I rrethuar nga të gjitha anët me mundësi të pafundme, të cilat shkurtojnë në mënyrë të vazhdueshme pengesat dhe distancat, njeriu i “kohve t’sodit” duket se ka nënshkruar një pakt pothuaj të përjetshëm me teknologjinë. Eshtë pikërisht kjo e fundit që me shpejtësinë dhe precizionin e saj marramendës është kthyer në mekanizmin i cili ka modeluar këndvështrimin tonë për jetën. Ajo po përcakton axhendën tonë të përditshme, por, mbi të gjitha, ka ndryshuar konceptin tonë për kohën. Shijet tona, perceptimet tona, si dhe një sërë procesesh të natyrshme të njeriut, kanë fituar një evoluim të jashtëzakonshëm falë teknologjisë. Mënyra si jetojmë, si vishemi, si ushqehemi, informacioni që marrim, koha e lirë, së bashku me konceptet tona për të bukurën, të mirën dhe të shijshmen, në saje të teknologjizimit nuk janë ato të mëparshmet. Nuk është po ashtu ai i mëparshmi edhe procesi i shoqërizimit të individit të sotëm postmodern.
Përmes imazhit full high definition të ekranit të një pajisjeje të hollë sa kompensata e dikurshme, njeriu sot, ulur në një cep të dhomës, i futet një soditjeje të këndit më të largët të rruzullit, duke hulumtuar për specie e krijesa njerëzore që ndryshe nuk do të kishte patur asnjë mundësi t’i shihte për sa kohë të gjallonte. Pastaj mjafton të shtypë një buton të vetëm, dhe e gjithë zallamahia e një metropoli botëror futet zhurmshëm, me efekt audio surround, në sallonin e tij. Një mesazh në celular e lajmëron se sapo ka sosur një e-mail, e kështu, me një shtrirje të dorës, kap laptop-in e vet smart line dhe komunikon me skype me mikun e vjetër, të cilin herën e fundit e pati takuar në adoleshencën e hershme. Një telefonatë e shpejtë në celular i jep kënaqësinë e një pice-taksi, të ardhur me shpejtësinë e imagjinatës tek pragu i derës, e cila, plot avull të ngrohtë, mbyt ajrin e klimatizuar e të personalizuar të sallonit të ndenjes. Pasi shijon një kafe me minieskpresin e tij dixhital, jep porositë on-line për çështjet e punës. Më pas bën një “shtrëngim duarsh” me të gjithë miqtë e tij në facebook, duke u çmallur dhe duke shkëmbyer ndjenjat reciproke për gallatën e radhës.
Marrëdhëniet ndërshoqërore, si dhe ato familjare, kanë kaluar tashmë përmes procesit të dixhitalizimit të ndjenjave. Ndjenja dhe nevoja të teknologjizuara, që shprehen përmes telefonisë dhe kanaleve të tjera sociale të komunikimit, të cilat katapultohen në klikime tastesh tekanjoze. Kjo ftohtësi ndjesore, e cila përmes rrugëve teknologjike mbërrin më shpejt në destinacion, ka shkurtuar sigurisht distancat kohore, por ka zmadhuar distancat ndijore. Aroma e letrës, një ndjenjë tashmë e kyçur diku në një vend të errët të trurit, është zëvendësuar me fraza teknologjike mesazhesh të akullta, të tipit “I juaji dixhitalisht”. Gjithë këto ndjenja të natyrshme njerëzore mbi të bukurën, të mirën dhe shijen, nga përmasa fiziologjike, në saje të teknologjisë, kanë marrë përmasën e dixhitalizimit të koncepteve njerëzore, të cilat ulen këmbëkryq në mejdanin e perceptimit tonë. Po ashtu, si përmasë dixhitale na shfaqet edhe e keqja. Dixhitalisht mundesh të ndjehesh një ndër kriminelët më të mëdhenj në botë, dhe po dixhitalisht mund të të zhvatet e gjithë llogaria jote bankare. Për më tepër, sot ke luksin që të jesh dixhitalisht i paditur në organet përkatëse.
E tërë kjo rendje drejt një shoqërie one stop-shop, ku këpucët e katalogut brenda një kohe praktikisht të shkurtër të shtrëngohen mbi çorapet e tua vjollcë, gatimi on-line, pazari elektronik, makina me pilot automatik, gëzimi i tejskajshëm i të qenurit i taksuar, por edhe i licensuar në formë dixhitale, faturat elektronike, posta elektronike, lokalizimi satelitor, votimi elektronik, qeveria elektronike, hipotekimi elektronik, e dhjetëra gjëegjëza elektronike, janë në fakt promotori i përparimit të një shoqërie në kohë dhe në cilësinë e gjërave.
Ajo që teknologjia ka si efekt anësor në këto ritme është transformimi i ndjenjave në një format pothuajse dixhital. Ky dixhitalizim i ndjenjave të një shoqërie çon drejt krijmit të “Brezit X”, një brezi në anonimat të kontaktit ndjesor dhe shpirtëror, pavarësisht ID-ve elektronike të shfaqura kudo. “Brezi X”, një brez individualist në skaj, me cilësi vetëmjaftueshmërie të theksuara, i prirur ndaj divorcit dhe i dhënë pas karrierës, kundërshtar i strukturave sociale të konsoliduara, simpatizant i vetmisë, kaosit, e shpesh edhe dhunës, fabrikohet në ofiçinat e shkollimit publik. Të rritur tashmë me teknologjinë, kompjuterat, celularët, laptopët, e me çfarëdolloj mjeti tjetër përçues të informacionit, ata e kanë pothuaj të pamundur të kridhen në botën e ndjenjave.
Largimi gjithnjë e më tepër me natyrën nuk ka shumë ndryshim nga fenomeni i largimit të individëve nga njëri-tjetri. Trajtimi i natyrës si një sfidë që duhet fituar nuk ka ndryshim nga trajtimi i tjetrit si inferior, i cilit duhet anashkaluar. Të jetuarit gjithmonë e më tepër në një botë dixhitale e në realitete dixhitale, mbyllja brenda kësaj botë, të komunikuarit me të gjithë, por, në të njëjtën kohë, të mosndijuarit e të gjithëve, është duke lënë pasoja në psikën e brezit të ri, i cili në të njëjtën kohë ka të gjithë botën në tastierë, ama ndodhet shumë larg saj për ta kuptuar atë.
As e-mail-i, as celulari, as telekomanda, dhe asnjë pajisje tjetër me forma të çuditshme avantgard, nuk mund të zëvendësojë shkëlqimin e një pale sysh, teksa, pa folur, të thonë, “I juaji sinqerisht”. /tesheshi.com/