Ngjarjet e fundit në Paris dhe Kopenhagen, por edhe më heret kur në emër të lirisë së shprehjes u mor pafajësia e letrës së bardhë duke e ngarkuar me vizatime te cilat në fund të fundit ishin karikatura të vetë lirisë, risollën në vëmendjen e audiencave nevojen për një rimoralizim të lirisë përmes rikuptimit të saj. Për këtë nevojitet një ndërhyje në arkitekturën se si liria është ndërtuar në botëkuptimin modern, për të kuptuar nëse pafundësia e kësaj lirie e ka apo jo një fund.
Liria e shprehjes është një e drejtë themelore në shoqëritë demokratike. Ajo e merr këtë atribut në sajë të nenit 19 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, nga neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe nga neni 19 i Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike. Por megjithë këtë fakt, liria e shprehjes nuk gëzon atributet e një të drejte absolute për arsye se ajo përmban në vetvehte ashtu si detyra të specifikuara edhe përgjegjësi në raport me shoqërinë, për këtë arsye ajo i nënshtrohet ligjërisht terreneve juridike kufizuese. Kështu ne gjejmë shumë shtete që kanë hartuar një kuadër ligjor kundra gjuhës së urrejtjes mbi bazë racore dhe fetare, të tilla si Gjermania, Kanadaja, Anglia, Franca, Danimarka, Australia, Zelanda e Re, legjislacioni i të cilave për rastin konkret ndalon publikimin e deklarimeve nga të cilat një person apo grup njerëzish të ndjehen të diskriminuar për arsye të racës, ngjyrës, besimit apo edhe origjinës etnike. Ndërsa kur bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara, legjislacioni është i pakushtëzuar, i hapur në lidhje me gjuhën e urrejtjes duke u mbështetur tek Amendimi i Parë i Kushtetutës amerikane. Alexander Meiklejohn në analizën që i bën dispozitave të Amendamentit të Parë të Kushtetutës Amerikane në librin “Political Freedom”, shprehet se ky amendament zanafilloi si zgjidhja përfundimtare e problemeve të lirisë së shprehjes por më vonë u pa një konflikt i cili doli në sipërfaqe mes dy grupimeve të interesave sociale, konflikt mes promovimit të fjalës së lirë dhe interesit social i cili dëmtohej nga ushtrimi i saj. Ndërkohë që promovimi i fjalës së lirë gjeti mbështetje ligjore, një gjë e tillë nuk arriti të shtrihej deri tek mbrojtja e vlerave të dëmtuara pikërisht gjatë ushtrimit të lirisë së shprehjes duke u transformuar në përceptimin e përgjithshëm të një antagonizmi mes lirisë së shprehjes dhe interesit publik.
Në të vërtetë ka raste kur të drejtat juridike mund të përplasen, por kjo konsiderohet si përjashtim. Ajo që ndodh në rastin e përplasjes së lirisë së shprehjes dhe dëmeve që ajo i shkakton interesit publik është kthimi i një përjashtimi në rregull të përhershëm, pra një konflikt juridik jo i përkohshëm por që ka zënë rrënjë dhe kërkon zgjidhje në çdo situatë sociale. Nga ana tjetër, Ligji Ndërkombëtar i të Drejtave të Njeriut e pajis individin me të drejtën e lirisë së besimit. Kjo liri përfshin pasjen e një feje apo edhe proçesin e adoptimit me një fe tjetër, gjithashtu edhe të drejtën e praktikimit të këtij besimi në hapësirat e shoqërisë. Por, pavarësisht kësaj, ky ligj nuk e merr në konsideratë përjashtimin e religjionit nga përqeshja apo fyerja, gjë e cila lidhet direkt me respektimin e ndjenjave besimore te individit. Në këtë kuadër edhe shtypi apo masmedia, si forma komunikimi prej të cilave realizohet liria e shprehjes në hapësirat publike, qëllim primar të tyre kanë zhvarrosjen e të vertetës dhe nxjerrjen e saj në vëmendjen e interesit shoqëror. Po ashtu detyrë themelore e mediumeve është të përcjellin informacione në bazë të kriterit të të vërtetës në përputhje me atë që quhet interesi i përgjithshëm duke e bashkëshoqëruar këtë me detyra dhe përgjegjësi.
Si shtyllë themelore e shoqërive demokratike liria e shtypit e ka të caktuar masën e saj të kalimit të kufirit, dhe nëse do të duhej ta bënte këtë, atëhere Komiteti për të Drejtat e Njeriut si dhe Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike shprehet se, edhe pse liria e shprehjes është bazike për shoqëritë demokratike ajo i nënshtrohet të drejtës për kufizime apo shtrëngime të cilat duhet të kenë si justifikim bazë interesin publik. Dallimin mes interesit publik dhe atij privat e bën koncepti i lirisë së mendimit i cili në ndryshim nga liria e shprehjes, bazuar në sa thamë më sipër, nuk i nënshtrohet kufizimeve. Liria e mendimit në bazë të nenit 9 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 18 të ICCPR, është liri absolute dhe nuk bën pjesë në asnjë lloj të kufizimit juridik.
