me të drejtë te “Analiza e Politikës Moderne” se sa më shumë që qytetarët të pajtohen për shkak të “shpërblimeve të brendshme”, aq më pak liderët kanë nevojë të përdorin “shpërblime të jashtme”. Apo, të kthehet mbrapsht kjo, në rastin e Kosovës, sa më pak “shpërblehen” apo shërbehen qytetarët nga pushteti, aq më shumë ai pushtet ka nevojë për “shpërblime” të jashtme. Që nga shpallja e pavarësisë, influencat dhe hisedarët nga jashtë, përfshirë edhe Serbinë, janë mjaft të theksuara, në mos në rritje, në politikbërjen vendore. Shpërblimi që pushteti merr nga jashtë është vetë ai, pushteti, e ky është shpërblim i madh, aq sa për të mos punuar për “shpërblime” të brendshme për qytetarët. Sa për ta përmbledhur, është naive të mos shihet që kur pushteti shpërblehet nga jashtë, ai pushtet duhet të punojë për jashtë. Nejse, rastisa ta shoh së fundmi një reagim të shoqërisë civile, ku në një pjesë thuhej: “Dhuna si mjet i veprimit politik është e papranueshme në sistemet me vlera demokratike”. A po e shihni pse nuk mund të ndalet dhuna? Jo pse diku në hapësirë ka vezë e gaz që dikush i përdor, por për shkak se shoqëria civile pretendon që Kosova është sistem me vlera demokratike!
Për ta përmbyllur me një dallim të vogël, por të rëndësishëm, mes shoqërisë dhe subjekteve politike, vlen të theksohet se duhet ta kemi brengë të madhe faktin që janë subjektet opozitare ato që përdorin vezë e gaz në këto rrethana, e asnjë qytetar i vetëm, e lëre më ndonjë grupacion kritik, që assesi nuk po mund të gjendet diku mes shoqërisë (civile), ashtu siç e do çdo vend i zhvilluar, me vlera të mirëfillta demokratike. Nuk ka nevojë shoqëria civile në tërësi të jetë e dhunshme, sepse natyra e saj është mjaft e gjerë. E për shkak të kësaj natyre, është po ashtu e pakuptimtë që brenda saj nuk ka, as me një përqindje të vogël, ndonjë mendim kritik e pozitivisht radikal ndaj faktorëve që po shkaktojnë tharjen e kohezionit shoqërorë para syve tanë. Në fakt, jo vetëm vezët, por duhet të përdoret edhe uji, mielli, balta, dhe çdo gjë tjetër që poshtëron, por nuk lëndon (fizikisht); metoda këto më të përdorurat ndaj kryeministrave e presidentëve në demokracitë, siç janë Anglia, Gjermania, e shumë të tjera. E nëse si shoqëri këtë metodë nuk e përbrendësojmë në shumë segmente, dhe atë ua lëmë subjekteve politike me qëllime pushtetare, besoj se shumë shpejt çadra, maska e gazit dhe jeleku antiplumb do të bëhen pjesë kyçe e elementeve shtëpiake. E kjo përshpejtohet nëse shoqëria (civile) vazhdon me të vërtetë t’i shohë këto pushtete si mjete për ruajtjen e vlerave demokratike në vend; pushtete që me distancimin e tyre të vazhdueshëm ndaj nevojave të qytetarëve po punojnë mjaft në tharjen e kohezionit shoqëror. Prej realitetit objektiv të saj, kjo sjell dhunë, në ishte apo nuk ishte i pranishëm ndonjë subjekt i dhunshëm. Tharja e kohezionit shoqëror do ta krijonte prapëseprapë së paku një të tillë, edhe po të mos ishte, na pëlqen a s’na pëlqen! /tesheshi.com/