Presidenca e ka ndryshuar Barak Obamën. Flokët e tij janë bërë gri, gjë që pritej dhe ai duket më i plakur, gjë që gjithashtu pritej, por elokuenca e tij është zëvendësuar nga shpërthime zemërake dhe ai ka humbur aftësinë për të bindur njerëzit, gjë që vjen si surprizë.
Mund të spekulosh se nëse Britaninë nuk do ta drejtonte Winston Churchill gjatë Luftës së Dytë Botërore, por në vend të tij Obama, atëherë teatrot tashmë do ishin duke shfaqur Hamletin në gjermanisht.
Presidenti ka humbur zërin, kjo është e sigurtë. Numrat thonë kështu. Obama ka miratimin e vetëm 44 për qind të popullit amerikan. Gjatë kohës së tij në detyrë, kongresi dhe pjesa më e madhe e kombit janë bërë republikanë- shtet pas shteti, guvernator pas guvernatori (shpejt do të jenë 32)- një festë e mahnitshme po të mendosh që GOP është shndërruar në partinë Nuk Di Asgjë e kjo në të gjitha kuptimet.
Nuk është se Obama ka humbur talentin e elokuencës. Problemi i tij është se shpesh nuk ka se çfarë të thojë. Kur ai doli pas vrasjes masive në qershor, në një kishë në Charleston, S.C., provoi se di të jetë prekës dhe elokuent. Eshtë për politikën e jashtme në mënyrë të veçantë që ai bëhet bosh dhe i ftohtë. Politika e tij, në fund të fundit, është shmangia e një tjetër baltovine në Lindjen e Mesme. Kjo e detyron thirrjen për veprim, të bëjë sa më pak të jetë e mundur.
Mungesa e vetëshkaktuar e Obamës ishte e dukshme në deklaratën që ai dha pas sulmeve terroriste të Parisit. Përkundër shumë vrasjeve të tjera masive, kjo ishte transmetuar në kohë reale, duke u shfaqur në televizion ashtu si ndodhi. Sulmet i lanë Shtetet e Bashkuara si të tronditura ashtu edhe të tmerruara. Megjithatë, Obama foli ftohtë, përmendësh, duke thënë të gjithë gjërat e duhura në mënyrën sesi një pastor kryen procedurat e funeralit të një personi krejtësisht të panjohur.
Presidenti është në gjendje të bëjë më shumë dhe vërtet, pas kritikave, ai bëri më shumë. Por, ai është një burrë i kujdesshëm që trembet se mos retorika e lë në baltë. Kjo ka ndodhur një herë më parë kur ai lëshoi paralajmërimin për “vijën e kuqe” për Sirinëm e më pas, pas disa reflektimesh, e kaloi sikur të mos e kishte thënë asnjëherë. Rezultati ka qenë një shpartallim i politikës së jashtme, e cila ka marrë përmasat e Obamës. Ai është nxjerrë jashtë nga loja.
Dilema e Obamës nuk është vetëm se nuk gjen dot fjalët për të artikuluar politikën e tij. Ai edhe nuk mund ta zbatojë këtë politikë. Hezitimi i tij fillestar për të vepruar në Libi u largua, kur Moammar Gaddafi kërcënoi se do të masakronte opozitën dhe francezët morën drejtimin.
Vendosmëria e tij për të mbetur jashtë Irakut u rrëzua nga kërcënimet për genocid ndaj komunitetit Yazidis. Iraku kaloi në kolaps, ISIS u shfaq sikur mbiu nga asgjëja. Pengjeve amerikanë iu pre koka. Gratë u skllavëruan. Politika e mosdërgimit të trupave në terren u shndërrua në politikën e dërgimit të disa trupave në terren dhe më pas një pjesë e tyre ndihmuan kurdët dhe u miksuan me ISIS. Realiteti i vuri shkelmin politikës e cila u shpartallua shkallë pas shkalle.
Lufta e Irakut e George W.Bush ishte një mësim për të gjithë ne. Por, që nga nisja e krizës siriane, askush me mend në kokë po propozonte ta bënte këtë luftë nga e para. Në vend të kësaj, propozimi ishte ndërhyrja e hershme dhe përpjekjet për të shmangur banjat e gjakut dhe tmerret humanitare që rezultuan më pas. Ideja ishte të bëhej më shumë sesa thjesht t’i thuhej Bashar al-Assad të rikthehej e të praktikonte oftamologjinë në Londër, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët bënin disa veprime, si rrëzimi i helikopterëve të Assadit. Dhe kur erdhi puna tek ISIS, propozimet ishin të bëhej më shumë sesa sulmet e para të papërshtatshme ajrore, por të vendoseshin informatorë në terren dhe të trajnoheshin luftëtarët anti-Assad që tashmë kishin rolin e tyre në betejë.
Siç ndodhi, Shtetet e Bashkuara arritën të mblidhnin një ushtri me vetëm gjysëm duzine ushtarë.
Obama është i kufizuar nga perspektiva e një Iraku tjetër. Ai mbron politikën e tij të minimalizmit me një arrogancë të pakëndshme: “Nëse njerëzit duan të kërcasin e të kenë opinione…”. Ai tha se kishte parë në spitalin Walter Reed “një 25-vjeçar që ishte paralizuar apo kishte humbur gjymtyrët… dhe kështu unë nuk mund të kem luksin të luaj disa lojëra politike që të tjerët munden”. Po, e vërtetë, disa kandidatë republikanë po luajnë, por kritikët e Obamës në sondazhe dhe gjetkë janë të vdekur, seriozisht. Përveç kësaj, jeta paraqet edhe zgjedhje të këqija. Gjymtyrë janë humbur edhe në Paris, gjithashtu.
Në një masë të madhe, Obama u bë president për shkak të fuqisë së elokuencës së tij. Në një masë të madhe, elokuenca ishte ajo që e dezertoi. Ai ka mbetur pa fjalë pasi ka mbetur pa ide. Si rrjedhim, ai duhet të dëgjojë të tjerët. Nuk janë ata që “kërcasin”. Ai është.
*Richard Cohen është kolumnist i “The Washington Post”
Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/