Në veprën e tij “Natyra dhe Burimet i Ligjit”, John Gray ndërton një strukturë trekëndore të problemeve që implikojnë lirinë e shprehjes dhe dëmet që ajo mund t’i shkaktojë interesit shoqëror. Së pari, qëndron e drejta e atyre të cilët dëshirojnë të shprehen lirshëm apo të jenë të lirshëm të dëgjojnë të tjerët të shprehen. Së dyti, qëndron pjesa tjetër e shoqërisë të drejtat e të cilëve mund të cënohen apo dëmtohen nga e drejta e të tjerëve për t’u shprehur lirshëm. Së treti, qëndron shteti i cili është përgjegjës për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të dy grupimeve të mësipërme. Në këtë kuptim të drejtat e të dy grupimeve të para, në konceptin modern juridik, mund të konsiderohen në të njëjtën kohë si interesa shoqërore dhe roli i shtetit qëndron pikërisht në mbrojtjen e tyre ngase interesi shtetëror është i pandarë nga interesi publik (social). Pra, fenomeni duhet parë si ndërveprim të drejtash dhe lirish, i cili shndërrohet në konflikt në momentin që shteti si rregullator i këtyre të drejtave, që në të njëjtën kohë janë edhe interesa, të sigurojë mbrojtje ligjore vetëm për njërën dhe duke e lënë tjetrin të pambuluar ose pjesërisht të mbuluar ligjërisht. Mekanizmat ligjorë të Konventës Evropiane si dhe Konventës për të Drejtat Civile dhe Politike, janë në vetvehte autorizime ligjore për shtetet anëtare të këtyre konventave, për të aplikuar kufizime të zbatimit të lirisë së shprehjes në momentet kur kjo liri cënon sigurinë publike në kontekstin kolektiv dhe kur ajo cënon dinjitetin e personit në kontekstin individual. Ky autorizim ligjor përbën një formë të detyrueshme kufizimi për sa kohë shtetet anëtarë kanë pranuar këtë trajtim juridik të lirisë në fjalë dhe ato nuk mundet ta trajtojnë lirinë shprehjes jashtë këtij kuardi ligjor të rënë dakort në mes tyre. Këtë e konfirmon Neni 20 i ICCPR-së (Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike) në të cilin theksohet se shtetet anëtare duhet të ndalojnë me ligj:“çdo avokaturë ndaj urrejtjes me bazë kombi, race apo feje e cila mund të përbëjë nxitje për diskriminim, konflikt dhe dhunë”. I njëjti obligim ligjor vjen edhe nga Konventa Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor (CERD) në Nenin 4(a) të saj në të cilën udhëzon shtetet anëtare që :
…të deklarojnë çdo akt që konsiderohet fyes dhe që është i dënueshëm ligjërisht, çdo përhapje të ideve të bazuara në epërsi apo urrejtje rracore, çdo nxitje të diskriminimeve racore, po ashtu çdo akt dhune dhe nxitjeje të këtyre diskriminimeve të personave apo grupeve me origjinë racore apo etnike, si dhe çdo mbështetje apo financim i këtyre aktiviteteve.
Danimarka si vendi i origjinës së krijimit dhe publikimit të karikaturave ndaj Profetit Muhamed, është shtet anëtar i Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR) por dhe anëtare e CERD-it, gjë që e bënte të detyrueshme ndërhyrjen e këtij shteti në rastin kur liria e shprehjes cënonte sigurinë publike apo edhe të raportonte në CERD për këtë rast si akt në të cilin u demonstrua hapur urrejtja dhe diskriminimi ndaj komuniteteve migratore të racave dhe kulturave të ndryshme. Mos të harrojmë se pjesë e karikaturave ishte edhe portretizimi i një qytetari danez i cili kafshonte këmbën e një gruaje me ngjyrë. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vendi i origjinës së filmimit përçmues të Sam Bacile, është shtet anëtar i ICCPR-së, por fakti është që SH.B.A-të shprehën rezervat e tyre ndaj Nenit 20 të kësaj Konvente me justifikimin se :
Ky nen nuk autorizon apo kërkon bërjen e ndonjë ligji apo të një akti tjetër nga ana e Shteteve të Bashkuara, të cilat do të kufizonin të drejtën për lirinë e shprehjes apo të ndonjë akti të ngjashëm,ndaj të drejtave që janë të mbrojtura nga Kushtetuta apo ligjet e Shteteve të Bashkuara.
Ky qëndrim i Shteteve të Bashkuara, mbështetet mbi konceptin që kanë ata mbi lirinë e shprehjes të cilën e konsiderojnë si vlerë kushtetuese dhe mbështetet kryesisht mbi Amendimin e Parë të Kushtetuës së Sh.B.A-ve. Në fakt ky Amendim është marrë shpesh edhe si shembull se si duhet të mbrohet liria e shprehjes në shoqëritë demokratike dhe modeli amerikan është po ashtu konsideruar edhe argument i cili justifikonte absolutizimin e kësaj lirie.
Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane jo si liri e pakufizuar
Në artikulimet lidhur me lirinë e shprehjes në shoqëritë demokratike, të gjithë jemi në një mendje me atë se liria e shprehjes është shtylla themelore e cila i mban këto shoqëri në këmbë, por aty ku nuk bihet dakort në shumë raste, është fakti se nëse ajo, liria, duhet ta ketë një fund. Po ashtu probleme me konceptimin e lirisë qëndrojnë edhe nëse kjo liri duhet të jetë e shfaqur vetëm përmes aktesh apo mund të aktualizohet edhe përmes simbolesh? Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane merret si etaloni i lirisë për t’u zbatuar në të gjithe Perëndimin. Për këtë arsye na duhet të shohim nëse modeli më liberal i lirisë së shprehjes i përfaqësuar nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane ka apo jo kufizime.Amendamenti shprehet se :
Kongresi nuk do të bëjë asnjë ligj lidhur me inkurajimin e fesë, apo të ndalojë ushtrimin e lirë të saj, apo të kufizojë lirinë e fjalës, të shtypit, të të drejtës së njerëzve për t’u mbledhur qetësisht, dhe të drejtës për peticion qeverisë lidhur me ankesat e tyre.
Është e vërtetë se liria e shprehjes është e garantuar në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, por është po aq i vërtetë fakti se ajo nuk është e përcaktuar sa dhe si. Duke qënë kështu atëhere kjo e drejtë është padiskutim një ndër të drejtat më të debatueshme në të gjitha artikulimet juridike dhe vendimet e gjykatave. Përcaktimi i lirisë së shprehjes në Shtetet e Bashkuara bëhet nga qeveria, e cila këtë të drejtë kushtetuese e rregullon duke përcaktuar kufinj në kohë, vend dhe në mënyrën se si ajo do të duhet të vihet në jetë. Manifestimet publike si formë e lirisë së shprehjes duhet t’i nënshtrohen pajisjes me leje të caktuar nga organet e rendit, po ashtu edhe sloganet që do të përdoren duhet të jenë të miratuara. Kjo, në vetvehte përbën përcaktim kufinjsh të lirisë së shprehjes në publik nga grupe të caktuara shoqërore, që në fakt realizohet për mbrojtjen e grupeve të tjera nga liria e pakufizuar që grupi i parë mund të ushtrojë në hapësirat publike. Kjo në fakt, nuk është gjë tjetër veçse një ekuilibër që qeveria, në rastin konkret ajo amerikanë, kërkon të vendosë mes të drejtës për t’u shprehur lirshëm dhe nevojës për rend publik si e mirë e përbashkët.
Pra, edhe pse në Amendamentin e Parë, liria e shprehjes duket se është e pakufizuar, ajo merr formë dhe përkufizohet nga organet të cilat janë të deleguara për mirëmbajtjen e sigurisë publike. Në këtë rast do të duhet të theksojmë faktin se jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në çdo qeveri të përgjegjshme, balanca mes lirisë së shprehjes dhe sigurisë dhe rendit publik, anon më shumë nga ana e sigurisë së këtij rendi. Në përgjithësi liria e shprehjes është një e drejtë e cila është e kufizuar nga të drejta të tjera të individëve të komunitetit bashkëpjestar të një shoqërie. Pra kjo e drejtë mbështillet nga e drejta e të tjerëve dhe pikërisht kjo balancë të drejtash përcakton edhe legjitimitetin e fjalës së lirë në marrëdhëniet e saja në një shoqëri, përndryshe, tejkalimi i kufirit të njërës liri ndaj tjetrës do të thotë sakrifikim i lirisë së tjetrit edhe nëse ky sakrifikim do të duhej të bëhej në emër të interesave të mëdha të shoqërisë, përsëri një akt i tillë do që qëndronte në suazat e anomalisë së lirisë së individit. Pastaj një koncept i rëndësishëm i cili lidhet me lirinë e shprehjes është fakti i konsiderimit të saj të shkëputur nga shumë dimensione që e përshkojnë atë. Një person i lirë në rendin e ri demokratik është një person i cili lirinë e vet e ka të sintonizuar jo vetëm në marrëdhëniet e tija të jashtme me botën që e rrethon, por kuptimi vërtetë i lirisë së tij është kur ajo shtrihet edhe në dimensionin e lirisë së brëndëshme të tij, lirisë në marrëdhëniet sociale e komunitare, por mbi të gjitha në dimensionin intelektual të lirisë.
Dy studentë të Minersville School District, Lillian dhe William Gobitis, u përjashtuan nga shkolla sepse refuzuan të përshëndesnin flamurin amerikan si pjesë e ritualit të përditshëm të shkollës. Dy studentët ishin pjestarë të “Dëshmitarëve të Jehovait” dhe sipas besimit të tyre, respektimi i flamurit ishte në kundërshtim me mësimet biblike. Çështja u dërgua në Gjykatën e Lartë e cila vendosi që shkolla kishte të drejtë t’u imponohej studentëve të nderonin flamurin amerikan dhe të bënin gjithë proçedurën e recitimit të himnit, pavarësisht bindjeve fetare të studentëve. Në këtë rast liria e dy studentëve për t’u shprehur sipas Amendamentit të Parë, nuk u pa e arsyeshme nga Gjykata e Lartë. Në vitin 1973 një prind nga New Yorku i drejton një ankesë Komisionit Federal të Komunikimit në të cilën thuhej se fëmija i tij kishte dëgjuar gjatë një transmetimi radiofonik të emisionit “Filthy Words”, fjalë të cilat nuk mund të thuheshin në publik. Më pas stacioni radiofonik u çensurua si pasojë e një letre të dërguar nga FCC (Komisioni Federal i Komunikimit). Stacioni radiofonik “Pacifica Foundation” iu drejtuar Gjykatës së Lartë me pretendimin se aktiviteti dhe programacioni i saj mbroheshin nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane. Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi vendimin e FCC për të çensuruar emisionin me justifikimin se prevalonte interesi publik mbi liritë individuale. Në vitin 1951 Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Shteteve të Bashkuara, Eugene Denis, iu drejtua Gjykatës së Lartë sepse ai dhe dhjetë krerë të partisë së tij nuk ishin lërë të lirë të shprehnin bindjet e tyre ndaj Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë së saj. Gjykata e Lartë e rrëzoi kërkesën e Denis, me arsyetimin se synimet e krerëve të Partisë Komuniste Amerikane ishin të rrezikshme për rendin kushtetues. Të njëjtat arsye që një individ gëzon në lirinë e tij të shprehjes të njëjtat arsye i japin jetë të drejtave të tjera po aq themelore siç janë e drejta e individit për sigurinë personale, për privacinë e tij, reputacionin dhe trajtimin e barabartë në marrëdhëniet me anëtarët e tjerë të shoqërisë, sespe janë të drejta që i përkasin të njëjtit terren lirie si ajo e shprehjes, duke qënë pjesë e të njëjtit korpus vlerash dhe standartesh.
Tani, kur ne zhytemi në debatin për hapësirat e lirisë së shprehjes, nuk e kuptojmë se kredhja jonë artikuluese shtrihet në planin justifikues të faktit që një liri si ajo e shprehjes, paska të drejtën legjitime të mbivendoset apo edhe të shterrojë liritë e tjera po aq themelore të të tjerëve. Justifikimi i mbivendosjes së kësaj të drejtë mbi të drejtat e tjera, bazohet nga mbështetësit e tyre në atë që ata e quajnë interesin shoqëror të cilit liria e shprehjes i shërben. Në fakt është karakteristikë e justifikimeve ligjore që kur e do vakti, të drejtat juridike të interpretohen si interesa dhe kur bëhet fjalë pastaj për interesa të individëve apo grupeve shoqërore ato marrin vlera vetëm nëse janë konform vlerave të shoqërive respektive, duke mënjanuar natyrën universale të të drejtës juridike e cila qëndron si e tillë e pavarësuar nga interesi qoftë edhe konjuktural apo i përkohshëm i një situate juridike. Kështu e drejta individuale përfundon të përthithet apo neutralizohet nga koncepti i interesit social i cili nga ana e tij është i vështirë të definohet në formë konsensuale. Pë këtë arsye edhe argumentimi absolutist që vihet re kur përdoret Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane si shembull i lirisë së pakushtëzuar të shprehjes, duhet parë më me objektivitet, sepse shembujt e mësipërm tregojnë që edhe vetë Amendamenti i Parë, funksionon si garantues lirie në formë parimore, por jo përcaktues dhe përkufizues eksplicit në vetvehte.